“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ekskluzive: Asfalia greke tentoi të rrëmbejë Taulant Ballën!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ekskluzive: Asfalia greke tentoi të rrëmbejë Taulant Ballën!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Energjia elektrike në Himarë gjatë ditës së djeshme ka ikur vetëm pesë herë. Themi lajm i mirë, pasi ikja e dritave ka ndodhur për shkaqe objektive dhe jo sepse këtë herë dikush ka qëlluar me kallash, apo u ka vënë tritolin shtyllave të transmetimit. E meqë ra llafi te shtylla. Ne morëm vesh diçka që i ka ndodhur një prej shtyllave kryesore të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë sigurisht për shokun Taulant Balla.

Meqë s'ra llafi te Greqia, shprehim keqardhjen tonë për të gjithë ata njerëz që humbën jetën dhe ngushëllimet, për të afërmit e tyre që janë prekur nga ngjarjet e tmerrshme të zjarreve.

Ja bashkëllafosja që bëmë me burimin tonë informativ të stacionuar në zyrat e PS-së, që ne e quajmë Burim, për shkak se nuk duam ta nxjerrim emrin e vërtetë.

Antena: Përshëndetje, shoku Burim! Ç'ka ndodhur aty gjatë këtyre ditëve që të mëdhenjtë e partisë kanë qenë pushim?

Burimi: Po sjell një lajm të mirë për të gjitha pyjet tona. Kanë tentuar të rrëmbejnë Taulantin.

Antena: Kanë tentuar të rrëmbejnë Taulantin?! Po ky qenka lajmi thënë ekskluzivisht për mua. E kush është përpjekur ta kryejë këtë gjë?

Burimi: Shëno aty! Në tentativën për rrëmbimin e shokut Taulant, kanë dorë shërbimet sekrete të huaja. Specifikisht, ato greke.

Antena: Më falni shoku Burim, po si është e mundur kjo?! Ne jemi vende partnere në NATO...

Burimi: Jemi po, por mesa duket Asfalia greke ka vepruar pa u këshilluar me partnerët drejtues në Bruksel. Siç duket gjendja e rrënduar me zjarret në vendin e tyre, ua ka hequr gjykimin.

Antena: Përse donin ta rrëmbenin Taulantin?

Burimi: Pikërisht pra, për zjarret. Grekët e gjorë kanë marrë vesh nga burimet e tyre, ta thotë Burimi ty të sigurt, që shoku Lanti është ekspert në çështjet e pyjeve.

Antena: Nuk kanë ekspertë vetë grekët, që duan të na marrin Lantin tonë?!

Burimi: Mesa duket nuk kanë. Kriza e thellë ekonomike që i kapi para disa vitesh dhe nuk po i lë akoma, ka detyruar shumë ekspertë pyjesh që të marrin valixhet dhe sharrat dhe të emigrojnë në Kanada e në vendet nordike ku ka pyje.

Antena: A keni ndonjë të dhënë sesi u organizua përpjekja, apo siç i themi neve në gazetari, tentativa për rrëmbimin e Lantit?

Burimi: Iu afruan dy qytetarë. Njëri prej tyre ishte thatanik, i moshuar dhe tjetri i ri, i fuqishëm. I folën në emër: Lanti, ka mundësi një minutë! Taulanti u buzëqeshi me atë të tijën karakteristike e pastaj u largua duke u thënë se ishte i zënë me punë.

Antena:U buzëqeshi dhe u largua?! D.m.th. e ka nuhatur që donin ta rrëmbenin. Isha i bindur që do e kuptonte. Një tip inteligjent si...

Burimi: Jo, or jo! U largua, pasi u buzëqeshi, se kështu bënë përherë kur i flet dikush. Atë të moshuarin e kujtoi sikur ishte militant i partisë, që donte punë për të birin.

Antena: Ju kuptova! Po pastaj ç'ndodhi?

Burimi: Ata dy personat, nxituan të kapnin e të flisnin me Lantin. Mirëpo Shoku Taulant e pa që ata iu qepën dhe vrapoi me të katra. Lanti ec e ai plaku ec. Pas tij ecte edhe ai djali i ri. Më në fund, e arritën Lantin dhe i folëm greqisht: Hajde me ne të lutem, na bëj derman me pyjet tona në Greqi! -i thanë. - Nuk vij dhe pikë, u thoshte Lanti, merrni ndonjë tjetër. Ata grekët, panë ç'panë dhe u larguan.

Antena: - U larguan?! Po ju më thatë që ata grekët tentuan ta rrëmbenin. Si u larguan pa u përpjekur fare që ta merrnin Lantin tonë!

Burimi: A ti qenke aguridhe fare në këto punë. Po të thashë ashtu, me qëllimin që ta bëj lajmin më drithërues. Po nuk u bë i tillë, nuk të lexon njeri. Ja p.sh., një media nxori lajmin që çmimi i fluturimeve ajrore do të ulet. Klikova unë në lajm dhe lexova se shoku Edi Rama, po bën të pamundurën që t'i ulë, por akoma s'po ia del.

Antena: Ju kuptova sesi duhet ta shesim lajmin edhe si të shitemi dhe ne, shoku Burim!

Burimi: Mbaje vath në vesh ti dhe ata kolegët e tu të gazetës, që pas pushimeve në det, të merrni ndonjë reklamë nga qeveria, se po vazhduat të jeni të paanshëm, leshterikët e detit keni për të marrë!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: