Britania dhe Gjermania kundër ndryshimit të kufijve: Sjell destabilizim në Ballkan

Britania dhe Gjermania kundër ndryshimit të kufijve: Sjell destabilizim në Ballkan
Ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë, janë kundër ndryshimit të kufijve me motivin se do të shkaktojnë destabilizim në Ballkan.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese. Ashtu siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi. Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tashëm.Ne vazhdojmë ta mbështesim dialogun të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me të cilët përfitojnë të dy vendet,” ka thënë ambasada britanike në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada e Gjermanisë ka thënë se shteti më i fuqishëm brenda BE-së, është kundër ndryshimit të kufijve.

“Ministri i shtetit, Michael Roth, sikurse edhe Ambasadori Heldt në intervista të ndryshme e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Me këtë, qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë është i njohur,” thuhet në një deklaratë të kësaj ambasade për Radion Evropa e Lirë.

Roth dhe Heldt kanë thënë më herët për mediat e Kosovës, se ndarja e kësaj të fundit dhe lëvizjet e kufijve janë shumë të rrezikshme dhe mund ta destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, por jo dhe për ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë, se në dialogun politik në Bruksel, do të flasë edhe për mundësinë e bashkimit me Kosovën, të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Duke folur për mundësinë e ndryshimit të kufijve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se ai pajtohet që të ketë ridefinim të kufijve me shqiptarët.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: