“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i pavarur: Turizmi, t’i kthejmë sytë nga cjapi më i bukur dhe fërgesa

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti i pavarur: Turizmi, t’i kthejmë sytë nga cjapi më i bukur dhe fërgesa
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Më fshatin Nivicë te Tepelenës, u zhvillua gara se kush ka cjapin më të bukur. Themi lajm i mirë, pasi më në fund e kuptuam se vetëm risjellja e traditës është ajo që mund të na sjellë turistë. Ne nuk mund të konkurrojmë dot as me muzetë, as me pallatet mbretërorë. E as me universitet tona, sepse sa studentë ka një i tillë yni, vendet e tjera i kanë nxjerrë fitues të Nobelit në shkenca. Ndaj duhet t'i kthejmë sytë te fërgesa, lakrori, apo picat, që janë bërë traditë e gatimeve shqiptare.

Pa harruar kruasanin që blejnë nxënësit, apo byrekun, që hanë gazetarët, gjatë pushimit.

E meqë ra llafi te muzetë. Kryeministri ynë dje gatoi një mbledhje të qeverisë, në qytetin bregdetar të Durrësit, pikërisht në Muzeun Arkeologjik. Rreth këtij fakti, por edhe të tjera, ne biseduam me analistin tonë, të pavarur.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Donim mendimin tuaj për ngjarjet e fundit. Fillojmë me projektligjin që i jep të drejtë ekskavatorit të prishë Teatrin Kombëtar. Ju ç'mendim keni?

Analisti: Përderisa për këtë është dakord edhe miku im Kryebashkiak, ai është një vendim i duhur. Bravo! Veçse për realizimin e tij, unë kam një këshillë. Shembja duhet bërë duke u konsultuar më parë me të moshuarit.

Antena: Me të moshuarit?! Në ç'kuptim?

Analisti: Ata e dinë se kur do bjerë shi. Ngaqë kur prishet koha, atyre u dhembin kockat.

Antena: Më falni shoku analist i pavarur, por ç'lidhje kanë kockat e të moshuarve, me prishjen e asaj godine? Ju lutem shumë, jini më i qartë!

Antena: Sigurisht që ka! Ja ku po ta them. 76% e të anketuarve që kam pyetur, më dhanë përgjigjen; Po, ka lidhje. Duke rënë shi, laget toka, laget edhe godina. Kështu që kur godinës t'i hyjë feçka e ekskavatorit, nuk do ketë shumë tym. Rrjedhimisht, ndotja që do shkaktohet do jetë më e ulët. Nuk është mirë që të rrisim ndotjen në qytet, ndërkohë që Kryebashkiaku ka bërë të pamundurën që ajo të ulet.

Antena: Ju kuptova!

Analisti: 87% e të pyeturve në anketimin që fondacioni im zhvilloi thanë që gjatë procesit të prishjes së godinës të Teatrit, duhet që të këndohet kënga: "M'u në fshatin tonë dhe moj, erdhi ekskavatori".

Antena: Më falni, shoku analist, por ekskavatori nuk do e fusë fyçkën në një ndërtesë fshati. Teatri Kombëtar ndodhet në qytet...

Analisti: Moooos, nuk më kishte shkuar në mendje ky detaj. Atëherë hiqe atë që të thashë për anketimin. Do më mërzitet Kryebashkiaku, që Tiranën e quajta fshat. Edhe ajo më duhet...

Antena: Lidhur me mbledhjen e qeverisë në Durrës, desha ndonjë koment. A mendoni se...?

Analisti: Ja ku po ta them. Sipas anketimit që kam zhvilluar, 70% e ca e të pyeturve ishin dakord që kjo mbledhje të bëhej në atë qytet. Në gjykimin tim, mbledhja jo më kot do bëhet në sallën e Muzeut Arkeologjik. I mirëmenduar ky detaj.

Antena: Doni të thoni që...?

Analisti: Kryeministri me këtë simbolikë, do t'ju thotë anëtarëve të qeverisë që, një pjesë e tyre janë bërë për t'u futur në muze. Janë si puna e atyre skulpturave të ekspozuara aty. Pa kokë...

Antena: Pa kokë?! Po ministrat e kanë kokën e tyre drejtuese. Kanë Kryeministrin. Do të thoni që Kryeministri nuk është kokë cilësore për drejtimin e punëve?

Analisti: E kisha llafin që, vetë ministrat janë pa kokë. Ja ku po ta them. Së shpejti unë pres ndryshimin e shumë ministrave. Disa prej tyre, së shpejti, do i përkasin historisë. Nuk e bën kot mbledhjen Rama në muze.

Antena: Përse e përdorni shpesh shprehjen, "Ja ku po ta them!"?

Analisti: Është batutë filmi. Më ka mbetur ngaqë e kam parë shpesh filmin me Sali Protopapën, ndaj. Ika tani se kam një takim tepër miqësor me Kryebashkiakun...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: