“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Klevis Balliu: Si i vura flakën Kishës në Korçë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Klevis Balliu: Si i vura flakën Kishës në Korçë!
Satirë

“Antena Jashtë Familes" dhe gazeta jonë, raportoi para disa muajsh për një zjarr të rënë në Kishën e Korçës. Për këtë, neve na erdhi një telefonatë.

Ja bashkëllafosja e bërë me personin në krahun tjetër...

- Alo! “Antena Jashtë Familjes”! Desha t'ju thosha se atë zjarrin te Kisha Ortodokse në Korçë, e vendosa unë!

- Përshëndetje! Kush jeni juve, ju lutem?,-pyetëm ne.

- Jam deputeti i PD-së, Klevis Balliu. Nuk më njihni nga mjekra?

Antena: - Më falni shoku Klevis, por në telefonat pa kamerë, ajo nuk duket...

Klevis Balliu: - Për atë zjarrin në Kishën e Korçës, desha të flisja. E vendosa unë!

Antena: - E vendosët ju?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për neve. Po si ndodhi? E vendosët gabimisht, apo qëllimisht?

Klevis Balliu: -Kur e vendosa, ishte qëllimisht. Tani e quaj, gabimisht, "man"!

Antena: - ... Qenka si korani i Pogradecit, që s'është koran, por shitet si koran. Ju e dini më mirë këtë gjë jeni deputet i Pogradecit.

Klevis Balliu: - Nuk e dija këtë punën e koranit. Nuk kam jetuar shumë kohë në Pogradec, në fakt. Vetëm kur më tha miku im, Lul Basha që të shkoja atje për zgjedhje, shkova disa herë me makinë. Edhe humba, "man".

Antena: - Si humbët?! Mesa di unë, ju në zgjedhje, fituat...

Klevis Balliu: - Humba rrugën! Në vend që të shkoja te lagjja pranë stadiumit, shkova në Ohër. Histori e gjatë. Vetëm juve po ua them. Ju flisja shqip ohrianëve, por ata s'më përgjigjeshin. "Mos nuk më kuptojnë, meqë e flas shqipen me theks anglez", pyesja veten. Se që ta dish ti, unë edhe kur mendoj, në fillim mendoj në gjuhën angleze, "man"!

Antena: - Ashtu? Shumë mirë, ju lumtë!

Klevis Balliu: - Ndaj më ka dalë nami që bëj gabime kur shkruaj dhe flas shqip. S'më vijnë shpejt mendimet në shqip, “man”.

Antena: - Ju kuptova! Kthehemi te zjarri. Thatë që ju i vutë zjarrin Kishës. Përse e bëtë?

Klevis Balliu: - Po lexoja para disa ditësh disa gazeta që mban babi, koleksion në dosje të veçantë. Te njëra prej tyre p.sh., thuhej; "Të djegim me zjarr, zakonet prapanike! Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, e kishës, të xhamisë..."! Ja kështu. Kishte shumë gazeta aty në koleksion, që thoshin që u duhej vënë flaka, objekteve të kultit, "man".

Antena: - Po pastaj çfarë ndodhi?

Klevis Balliu: -Kur shkoi babi në Korçë, me Ilir Metën në kishë, shkova edhe unë. Se s'duhet të ndahem nga miqtë, se kështu forcohet më tepër miqësia, më ka thënë babi. Aty m'u kujtua ai shkrimi te gazeta që kishte ruajtur babi, për vënien e zjarrit objekteve të kultit. Ndeza një qiri që digjet ngadalë. E pastaj kur ikëm neve, zjarri u përhap në kishë.

Antena: -Ju kuptoj! A ia thatë Presidentit Meta dhe babit këtë gjë që bëtë?

Klevis Balliu: Ia thashë, posi. Doja t'ia thosha në vesh, por babi më tha që Ilirin e kemi mik të mirë dhe duhet të dijë gjithçka... "Po atë që ke lexuar ti, për t'u vëmë zjarrin kishave dhe xhamive, e ka thënë shoku Enver në vitin 1967.  I mban babi yt Fahriu koleksion, gazetat e asaj kohe, meqë atëherë shkruante aty...", më tha.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: