AKSIDENTI/ Ngatërroi frenat me gazin, si humbi kontrollin shoferja që shkaktoi dy viktima

AKSIDENTI/ Ngatërroi frenat me gazin, si humbi kontrollin shoferja që shkaktoi dy viktima
Aksidenti i një dite më parë shkaktoi një tragjedi në familjen Ndreu, e cila humbi vajzën 7-vjeçare, ndërsa nëna dhe vajza tjetër u plagosën. Ndërsa ndërroi jetë edhe 29-vjeçari Ramazan Isha, i cili po udhëtonte me biçikletë.

Por në gjendje jo të lehtë ndodhet edhe drejtuesja e mjetit që shkaktoi aksidentin fatal në në rrugën e Kamzës, tek shinat e trenit.

Policia tha se Rozina Koleci, 38-vjeç, është në gjendje arresti në flagrancë dhe do të dalë përpara gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Duket se tragjedinë e ka shkaktuar një gabim njerëzor i shoferes.

Ajo ka dëshmuar përpara grupit hetimor se “ka ngatërruar frenat me gazin” dhe më pas situata i ka dalë nga kontrolli.

Nga veprimet e para të grupit hetimor është konstatuar se Rozina Koleci nuk kishte konsumuar alkool dhe nuk po ecte me shpejtësi.

Viktima e parë, që po ecte me biçikletë, ndodhej në korsinë ku po ecte automjeti, ndërsa nëna me dy vajzat ndodheshin në bordurën trafikndarëse, për të kaluar në anën tjetër të rrugës.

Mendohet se drejtuesja e mjetit është përplasur fillimisht me një furgon të bardhë, pastaj ka goditur 29-vjeçarin me biçikletë dhe së fundi nënën me dy vajzat.

Ndërsa njëra nga vajzat ka ndërruar jetë, tjetra i është nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Mjekët janë sërish të rezervuar për gjendjen e saj shëndetësore, ndërsa nëna, Valbona Ndreu, ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: