Antibiotikët, kur duhen përdorur tek fëmijët

Antibiotikët, kur duhen përdorur tek fëmijët
Përdorimi i antibiotikeve në rastet e infeksioneve virale, vetëm vret bakteret e shëndetshme që bashkëjetojnë në sistemet e fëmijës dhe e bëjnë atë më rezistent ndaj baktereve infektive

Sonila Isaku

Zgjatja e një viroze, shpesh, i çon prindërit përballë faktit nëse duhet të përdorim antibiotikë apo jo. Po kështu edhe të rriturit duket se po përballen shpesh me këshillat për marrjen e një antibiotiku, në mënyrë që sëmundja të mos përsëritet më. Por, a duhet të përdoret antibiotiku dhe cilat janë rastet e këshillueshme. Anila Çeçe, mjeke dhe farmaciste njëkohësisht, jep këshillat e nevojshme si për prindërit ashtu edhe për të rriturit, në rastet e përdorimit të antibiotikëve.

A kemi rezistencë ndaj antibiotikëve?

Rezistenca antimikrobiale është mundësia që ka mikrobi për t’u rezistuar trajtimeve antimikrobialë, veçanërisht atyre me antibiotikë. Rezistenca antimikrobiale është fenomen natyral, por mbivendosja e disa faktorëve, përfshirë këtu përdorimin e tepruar dhe jo të përshtatshëm të barnave antimikrobialë, te njerëzit dhe kafshët, si edhe higjiena e varfër apo praktikat jo të mira në kontrollin e infeksioneve, e kthejnë rezistencën mikrobiale në një rrezik serioz për shëndetin publik, në mbarë botën.

Përdorimi i gjerë dhe pa kriter i antibiotikëve, vepron si një ndër faktorët më të fuqishëm në përhapjen e rezistencës bakteriale. Trajtimi me antibiotikë asgjëson ose frenon shumëzimin e baktereve të ndjeshëm ndaj tij, ndërkohë që nuk arrin të veprojë në mutantët rezistent, si dhe në florën bakteriale rezistente. Efekti përzgjedhës i baktereve rezistente nga presioni i antibiotikëve, është elementi bazë në përhapjen e rezistencës bakteriale.

Rezistenca antimikrobiale jo vetëm që ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njerëzve, – për shkak të humbjes së kontrollit në trajtimin e sëmundjeve infektive, - por gjithashtu mbart një kosto të madhe ekonomike.

Rezistenca antimikrobiale është përgjegjëse tashmë, për një vdekshmëri prej 25,000 vdekje/vit, në komunitetin europian. Mortaliteti aktual në botë, nga rezistenca antimikrobiale llogaritet në 700,000 vdekje /vit. Mosveprimi apo reziztenca antimikrobiale parashikohet të shkaktojë miliona vdekje në vit globalisht dhe rreth vitit 2050, rezistenca antimikrobiale supozohet të bëhet shkaku më i zakonshëm i vdekshmërisë krahasuar me kancer.

Kjo gjithashtu ka një ndikim të konsiderueshëm në ekonomi, me kosto të larta trajtimi dhe humbje ekonomike, për shkak të uljes së produktivitetit nga sëmundja. Vetëm në komunitetin europian llogaritet që, rezistenca antimikrobiale ka një kosto vjetore prej 1,5 bilionë euro në kosto shëndetësore dhe humbjen e produktivitetit për shkak të sëmundjes. Banka Botërore jep alarmin se, nga viti 2050, infeksionet rezistente ndaj mjekimit, mund të shkaktojë një dëm ekonomik global që krahasohet me krizën financiare të 2008-s.

Në këtë kuadër global, mund të themi se në Shqipëri, kemi gjithmonë edhe më shumë individë që vetëmjekohen me antibiotikë jo të përshtatshëm për sëmundjen që kanë. Gjithmonë edhe më shumë kemi pacientë të pabindur që mjekohen deri në momentin e zhdukjes së simptomave, duke e lënë mjekimin përgjysmë dhe papërfituar të mirat e kërkuara të antibiotikut. Gjithashtu, kemi një përshkrim pa kriter të antibiotikëve nga ana e mjekëve dhe farmacistëve.

Kur një antibiotik duhet të jepet tek fëmijët?

Antibiotikët nuk janë të nevojshëm për çdo sëmundje dhe aplikimi i tyre për çdo sëmundje tek fëmijët, veçanërisht kur nuk janë të nevojshme, mund të jenë të dëmshme. Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ekspozon fëmijën ndaj efekteve anësore të barit (si diarre apo rash në lëkurë), rrit rrezikun për rezistenca antimikrobiale dhe, herë pas here, fëmija do të kërkojë përdorimin e një antibiotiku më të fortë, mund të shtojë rrezikun për sëmundje autoimune, përfshirë këtu sëmundje inflamatore të zorrëve apo artrite idiopatike juvenile (kuptohet, në këto raste risku është i moderuar).

Bazuar në disa kërkime, përdorimi i tepruar i antibiotikëve mund të ndikojë edhe në shtimin e rrezikut për mbipeshë. Përdorimi i tepërt i antibiotikëve në komunitet, kontribuon në rritjen e shtameve të reja bakteriale, të cilët janë rezistent ndaj antibiotikeve në përdorim. Në kushtet kur shumë baktere janë rritur më të forta dhe bëhen imune ndaj trajtimit, në komunitetin e një vendi bëhet problem madhor për shëndetin publik.

Antibiotikët tek fëmijët duhet të përshkruhen nga mjeku, vetëm në rastet kur fëmija ka infeksion bakterial. Kur fëmija merr antibiotikun duhet të bëhet kujdes për të dhënë dozën e përshkruar dhe të ndiqen të gjitha instruksionet. Kur fëmija e nxjerr (vjell) shumë doza të antibiotikut, duhet të bisedohet menjëherë me mjekun.

Fëmija duhet të trajtohet me antibiotikë, vetëm në rastet kur vërtetohet një infeksion bakterial. Rastet më tipike janë: tonsilitet, impetigo, infeksion i veshit, infeksion bakterial i lëkurës, pneumonia bakteriale dhe infeksion i traktit urinar dhe veshkës.

Duhet të bëhet kujdes të mos përdoren antibiotikë në rastin e infeksioneve virale. Përdorimi i antibiotikeve në rastet e infeksioneve virale, vetëm vret bakteret e shëndetshme që bashkëjetojnë në sistemet e fëmijës dhe e bëjnë atë më rezistent ndaj baktereve infektive.

Cilat janë disa nga simptomat që kërkojnë trajtim me antibiotikë?

Në vend të parë, mund të përmendim temperaturën, pasi rreth 90% e rasteve me temperaturë tek fëmijët e vegjël, është pasojë e një infeksioni viral, i cili nuk ka nevojë për trajtim me antibiotikë. Ndërkohë, një temperaturë e shkaktuar nga një infeksion bakterial i vërtetuar (tonsilit apo infeksion urinar), kërkon gjithmonë trajtim me antibiotikë. Temperatura është pjesë e mbrojtjes natyrale që organizmi bën ndaj infeksionit dhe është mjeku ai që bën dallimin, nëse kjo temperaturë duhet të trajtohet më tej apo jo. Duhet patjetër të këshillohet me mjekun, nëse fëmija është nën 3 muaj dhe ka një temperaturë mbi 38 gradë Celsius ose nëse një fëmijë i çdo moshe, ka vështirësi në frymëmarrje, nuk ha apo pi, është letargjik,duket shumë i sëmurë dhe /ose nuk ka marrë vaksinat e rekomanduara.

Duhet të kontaktohet menjëherë mjeku, nëse një fëmijë mbi 3 muaj, ka një temperature që nuk përmirësohet pas dy ose tre ditësh.

Infeksion i veshit

Ka dy lloj infeksione të veshit: otitis media me rrjedhje, kur veshi i mesëm bllokohet nga lëngu i shkaktuar nga alergjia apo irritimi dhe otit akut medial, kur infeksioni shkaktohet nga baktere apo viruse. Në këto raste, fëmija paraqet dhimbje të veshit në shtypje, vështirësi në fjetje, pasi dhimbja rëndohet gjatë natës, temperaturë, lodhje. Në këto raste, duhet të konsultohet mjeku, pasi fëmija mund të ketë nevojë për antibiotike.

Tonsiliti

Dhimbja e fytit shpesh shkaktohet nga infeksione virale në kushtet e një ftohje. Në këto raste nuk kërkohet trajtimi me antibiotikë. Gjithsesi një në katër raste me problem të tonsilave, shkaktohet nga streptokoku dhe është një infeksion bakterial që kërkon trajtim me antibiotikë. Për të bërë dallimin duhet të kemi parasysh se në rastet e infeksioneve streptokoksike simptomat e zakonshme janë: temperaturë, ënjtje të tonsilave, njolla të kuqe të vogla në qiellzë, limfonodula të fryra. Pavarësisht këtyre shenjave, përcaktimin definitive dhe trajtimin me antibiotikë në rastet e tonsiliteve streptokoksike, e bën mjeku.

Konjuktiviti

Mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, alergene kryesisht polene ose irritim. Në kushtet kur në këto raste është e vështirë të bëhet dallimi i shkaktarit, duhet të vlerësohet nga mjeku, nëse është i nevojshëm trajtimi me antibiotikë.

Mukusi jeshil

Kur mukusi bëhet nga i verdhë në jeshil, mund të jetë shenjë e një sinusitit apo një inflamacion i kavitetit të hundës. Jo gjithmonë këto inflamacione shkaktohen nga bakteret. Ato mund të kenë origjine virale ose alergjike. Pikërisht për këtë arsye, Akademia Amerikane e Pediatrisë ka siguruar një rishikim të udhëzuesve në vitin 2013, për trajtimin e sinuseve tek fëmijët. Kështu, në qoftë se një fëmijë nuk ka një temperaturë dhe/ose një kollë që përkeqësohet, mjeku bën një ndjekje të fëmijës për një periudhë rreth 13-ditore, para se të përdorë antibiotikun.

Cilat janë këshillat që duhen ndjekur në rastin e përdorimit të antibiotikëve?

Në rastin e trajtimit të patologjive tek fëmijët, prindi duhet të konsultohet me pediatrin dhe vetëm nëse e rekomandon ai, duhet të përdoret antibiotiku. Duhet të kihet parasysh nga prindërit se antibiotiku, jo gjithmonë është përgjigjja dhe nuk është trajtim urgjence.

Çdo rast kur do të përdoret një antibiotik nga fëmija, ky duhet të jetë i konsultuar dhe i përshkruar nga mjeku pediatër. Kur aplikohet një antibiotik tek fëmija, duhet të zbatohen me rigorozitet të gjitha instruksionet. Fëmijës i duhet aplikuar kursi i plotë i antibiotikut, sipas udhëzimeve të pediatrit. Ndërprerja e antibiotikut para kohe, edhe në rastet kur fëmija përmirësohet, mund të rishfaqin infeksionin i cili, tashmë, nuk mund të kurohet me të njëjtin antibiotik, por mund të kërkojë një antibiotik më të fortë.

Çdo rast, infeksioni kërkon përshkrim të ri të antibiotikut. Nuk duhet të përdoren antibiotikë të përshkruar më parë për raste të tjera. Çdo infeksion kërkon antibiotikun e përshtatshëm dhe dozën e duhur.

Duhet të kihet parasysh vaksinimi i rregullt i fëmijës. Disa nga infeksionet më ngjitëse dhe të rrezikshme bakteriale, mund të eliminohen nëpërmjet imunizimit me anë të vaksinimit. Në këto raste mund të përmendim pertusin apo infeksionet nga pneumokoku. Kërkimet kanë treguar se vaksinimi ndaj pneumokokut, ndihmon në parandalimin e infeksioneve antibiotikorezistente nga pneumokoku tek fëmijët.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: