Artriti, si duhet ta kurojmë sëmundjen e rëndë të kockave

Artriti, si duhet ta kurojmë sëmundjen e rëndë të kockave
Sëmundja paraqet një gjendje shëndetësore që karakterizohet nga dhimbja, në të cilën preken artikulacionet, kockat, ligamentet, tendinat dhe muskujt. Prof. Argjend Tafaj, mjek reumatolog në QSUT, shpjegon se cilët janë llojet e artritit reumatoid dhe si duhet të kujdesemi për kurimin e tij

Sonila Isaku

Artriti paraqet një gjendje shëndetësore që karakterizohet nga dhimbja, në të cilën preken artikulacionet, kockat, ligamentet, tendinat dhe muskujt. Sëmundjet reumatizmale quhen gjithashtu, sëmundje muskulo-skeletike. Shumë njerëz përdorin termin artritis, duke iu referuar të gjithë sëmundjeve reumatizmale. Artritis, në të vërtetë, do të thotë inflamacion i artikulacioneve, e cila është simptomë e këtyre sëmundjeve. Artriti në kuptimin e thjeshtë të tij, duhet kuptuar si dhimbje, inflamacion dhe dëmtim i artikulacioneve. Në sëmundjet reumatizmale, përfshihen rreth 200 patologji të ndryshme, që variojnë nga llojet e ndryshme të artriteve, te osteoporoza dhe deri te sëmundjet sistemike të indit lidhor.

Sëmundja

Artriti reumatoid është një sëmundje reumatizmale e indit të lidhur, sëmundje inflamatore që prek 1% të popullatës në mbarë botën. Është sëmundje kronike që prek kryesisht kyçet, por jo vetëm ato, pasi konstatohen edhe prekja e organeve të tjera me rëndësi jetike, siç janë zemra, mushkëritë, veshkat, lëkura, muskujt etj. Artriti reumatoid është sëmundje e rëndësishme, për vetë faktin se ka pasoja të mëdha për pacientët që ajo prek. Meqenëse është sëmundje invalidizuese, prish cilësinë e jetës, duke e bërë të paaftë një person, për shumë aktivitete të jetës së përditshme, domosdoshmërisht edhe të familjes e familjarëve.

Klasifikimi

Sëmundjet reumatizmale në përgjithësi, klasifikohen në inflamatore dhe jo inflamatore. Sëmundjet reumatizmale inflamatore më të shpeshta, janë: artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, sëmundjet sistemike autoimune të indit lidhor, artriti reaktiv, artriti psoriatik, polimialgjia reumatike. Sëmundjet reumatizmale joinflamatore më të shpeshta, janë: sëmundjet degjenerative të kolonës vertebrale, osteoartrit, osteoporoza dhe fibromialgjia. Sëmundjet reumatizmale prekin ¼ e popullsisë të Europës, rreth 120 milionë njerëz. Mund të themi se, pothuajse çdo familje në Europë, ka një anëtar të saj me sëmundje reumatizmale. Këto sëmundje prekin si meshkujt ashtu edhe femrat, të të gjitha moshave, përfshirë edhe fëmijët. Megjithatë, disa sëmundje reumatizmale janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara njerëzish. Femrat janë më të prekura nga sëmundjet e artritit reumatoid, fibromialgjisë, lupusit, ndërkohë që meshkujt janë më të prekur nga spondiloartropatit dhe guta. Sëmundjet reumatizmale janë shkak i parë i paaftësisë së përkohshme për punë dhe invaliditetit të parakohshëm, në mbarë botën. Këto sëmundje kanë koston më të lartë në sistemin socioekonomik europian. Këto shpenzime bëhen për diagnozën, mjekimin, barnat, kujdesin, mjetet për invalidët, modifikimet e banesave, për studime shkencore etj. Ulja e aftësisë për punë dhe mungesat në punë, kontribuojnë gjithashtu në këto shpenzime. Në qoftë se nuk mjekohen sëmundjet reumatizmale, bëhen shkak për vdekje të parakohshme.

Diagnostikimi

Personat me sëmundje reumatizmale, shpeshherë, diagnostikohen me vonesë, p.sh., fibromialgjia nuk diagnostikohet në 3 nga 4 të sëmurë dhe diagnoza përfundimtare vendoset, mesatarisht, pas 5 vjetësh të shfaqjes së sëmundjes. Diagnostikimi i hershëm është çelësi i parandalimit të dëmtimeve, por vonesa apo mosdiagnostikimi ndodh shpesh te këta të sëmurë. Nëse këta pacientë nuk mjekohen si duhet, aftësitë fizike, cilësia e jetës dhe aktiviteti ditor, reduktohen. Për një diagnozë të hershme është e rëndësishme të njihen simptomat e këtyre patologjive. Në shumë raste, sëmundjet reumatizmale mund të jenë të trashëguara. Gjithsesi një histori familjare me këtë sëmundje, nuk domethënë që patjetër do të trashëgohet nga familjarët e tjerë. Këto patologji mund të influencohen nga faktorë që lidhen me stilin e jetesës, si p.sh., duhanpirja, mbipesha, jeta sedentare, mosha e rritur, punë të rënda fizike që çojnë në dëmtime të muskujve dhe artikulacioneve. Në mjaft raste, shkaqet e këtyre patologjive mbeten të panjohura.

Simptomat dhe mjekimi

Faza e parë në menaxhimin e çdo sëmundjeje, është njohja me simptomat dhe ndihma nga mjeku specialist. Inflamacioni në artikulacione karakterizohet nga edema, ngurtësimi, skuqja dhe nxehtësia. Përjetohen dhimbje të vazhdueshme artikulare dhe muskulare, dhimbje që shtohen në prekje apo gjatë lëvizjeve të artikulacioneve, dobësi të theksuar trupore, lodhje të shpejtë, ngurtësim dhe kufizim të lëvizjeve, deformim të artikulacioneve si edhe simptoma të tjera që lidhen me dëmtime të organeve. Ka edhe simptoma të cilat mund të mos vihen re, si depresioni dhe ankthi. Në disa raste, mund të shfaqet edhe temperaturë. Pas shfaqjes së shenjave të sëmundjeve reumatizmale, duhet vlerësimi nga mjeku reumatolog, sa më shpejt, për të filluar mjekimin e duhur. Fillimi i hershëm i mjekimit, përkatësisht në 12 javët e para, mund të parandalojë dëmtime të organeve dhe të sistemit muskulo-skeletik, të përmirësojë funksionin për një kohë të gjatë dhe të arrijë remision të sëmundjes. Mjekimi kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë, mjek-pacient, duke u konsultuar me protokollet mjekuese të hartuara për këto patologji, por duke i adaptuar rast pas rasti, pacientëve të veçantë. Nuk ekziston një mjekim ose bar i vetëm, që të jetë optimal për çdo të sëmurë. Mjaft sëmundje reumatizmale mjekohen me barna të quajtura modifikues të sëmundjes, të cilët veprojnë direkt mbi mekanizmat patogjenetikë të këtyre patologjive. Ndryshe nga barnat antiinflamatore, të cilët vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë ato më rezultateve, midis mjaft alternativave mjekuese. Injeksionet intraartikulare ose në indet e buta, mjekësia alternative, mjekimi me barna natyrale bimore dhe kirurgjia janë opsione të tjera të trajtimit. Rezultatet e mjekimit nuk janë të njëjta, por variojnë nga njëri pacient te tjetri.

Këshilla për pacientët

Shumë nga këto sëmundje, kanë prejardhje trashëgimie të cilën nuk mund ta ndryshojmë, por mund të ndryshojmë stilin e jetesës. Duhet shmangur duhanpirja, duhet kontrolluar pesha fizike e trupit tëmos të kalohet në mbipeshë, duhet konsumuar një dietë të ekuilibruar, duhet kryer aktivitet fizik. Gjithmonë, pacienti paralelisht duhet të jetë edhe nën trajtimin e mjekut specialist.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: