“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Lulzim Basha: Me këtë strategji do fitoj zgjedhjet, i ka vdekur mami...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Lulzim Basha: Me këtë strategji do fitoj zgjedhjet, i ka vdekur mami...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Koka e Kontrollit të Lartë të Shtetit, shoku Bujar Leskaj teksa bënte përmbledhjen e punës së institucionit që drejton,  në Kuvend deklaroi se, gjatë tenderave të kryera, qeveria është treguar shumë bujare, duke abuzuar me dhjetëra milionë euro.

Themi lajm i mirë pasi, kur mbaroi fjalën e tij shoku Bujar, shoku Pandeli Majko nuk foli fare.

As deputetë të tjerë të shumicës, nuk e hapën gojën, siç nuk e hapnin deputetët e opozitës së tanishme, kur ishin në pushtet. Kjo na sjell në përfundimin e mirë se asnjë prej deputetëve nuk do ndëshkohet prej Kryeministrit...

E meqë më lart ra llafi te përmbledhja. Ne sot menduam të përmbledhim tre, a dy shkrime të bëra më parë. Idenë e kësaj e morëm nga një opinionist, i cili kishte përmbledhur Kampionatin e Botërorit. Duke qenë se ne si redaksi nuk e pamë të gjithë kampionatin, sepse kemi qenë të zënë duke bredhur nga një bankë në tjetrën për të mbyllur paratë që kemi, menduam të përmblidhnim disa shkrime të botuara, që mbase ia vlejnë të rivijnë, për mesazhin që (nuk) kanë.

Së pari, ne para disa ditësh llafosëm me analistin tonë, rreth çështjes së lojërave të fatit.

Mesa duket, edhe neve e parandjemë që qeveria pasi të llafosnim neve, do t’i ulte taksat për to.

Ja bashkëllafosja e shkurtuar e bërë më të, rreth dobisë së basteve:

Antena ndër të tjera pyeti: Cilat ishin përgjigjet e grave të pyetura, shoku analist?

Analisti na u përgjigj: Atëherë, 74% e tyre (grave) deklaruan me kompetencë se tani që pikat e basteve janë hapur në çdo pallat, ato mund t'i gjejnë pa u lodhur, burrat e tyre. Kur ju duhen, kuptohet. Më parë, siç thanë të anketuarat, grave u duhej të largoheshin nga pallati dhe të kërkonin bashkëshortët e tyre, në pallatet më larg.

(Më tej analisti shtoi): Pikërisht rreth këtij veprimi, shumë gra përfliteshin në mëhallë, për gra imorale. Sidomos në qytezat e vogla të vendit. Fqinjët i shikonin që largoheshin nga pallati i tyre dhe u hapnin namin...

Siç e lexuat dhe kuptuat, numri i paktë i pikave të basteve, vetëm probleme familjare dhe pastaj më gjerë shoqërore, sjell. Ndaj ne si redaksi përshëndesim uljen e taksave për to!

Në rubrikën tonë ne kemi llafosur me shokun Lulzim Basha, i cili na ka shpalosur strategjinë e fitimit të ndonjë palë zgjedhjeve. Kuptohet, ekskluzivisht vetëm për rubrikën tonë:

Ja një pjesë e bashkëllafosjes së bërë me të:

Lulzim Basha foli i gëzuar: Më në fund erdhi dita ime. Zoti është i madh!..I ka vdekur mami atij muhabeti! Do fitoj zgjedhjet. Oh, më në fund!

Antena e pyeti i habitur: Ju do fitoni zgjedhjeeet?! Do ua lënë vetë d.m.th?

Shoku Lulzim na u përgjigj: ...Tani që do vijnë refugjatë sirianë në Shqipëri të larguar nga Basiri, zgjedhjet do i fitoj, bash me ta.

Antena e ripyeti i habitur se ç'lidhje kishte fitimi i zgjedhjeve me sirianët e shoku Lulëzim u detyrua të na shpjegonte plot edukatë: Shiko or ti! Këta sirianët që do vijnë në Shqipëri, janë kundër Basharit. E di ti kë parti përfaqëson ai në Siri?

Antena i tha: Partinë e parasë, si shumica e politikanëve.

Lulzim Basha na pa drejt e në sy dhe pa ju trembur qerpiku nga Bashari, tha: Ai, dmth Bashari, përfaqëson Partinë Socialiste. D.m.th, këta refugjatët që do vijnë në Shqipëri, janë kundër kësaj partie. Më kuptove tani?

Antena: Pak fare...!, -i thamë ne.

Lulzim Basha atëherë u zgjat në përgjigje dhe na sqaroi : ...Do kërkoj që sapo sirianët që hyjnë në vendin tonë, të pajisen me nënshtetësinë shqiptare. E kam biseduar edhe me Monikën. Ajo më dha llafin që do e bisedojë me Ilir Presidentin, sapo ta takojë.

Antena: Do u jepni sirianëve pasaportë shqiptare? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po pastaj?, -i thamë ne.

Lulzim Basha me zë të ulët na shpjegoi: Sapo sirianët të marrin nënshtetësinë shqiptare, do kenë të drejtën të votojnë në Shqipëri. Kuptohet, ata si antisocialistë që janë, do votojnë për mua, e sigurisht edhe për Monikën, nëse ajo do jetë me mua deri atëherë...

Ja pra të dashur lexues! Kush mendon se opozita me shokun Lulëzim Basha në krye, nuk mund të fitojë zgjedhjet, ka gabuar. Që do i fitojë Luli, i ka vdekur mami atij muhabeti. Tani problemi është vetëm që në vend të vijnë sirianët që ai ëndërron...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: