Analizat dhe ekzaminimet, çfarë tregojnë për shëndetin  

Analizat dhe ekzaminimet, çfarë tregojnë për shëndetin  
Kryeja e analizave një herë në gjashtë muaj, është këshilla që japin mjekët e familjes për të gjithë pacientët, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të sëmurë kronikë. Por edhe për personat e shëndetshëm, kjo këshillë vlen, pasi kap herët sëmundjet e pazbuluara. Cilat janë vlerat që duhet të kemi në këto analiza dhe si lexohen ato?

Sonila Isaku

Që të mos pyetni se, çfarë kuptimi kanë shkurtesat e pakuptueshme afër numrave në letrën të cilën u jep laboranti, mjekët tregojnë se çfarë janë vlerat që lexoni në atë fletë dhe çfarë tregojnë ato, duke treguar kështu vlerat referente të pasqyrës së përgjithshme të gjakut dhe për formulën leukocitare (që tregon numrin e leukociteve - qeliza të rëndësishme të mbrojtjes së organizmit). Pasqyra e plotë e gjakut është analizë themelore laboratorike e gjakut, e cila bëhet për vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësore dhe për zbulimin e çrregullimeve të ndryshme, siç është anemia, infeksioni, sëmundjet virusale, gjendjen e ushqyerjes së organizmit dhe ekspozimin ndaj materieve toksike. Me këtë analizë të gjakut, krijohet një pasqyrë e numrit dhe kualitetit të eritrociteve, trombociteve dhe leukociteve. Mjekët laborantë tregojnë për rëndësinë e analizave të tyre, duke shpjeguar në mënyrë të detajuar se për çfarë shërbejnë. Ndërkohë që tregon se, rëndësia e bërjes së tyre bëhet e nevojshme pas moshës 40 vjeç e derisa njeriu të jetë vital.

Analizat

Gjak komplet - Analiza e gjakut përfaqëson një prej kontrolleve më të shpeshtë dhe më të kërkuara për një njeri. Kjo analizë duhet bërë së paku një herë në vit. Kushtëzohet të bëhet esëll (pa ngrënë) dhe më e mirë është të bëhet në mëngjes. Është analiza themelore laboratorike dhe bëhet për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të pacientit. Kjo analizë zbulon çrregullime të ndryshme, siç është anemia, infeksionet, sëmundjet virusale dhe materialet toksike. Gjithashtu krijon një pasqyrë të qartë për numrin dhe kualitetin e eritrociteve, trombociteve dhe leukociteve.

Eritrocitet (Er) - (rruazat e kuqe të gjakut), janë qelizat të cilat përmbajnë hemoglobinën dhe bartin oksigjenin dhe dioksidin e karbonit në organizëm. Numri i ulët i tyre flet për anemi, sëmundje të inflamacionit të zorrëve, tumore, talasemi etj. Nëse numri i eritrociteve është shumë i lartë, do të thotë që personi ka probleme me aneminë, veshkat, alkoolizimin, sëmundjet e zemrës, mëlçisë etj. Vlerat referente: Meshkuj: 4,5-6,3 x 10 në 12/l; Femra 4,2-5,4 x 10 në 12/l

Leukocitet (Le) - (rruazat e bardha), prodhohen në palcën kockore dhe kanë funksion mbrojtës ndaj infeksioneve, baktereve dhe viruseve në organizëm. Rritja e numrit të leukociteve flet për infeksione bakterore, sulme në zemër, artritin, leuçeminë etj. Zvogëlimi i numrit të leukociteve tregon për sëmundje virusale, anemi, shpretkën e rritur, alkoolizmin etj. Vlerat referente: 4-10 x 10 në 9/l

Trombocitet (Tr), janë lloji më i vogël i rruazave të gjakut. Ato janë të rëndësishme në koagulimin e gjakut. Kur vjen puna deri te gjakderdhja, trombocitet ndihmojnë në ndaljen e gjakderdhjes, duke bërë që gjaku të mpikset. Nëse ka shumë pak trombocite (trompocitopeni), gjakderdhja e pakontrolluar mund të jetë problem. Nëse ka shumë trombocide (trompocitoza) , ekziston mundësia e formimit të mpiksjes së enëve të gjakut. Numri i lartë i trombociteve flet për mungesë hekuri, ndërkohë që paralajmëron sëmundje, si kanceri dhe probleme me palcën e eshtrave. Numri i ulët i trombociteve, mund të shfaqet në shtatzëni ose te të sëmurët nga shpretka e rritur. Vlerat referente: 150-400 x 10 në 9/l.

Sedimentimi (SE) - Sedimentimi i eritrociteve nuk bën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasqyrën komplete të gjakut, por rekomandohet dhe kryesisht përcaktohet gjatë analizave hematologjike, sepse tregon për mundësinë e ekzistencës së ndonjë sëmundjeje dhe përcaktohet pothuajse te të gjitha sëmundjet. Kjo vlerë (sedimentimi), paraqet shpejtësinë me të cilën eritrocitet shtresohen në fundin e epruvetës së vendosur në mënyrë vertikale. Shpejtësi normale e SE përjashton mundësinë e ekzistencës së sëmundjes, ndërsa sedimetimi i shpejtuar është indikator për kërkime të mëtejshme. Vlerat referente: Meshkuj M (20-50 vjeç) 3-13 mm/h; (mbi 50 vjeç) 2-23 mm/h. Femra ( 20-50 vjeç) 4-24 mm/h, (mbi 50 vjeç) 5-28 mm/h.

Formula leukocitare gjegjësisht pasqyra diferenciale e gjakut, nënkupton numrin e grupeve të veçanta të leukociteve. Për një analizë të mirë laboratorike, është e domosdoshme të përcaktohet formula leukocitare, së bashku me pasqyrën e gjakut. Ekzistojnë tri grupe kryesore të leukociteve: granulocitet (neutrofilet, bazofilet dhe eozinofilet), monocitet dhe limfocitet. Neutrofilet së bashku me monocitet, paraqesin bazën e sistemit mbrojtës të organizmit. Vlerat referente: 40 – 75%. Rritja e numrit të neutrofileve (neutrofilia): infeksionet bakterore, traumat, djegiet, inflamacionet, infarkti. Janë sidomos të rritura te leuçemia dhe sëmundjet e përhapura malinje. Zvogëlimi i numrit të neutrofileve (neutropenia): infeksionet virusale, bruceloza, tuberkulozi, artriti reumatoid, çrregullimet e palcës kockore, mungesa e vitaminës B12.

Limfocitet prodhojnë antitrupa dhe bëjnë pjesë në mbrojtjen kundër viruseve. Rritja e numrit të limfociteve (limfocitoza): infeksionet virusale (virusi Epstein Barr, Citomegalovirusi, rubeola), toksoplazmoza, bruceloza. Zvogëlimi i numrit t limfociteve (limfopenia): te mjekimi me kortikosteroide, infiltrimi i palcës kockore, AIDS-i, gjatë radioterapisë dhe hemoterapisë. Vlerat referente: 20-45%

Eozinofilet marrin pjesë në mbrojtjen nga agjentët alergjikë dhe infeksionet parazitare. Rritja e numrit të eozinofileve (eozinofilia): astma, alergjitë, urtikaria, ekzemat, rrezatimi, gjatë rikuperimit nga infeksionet. Eozinofilia-mialgia është sindromë e cila karakterizohet me dhimbje në muskuj dhe nyje, rritje të temperaturës, ekzantemë në lëkurë, ënjtje të duarve dhe eozinofili. Vlerat referente: 2-4%.

Glicemia-Shikon nivelin e sheqerit në gjak. Nëse niveli i sheqerit na del i lartë, na bën të dyshojmë se ky person është diabetik. Nëse niveli i gjakut e kalon normën 110 dërgohet për të analizuar hemoglobinën e glukozuar. Hemoglobina e glukozuar shikon nivelin e sheqerit në gjak, për tre muajt e fundit.

Kolesteroli (VLDL)- Tregon format e yndyrave. Nëse ka yndyrë të rritur mbi normën 220m/dl, personi është duhanpirës dhe me diabet, ka rrezik për sëmundje kardiovaskulare. Gjithmonë rritja e yndyrnave në gjak na paralajmëron për probleme kardiovaskulare, të zemrës dhe enëve të gjakut.

Bilirubin direkt, bilirubin indirekte, bilirubin totale, SGOT, SGPT - të gjitha këto shikojnë mëlçinë e zezë që është laboratori i organizmit. Nëse na del një bilirubin e lartë direkte mbi 1.2, na bën të dyshojmë se ky person mund të ketë kaluar në heshtje ndonjë hepatit të formës B, (hepatit kronik). Kur shoqërohet edhe me rritje të transaminazave, na bën të dyshojmë se ky person mund të ketë kaluar verdhëzën dhe e çojmë te mjeku specialist, për ekzaminime të mëtejshme.

TSH - Është analiza e tiroideve. Kjo analizë bëhet për të përcaktuar hipertirozën ose nivelin hormonal të tiroides.

PSA - Është antigjeni antitumoral i prostatës. Rekomandohet të bëhet një herë në vit, pas moshës 50 vjeç. Nëse norma del poshtë 4 ng/mg, duhet thelluar në ekzaminime të mëtejshme, pasi të bën të dyshosh për gjëra jo të mira dhe duhet trajtuar me seriozitet.

Sideremia - Ky test bën matjen e hekurit në gjak. Nëse niveli i hekurit është poshtë normës i bashkëngjitet anemisë. Një nivel i tillë i ulur, mund të jetë për shkak të ndonjë gjakderdhjeje, diabetit, sëmundjeve ngjitëse, sëmundjeve kronike etj., ndërsa niveli i lartë mund të vijë për shkak të çrregullimeve gjenetike, transfuzionit të gjakut, leuçemisë etj. Norma e sedimentit eritrocitar është nga 5 - 20, nëse është mbi 20 flet për proces inflamator dhe i bashkëngjitet gjakut komplet.

Kreatinina, Uric acid dhe Azotemia janë tre parametrat që bëjnë matjen e punës së veshkës. Si punon kjo veshkë? A janë brenda normës azoti, kreati dhe acidi urik?

Ekzaminimet

EKG- Ky ekzaminim shërben për të diktuar çrregullimet e funksionit të zemrës. Veç kësaj, kjo analizë na vjen në ndihmë për të parë edhe se çfarë ka ndodhur me të para bërjes së kësaj EKG-je. Sëmundjet që zbulon, janë: Infarktet, ritmi i zemrës dhe sëmundjet ishemike.

Ekografi mame - Është ekzaminimi i gjirit dhe strukturave përreth. Bëhet për të përjashtuar mishin e huaj në gji. Është diagnostikuese shumë e mirë, po ashtu është edhe propabilaktike. Kryhet një herë në 6 muaj ose një herë në vit, te femrat e moshës mbi 30 vjeç.

Eko abdominal - Është ekzaminimi që bëhet me anë të ultratingujve dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e brendshme të abdomenit (barkut) . Diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar, në fshikëzën e tëmthit, prania e kisteve në mëlçi ose veshka, dëmtimet e mëlçisë nga përdorimi i alkoolit ose nga hepatitet kronike etj. Të dhënat mjekësore që marrim nga eko abdominale, shpesh plotësohen edhe nga CT ose rezonanca magnetike, sipas vlerësimit të mjekut përgjegjës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: