ZJARRI DHE PERVERSËT – OPINION NGA FRROK ÇUPI

ZJARRI DHE PERVERSËT – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Sa e varfër do të ishte bota, sikur të mos binin zjarret e rënda deri në dhimbje, këtu afër në Greqi?!...

Zjarri, më shumë se plugu, nxjerr mbi tokë “të fshehtat” e tokës së zezë. Tani, ja ku i kemi përpara. Nëse gabojmë tani e tutje për të njëjtat specie dhe dukuri, atëherë fajin nuk na e ka më zjarri. Tani plugu është bashkuar me internetin dhe prandaj i zbulon më thellë të fshehtat e këqija...

I kam parë, si kurrë ndonjëherë më parë, me sytë e mi, se si qenie në formë njeriu kanë renditur shkronja deri në fjalë brohoritëse, pse “po shkrumbohen grekët” e poshtër. Në ekstazë i kam parë këta njerëz që kanë fotografi njeriu në llogaritë e tyre të mediave sociale. I kam lexuar me sy, se si kanë shprehur lumturi që “u dogjën grekët”. Nuk janë pak këta që lusin zotin të digjen grekët; edhe sikur një i vetëm të ishte - nuk është pak; por realisht janë shumë, të mos gënjejmë veten. Disa i kam njohur e kjo më ka turbulluar më shumë. Kam njohur politikanë që shkojnë në Parlament dhe na bezdisin me parulla për njeriun dhe vdesin për Europën; kam parë disa që kur kanë marrë një vizë për në Greqi, festuan një javë; kam parë njërin prej tyre që në vitin ’97, qante e lutej në kufi: “Aman, ma dërgoni vëllanë në Greqi, se ma kanë shkatërruar plumbat!”... Kam parë edhe gazetarë të rritur në fshatrat e Veriut dhe urryes për fqinjin e Jugut.

Nuk kam dashur t’i shikoj, por interneti plus plugu ua nxjerrin të keqen në sy të të gjithë botës... Ashtu siç nuk desha t’i komentoj, nuk desha me qëllim që të ruaj veten nga ndotja e tyre.

Por prej kësaj “race” duhet të ruhemi, siç ruhemi prej të keqes. Njerëz me urrejtje dhe neveri në shpirt, mbarojnë punë me zjarret e Greqisë... Ja, kaq ishte me Greqinë: E ndjekin me sy nënën greke që qan për dy fëmijët e djegur dhe qeshin me gëzim. I ndjekin të 26 të përqafuarit e shkrumbuar dhe tregojnë me gisht një qen të djegur në oborr të tavernës. I ndjekin viktimat greke me qesëndi, skërmiten se “edhe grekëve u erdhi radha të digjen”... Dhe pastaj?!...

Pastaj, kush e ka radhën?...

Pastaj e ka radhën fqinji në pallat ose në ograje..., pastaj mund të jesh ti fqinji i tyre..., pastaj mund të jemi shumica të rrethuar prej tyre. Këta që urrejnë “grekët”, urrejnë jo vetëm si grekë, por si njerëz. Mos dhëntë zoti të na bjerë zjarr në shtëpi ose të mos na shpërthejë bombola e gatimit!... Atëherë, ti do të ishe “greku” dhe këta do të gëzoheshin si sot, për zjarrin e Greqisë...

Gjithë jetën ka pasur dhe ka perversë, por kur i zbulon “zjarri”, na kallin datën!

Kur i zbuloi Frojdi, ne i thamë doktorit se “puna jote nuk ka punë me ne”. Por Zigmund Frojdi zbuloi se urrejtja nuk ka emër, as “grek”, as “amerikan”. Frojdi zbuloi se urrejtja është një gjendje egoje që shpërthen në dëshirën për të shkatërruar burimin e palumturisë së atij që mban urrejtjen. Këtë herë, njerëz të palumtur pikasën Greqinë, si burim të palumturisë, nesër zbulojnë Amerikën nëse Amerika bëhet fqinje; por pas shteteve zbulojnë viktimat e tyre njerëzore. Këta i venë flakën shtëpisë së fqinjit, pasi e kanë parë që fqinji vjen i kënaqur në shtëpinë e tij. Për ta “nuk ka fqinj të mirë”, një psikozë e shtresës më të ulët njerëzore.

Këta janë njerëz që mbajnë në kokë “piktura të fshehta”. Ka ndodhur një herë në jetë, që ata kanë takuar një objekt “të frikshëm”, dhe truri ua ka fotografuar. Truri i njerëzve të dobët fotografon edhe babanë që e ka rrahur një herë, ose edhe shtetet fqinjë. Regjimi i diktaturës komuniste krijoi për fqinjët (si edhe për Ballin Kombëtar), portretin e urryer. Këta i kanë fotografuar në tru “monarko- fashistët grek” dhe kjo pamje iu del përpara, sa herë i zë “histeria e kujtimeve”. Nuk ka problem nëse këta njerëz kanë gëzuar të mira në lidhje me Greqinë pas komunizmit, gjurma kujtesore e idesë së zhvendosur, nuk tretet kurrë. Këta mund të kenë fotografuar duke hyrë në një festë “gala”dhe të të urrejnë për vdekje... Nuk mund t’i nënvleftësojmë, sidomos pas kësaj që e zbuluan veten me zjarrin në Greqi; këta formojnë një grup të caktuar psikik dhe bëhen të rrezikshëm.

Por unë nuk po shikoj mes nesh “mençurinë legale” në këtë fushë urrejtjeje. Mençuria legale është një sistem i madh ligjor, që njeriu e ka krijuar për të ruajtur njeriun, edhe nga njeriu pervers. Deri më sot, Prokuroria duhej të kishte thërritur nën akuzë “për krimin e urrejtjes” të gjithë këta që u gëzuan dhe shkruan me emfazë lumturie: “Të digjen grekët!” Urrejtja është baza e krimeve më të rënda kundër njeriut dhe kundër njerëzimit. Atëherë, ku është ligji dhe drejtësia?

Pas kësaj që ndodhi, ne na vjen detyrimi të mësojmë ku jetojmë, cilët kemi rreth e rrotull: Janë njerëz që mbajnë urrejtje për shkak të grupit etnik a social; për shkak të racës, të seksit, të moshës, të kombit, të ideologjisë, të paaftësisë, të orientimit seksual, të çrregullimeve mendore!?...

Le ta harrojmë “Greqinë” për një moment. Ne jemi të rrezikuar prej species, jashtë Greqisë. Po gabuam pas kësaj, atëherë fajin nuk na e ka zjarri.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: