Çfarë është koronarografia dhe përse shërben ajo

Çfarë është koronarografia dhe përse shërben ajo
Në fazën e parë të saj, bëhet diagnostikimi i problemeve koronare, bllokimi i enëve të gjakut që ushqejnë zemrën dhe, nëse problemet mund të trajtohen sipas kritereve përcaktuara, kalohet në fazën ndërhyrëse. Por si duhet të kryhet ky lloj diagnostikimi? Cilët janë pacientët që e kanë të nevojshëm? Mjeku, Taulant Gishto, tregon të gjitha këshillat që duhet të ndjekë një pacient kardiak, para se të kryejë koronarografinë

Sonila Isaku

Koronarografia është një procedurë diagnostikuese invazive, e cila shërben për të zbuluar praninë ose jo të sëmundjes së arterieve koronare. Në gjitha rastet, kur në bazë të ankesave dhe rezultateve të ekzaminimeve jo-invazive (EKG, ECHO e zemrës dhe prova ushtrimore), dyshohet prania e sëmundjes së arterieve koronare, atëherë duhet që pacienti t’i nënshtrohet koronarografisë. Po ashtu, në rastet kur pacienti po përjeton një infarkt akut të miokardit, koronarografia është ekzaminimi i zgjedhur për lokalizimin e bllokimit apo ngushtimit të arteries koronare, që më pas trajtohet me procedurat e duhura revaskularizuese. Por si duhet të kryhet ky lloj diagnostikimi dhe cilët janë pacientët që e kanë të nevojshme? Mjeku, Taulant Gishto, tregon të gjitha këshillat që duhet të ndjekë një pacient kardiak, para se të kryejë koronarografinë

Koronarografia

Koronarografia është një procedurë diagnostikuese dhe intervencionuese apo ndërhyrëse (PCI). Në fazën e parë, bëhet diagnostikimi i problemeve koronare (bllokimi i enëve të gjakut që ushqejnë zemrën). Nëse problemet mund të trajtohen sipas kritereve të përcaktuara, kalohet në fazën ndërhyrëse. Rreziqet e koronarografisë, janë nga risqet që mund të lidhen me ndërlikimet lokale si hematoma apo disekimi i arteries femorale (çarje e murit të aortës); ndërlikimet që mund të lidhen me lëndën e kontrastit që përdoret në ekzaminim, deri tek ndërlikimet më problematike si disekimi i arterieve koronare, tromboza brenda stentit, deri në humbjen e jetës.

Ku rekomandohet

Ky ekzaminim rekomandohet në pacientët ku dyshohet ngushtimi i arterieve koronare, nëpërmjet informacioneve që vijnë nga ankesat e pacientit; nga ndryshimet në elektrokardiogramë; në ekokardiogramë; nga të dhënat indirekte që marrim nga prova ushtrimore apo të dhënat imazherike që vijnë nga angio-CT koronar. Pavarësisht dyshimeve që vijnë nga ekzaminimet e mësipërme, për përcaktimin e saktë të problemeve koronare, shërben koronarografia. Ndërsa rastet kur koronarografia është fortësisht e indikuar, janë rastet me infarkt akut miokardi të 12-orëve të para nga fillimi i dhimbjes, ku revaskularizimi i enës së mbyllur, nëpërmjet procedurës së PCI, është jetëshpëtues në shumicën e rasteve.

Çfarë përfiton pacienti

Përfitimi i pacientëve me anginë të paqëndrueshme, lidhet me faktin që këtyre pacientëve nëpërmjet PCI apo ndërhyrjes me stente, mund t’u parandalohet një infarkt i mundshëm nga ngushtimi kritik i enëve koronare. Përfitim i drejtpërdrejtë lidhet dhe me cilësinë e jetës, ku largimi i dhimbjes së gjoksit, si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, i rikthen këta pacientë në një përditshmëri të pakufizuar. Përfitimi i pacientëve që po kalojnë një infarkt akut miokardi, është i jashtëzakonshëm, pasi sa më shpejt të futet pacienti në sallën e hemodinamikës dhe sa më shpejt të hapet ena përgjegjëse për infarktin, aq më shumë ind muskulor ruhet pa u dëmtuar dhe aq më pak invalidizohet pacienti, pasi ka kaluar fazën akute të infarktit. Duhet përmendur këtu, edhe rëndësia e pazëvendësueshme e kësaj procedure, në uljen drastike të humbjes së jetës së pacientit në fazën akute.

Hapat që duhen ndjekur

Në rast se pacienti stentohet (zgjerohet ena e gjakut) me sukses, ndiqet si protokoll vlerësimi i pacientit 4 herë brenda vitit të parë, pas procedurës, që përkthehet në muajin e parë, të tretë, të gjashtë dhe të dymbëdhjetë pas procedurës. Nëse pacienti shfaq shqetësime, ai duhet t’i paraqesë ato, në çdo moment, te mjeku kurues. Pacientët që kryejnë koronarografinë, kontrolle të herëpashershme, duhet të kryejnë edhe pranë mjekut të familjes e, më pas, bazuar në sistemin e referimit, tek kardiologu i poliklinikës apo rrethit ku banojnë. Këtu flasim për rastet normale, se kemi edhe raste të vështira. Këto të fundit, lidhen kryesisht me ndihmën e pacientëve që janë në fazën e infarktit akut të miokardit. Kjo pasi, shpeshherë, këta pacientë shfaqen në gjendje të dekopesuar e shoqëruar me gjendje shoku kardiogjen, një situatë jete kërcënuese, ku zemra ka humbur funksionin pompë, si rrjedhojë e infarktit.

Këshilla para dhe pas koronarografisë

Këshillat rutinë të pacientëve, përpara procedurës së koronarografisë, lidhen me holluesit (medikamentet) që përdoren përpara procedurës. Pacientit i rekomandohet të jetë i pangrënë, atë ditë që kryen procedurën. Mjekët e përgatisin pacientin me të gjitha ekzaminimet përpara procedurës, ku standardet përfshijnë gjak komplet, bilanc biokimik, EKG, eko kardiake, grafi pulmoni. Pas procedurës, pacientëve u rekomandohet marrja e 1.5 deri ne 2 litra ujë të mara në 2 orët e para, në mënyrë që të kemi sa më pak ndërlikime nga lënda e kontrastit që përdoret gjatë procedurës. Nëse procedura është e suksesshme dhe pacienti nuk ka kaluar një infarkt akut miokardi, mund të dalë nga spitali pas 48-orëve. Në të kundërt, nëse është stentuar një pacient që ka kaluar infarkt, duhet të presim ditëqëndrimin sipas protokollit në këta pacientë. Më pas, pas daljes nga spitali, me mjekimet që u shënohen në fletëdalje, pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes, për të kryer procedurat e marrjes së medikamenteve me rimbursim, në rastet kur kanë nevojë.

Këshilla

Këshillat rutinë të pacientëve, përpara procedurës së koronarografisë, lidhen me holluesit (medikamentet) që përdoren përpara procedurës. Pacientit i rekomandohet të jetë i pangrënë, atë ditë që kryen procedurën.

Mjekët e përgatisin pacientin me të gjitha ekzaminimet përpara procedurës, ku standardet përfshijnë gjak komplet, bilanc biokimik, EKG, eko kardiake, grafi pulmoni.

Pas procedurës, pacientëve u rekomandohet marrja e 1.5 deri në 2 litra ujë të mara në 2 orët e para, në mënyrë që të kemi sa më pak ndërlikime nga lënda e kontrastit që përdoret gjatë procedurës.

Nëse procedura është e suksesshme dhe pacienti nuk ka kaluar një infarkt akut miokardi, mund të dalë nga spitali pas 48-orëve. Në të kundërt, nëse është stentuar, një pacient që ka kaluar infarkt, duhet të presim ditëqëndrimin sipas protokollit, në këta pacientë.

Pas daljes nga spitali, me mjekimet që u shënohen në fletëdalje, pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes, për të kryer procedurat e marrjes së medikamenteve me rimbursim, në rastet kur kanë nevojë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: