Dëmet që pësojnë fermerët nga moti, mungon kultura e sigurimit dhe shteti nuk i kompenson

Dëmet që pësojnë fermerët nga moti, mungon kultura e sigurimit dhe shteti nuk i kompenson
INTERVISTA/ Flet kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj: “Vlerësuesit nuk dalin në terren për të matur dëmet konkrete. Sepse nuk ka as sigurime dhe as fonde të buxhetit për t’i dëmshpërblyer të gjitha ato që mund të konstatohen”

Në Shqipëri, nuk ekziston ende një kulturë për t’i siguruar kulturat bujqësore si të tilla. Nuk ekziston asnjë mbështetje nga shteti për ta garantuar këtë, por as edhe nga vetë shoqëritë e sigurimit. Prandaj, fermerët gjenden në situata gjithmonë e më të vështira, teksa përballen me goditje të motit, si ato të paparashikuarat e këtij qershori. Një shqetësim të tillë e pohon gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiotar, Agim Rrapaj. Sipas tij, nga përkeqësimi i motit së fundmi janë dëmtuar tre kultura bujqësore, pemëtaria, perimet dhe vreshtaria. “Dhe fermeri nuk shkon që të sigurohet, pasi në radhë të parë duhet që të ketë eficiencë, por duhet thënë se shumë kultura bujqësore janë joeficiente. Dhe fermeri nëse i rrit edhe më shumë shpenzimet, kuptohet që do të vihet akoma në vështirësi. Dhe në një situatë të tillë ai zgjedh të keqen më të vogël, duke mos bërë shpenzime. Por ja çfarë ndodh me motin dhe ata gjenden papritur të papërgatitur. Nga ana tjetër, shoqëritë e sigurimeve i kanë tarifat shumë të larta dhe nuk janë aspak të interesuara për këtë fushë. E pikërisht për të tilla arsye, kemi mbetur në këtë fazë në fushën e sigurimeve për sektorin e bujqësisë”, sqaron Rrapaj...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Z.Rrapaj, nëse keni informacion, a ka patur dëme në bujqësi muajin e kaluar?

Kudo ku kanë rënë reshje dhe sidomos breshër, ka patur dëme të jashtëzakonshme. Kjo situatë e pazakontë për qershorin ka ndikuar mjaft tek të gjitha kulturat bujqësore, sidomos në pemëtari, në vreshtari dhe në perime, ku dëmet kanë qenë më të mëdha se tek të tjerat. Këto janë tre kulturat kryesore ku moti i keq ka kryer më shumë dëme.

 

A keni një shifër konkrete të këtyre dëmeve?

Jo. Pasi në të tilla raste, vlerësuesit nuk dalin në terren për t’i bërë. Dhe kjo për arsye sepse as sigurime nuk ka dhe as fonde të buxhetit nuk ka për t’i dëmshpërblyer të gjitha dëmet që mund të konstatohen.

 

Ju përmendët tre kultura, të cilat janë edhe kryesore në fakt për bujqësinë shqiptare, por edhe eksportet në të njëjtën kohë.

Po. Është e vërtetë. Sepse janë tre kultura bazë dhe ato duhet thënë se ndikojnë tek aktiviteti i çdo fermeri shqiptar. Dhe dëmet janë të tilla që reflektimi i tyre është gjithandej, si në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm.

 

E njëjta gjë ndodhi në fakt edhe në dimër me situatën e rënduar të ngricave dhe borës së vonë. Kush i mbron fermerët shqiptarë në të vërtetë?

Në të tilla raste, duhet thënë se fermerët nuk janë të siguruar. Pasi edhe shoqëritë e sigurimit nuk i kanë si objekt ata në vetvete dhe kulturat që ata kultivojnë. Por edhe nga buxheti i shtetit nuk ka fonde, as edhe ndonjë projekt të veçantë për të siguruar kulturat bujqësore nuk ka. Në të gjitha rastet, kur ata dëmtohen nga moti ekstrem dhe jashtë parashikimeve, ia dalin vetë. Gjithë dëmi përballohet vetë prej tyre.

 

Çfarë duhej të bënte shteti sipas jush për fermerët?

Mungesa kryesore e tij shfaqet tek mungesa e siguracionit. Nga ana e shtetit, aktualisht nuk ka një kulturë për t’i siguruar kulturat bujqësore si të tilla. Nuk ka një mbështetje për ta garantuar këtë. Dhe fermeri nuk shkon që të sigurohet, në radhë të parë duhet që të ketë eficiencë, por duhet thënë se shumë kultura bujqësore janë joeficiente. Fermeri nëse i rrit edhe më shumë shpenzimet, kuptohet që do të vihet akoma në vështirësi. Dhe në një situatë të tillë ai zgjedh të keqen më të vogël, duke mos bërë shpenzime. Por ja çfarë ndodh me motin dhe ata gjenden papritur të papërgatitur. Nga ana tjetër, shoqëritë e sigurimeve i kanë tarifat shumë të larta dhe nuk janë aspak të interesuara për këtë fushë. E pikërisht për të tilla arsye, kemi mbetur në këtë fazë në fushën e sigurimeve për sektorin e bujqësisë.

 

Mendoni që duhet të ndërmerret një politikë e posaçme nga ana e shtetit lidhur me këtë çështje? Po t’u referohemi edhe parashikimeve se moti do të jetë gjithmonë e më i parashikueshëm dhe me reshje të mëdha në vitet që vijnë?

Pa diskutim. Ne kemi kërkuar dhe na erdhi shumë keq që edhe një projekt i Bankës Botërore me 5 milionë dollarë për këtë çështje, nuk u realizua dot. U iniciua, por dështoi për shumë arsye. Dhe interesimi është shumë i pakët në këtë fushë e nuk është se ka ndonjë vëmendje të veçantë.

 

Pra, sipas jush, me këto kushte, nuk është se ka patur ndonjë ndihmë reale për bujqësinë shqiptare dhe ndaj fermerit në veçanti, nga ana e shtetit?

Për shkak edhe të informalitetit, duhet thënë se ka patur probleme të mëdha në disbursimin e fondeve. Fonde ka patur, ka ende në dispozicion, por ato nuk mbërrijnë tek fermeri i thjeshtë dhe kjo është një arsye bindëse për koston e lartë të prodhimit të kulturave bujqësore në rang vendi. E megjithatë, qeveria mburret me masat e fundit fiskale në sektorin e agroturizmit. Por fakti se fondet nuk disbursohen, do të thotë se bëhet fjalë për ndihmë reale ndaj bujqësisë si e tillë. Fondet mbeten atje ku janë, pa mundur të bien në duart e fermerëve. Kështu që ky është një problem shumë i madh.

 

DUKURIA

“Pikiata e euros, e pësuan ata fermerë që kishin lidhur kontrata për eksport”

“Zhvlerësimi i madh i euros në tregun vendas të këmbimit valutor gjatë këtij viti, duhet thënë se ka patur ndikim edhe në fushën e bujqësisë, por jo edhe aq i madh. Dhe kjo pasi, fermerët nuk kanë patur kontrata shitje. Janë dëmtuar vetëm ato biznese që i kanë patur kontratat e lidhura që më përpara, me çmime të fiksuara. Kurse ata që nuk i kanë patur të tilla, nuk kanë patur ndonjë dëm të madh, sepse ata e kanë patuar në dorë që t’i ndryshojnë situatat e shitjes së kulturave bujqësore, çmimet etj”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: