Zjarr “ferri” në Greqi, shqiptarët rrëfejnë tmerrin

Zjarr “ferri” në Greqi, shqiptarët rrëfejnë tmerrin
Flakët dolën jashtë kontrollit në Athinë duke u marrë jetën të paktën 76 personave, mes tyre identifikohet edhe një shqiptare. Shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur, në përpjekje të dëshpëruara për t'i shpëtuar zjarreve, duke u hedhur në det. Rreth 200 të plagosur, në spital dhe disa shqiptarë. Rrëfimet për tmerrin e parë me sy dhe përjetimi i dhimbshëm i tragjedisë që ka përfshirë kryeqytetin helen. Apeli i fortë dhe për qytetarët tanë, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Shkëlqim Goxhaj: Pse dhe Shqipëria rrezikohet nga zjarret e mëdha

Një katastrofë e dhimbshme mund të cilësohet ajo që ka përfshirë 24 orët e fundit Greqinë, ku të paktën 15 vatra zjarri në rajonin e Atikës në kryeqytetin helen shkaktuan dhjetëra të vdekur e të lënduar, si dhe dëme të konsiderueshme materiale. Deri në orët e vona të mbrëmjes, autoritetet vendase raportuan për 76 viktima, rreth 200 të lënduar, 23 prej të cilëve fëmijë. Gjithashtu mbi njëmijë shtëpi dhe biznese të zhuritura nga flakët e përpos tyre plot automjete.

Katastrofa, nga zjarri në det

Situata paraqitet mjaft e rënduar. Raportimet nga terreni tregojnë njerëz që hidheshin në det për të shpëtuar nga flakët, por mjaft prej tyre u mbytën.

Grupet e shpëtimit u shpërndanë në terren për t’u ardhur në ndihmë personave të përfshirë nga tragjedia. Një operacion i madh ky, për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve, që u shoqërua edhe me situata nga më të vështirat, deri shpëtimin nga flakët të fëmijëve motakë.

Ndërsa zjarret shkatërruese përfshinin dy pyje në afërsi të Athinës, temperaturat atje arritën në 40 gradë Celsius.

Autoritetet greke shpallën gjendjen e emergjencës dhe kërkuan ndihmën e Bashkimit Europian.

Qytetarët e kërcënuar nga rreziku i flakëve, kanë bërë përpjekje të dëshpëruara mbijetese. Shumë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa po punohet për gjetjen e tyre.

Qeveria shpall zi kombëtare

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras në një mesazh televiziv të drejtpërdrejtë për popullin grek, komunikoi dje vendimin për shpalljen e tri ditëve zi kombëtare. Ai tha se askush nga të prekurit nuk do të mbetet pa ndihmën e shtetit:

"Është koha të luftojmë që të shpëtojmë çfarë mund të shpëtohet. Po luftojmë që të gjejmë të zhdukurit dhe të mos humben të tjera jetë njerëzish. Askush nga të prekurit, nuk do të harrohet dhe nuk do të mbetet pa ndihmën e shtetit", tha z.Tsipras.

Shqiptarët rrëfejnë tmerrin

“Përveç rastit të qytetares 63-vjeçare nga Berati në spitalin ‘Evangelismos’, janë dhe dy fëmijë nga e njëjta familje, të moshës 10 dhe 13 vjeç nga Fieri, të shtruar në spitalin pediatrik ‘Agia Sofia’, në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Duke shtuar se nuk ka pasur sinjalizime për viktima shqiptare prej kësaj tragjedie në kryeqytetin grek.

Raportime të shumta vijnë nga Atika se mes njerëzve të përfshirë nga katastrofa  janë edhe disa emigrantë shqiptarë. Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, Diana Hodbari, tha mbrëmë se zyrtarisht ka informacion për një shtetase shqiptare të lënduar, jashtë rrezikut për jetën. Ajo shtoi se nuk ka të dhëna për të vdekur. Por autoritetet greke pohojnë se aktualisht e kanë të pamundur të identifikojnë gjithë viktimat e zjarreve dhe mbytjes në det në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve. Në një komunikim mbrëmë vonë, ambasada jonë në Greqi pohoi se edhe tre shqiptarë janë plagosur nga zjarret. Në spitalin shtetëror të Athinës ndodhen mes shqiptarëve të plagosur, edhe dy fëmijë, 10 e 13 vjeç.

Përparim Vucaj, emigrant prej mëse 15 vitesh në Athinë, tregon se zjarri nisi papritur dhe u përhap shumë shpejt.

“Mësuam në lajme që ka rënë zjarr disa kilometra larg, kur vetëm pas pak minutash, mori flakë edhe këtu pranë. Nxituam menjëherë për t’u larguar”, rrëfen Përparimi.

Episodi më i tmerrshëm që kur zjarret u përhapën me shpejtësi, është ai i regjistruar në Mati të Atikës, ku vullnetarët e Kryqit të Kuq gjetën 26 trupa njerëzish, shumë prej të cilëve nëna me fëmijë, të përqafuar me njëri-tjetrin.

Jo të paktë janë edhe ata që janë mbytur, duke u hedhur në det për t’i shpëtuar flakëve, siç ndodhi në zonën e Artemidhës. Qindra vetë janë evakuuar me varka dhe helikopterë, ndërsa spitalet janë në gjendje emergjence.

 

HETIMET

Dyshimi: Zjarret u vunë në mënyrë të qëllimshme?

“Këto zjarre nuk janë aq të pafajshme”. Një deklaratë e tillë u bë dje nga ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas. Ndërsa Gjykata e Lartë e Greqisë urdhëroi nisjen e një hetimi mbi shkaqet e zjarreve të rëna në rajonin e Atikës, teksa dyshohet paraprakisht për zjarrvënës, që kishin si qëllim grabitjen e banesave. Teksa mediat raportojnë se zyrtarët grekë u kanë kërkuar autoriteteve amerikane, që të ndihmojnë me dronë për të vëzhguar dhe pikasur ndonjë aktivitet të dyshimtë që mund të ketë lidhje me këtë tragjedi.

 

REAGIMET

Politika shqiptare: Solidaritet me popullin grek!

Tragjedia e zjarreve në Greqi ka bërë që përfaqësues të njohur të politikës shqiptare të shprehin solidaritet me popullin grek, sikundër edhe gatishmërinë për ndihmë ndaj tij. Kështu, nga ana e tij, Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër homologut grek të cilit i shpreh ngushëllimet. “Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë", ka pohuar ai. Kurse kryediplomati Ditmir Bushati në mesazhin e tij u uron shërim të shpejtë të prekurve nga kjo tragjedi. "Në këtë moment të vështirë ne jemi pranë fqinjit tonë, Greqisë dhe shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave”, ka shkruar ai. Ndërsa kreu i opozitës, Lulëzim Basha ka shkruar se lutet që drama të ndalet këtu dhe të mos ketë më viktima. Ndërsa nuk ka munduar as reagimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, i cili gjithashtu i ka shkruar homologut të tij grek Kaminis duke u vënë në gatishmëri për çdo ndihmë. "Tirana solidarizohet me miqtë tanë në Atikë/Athinë, qe po luftojnë me ferrin e vërtetë të zjarreve!”, shkruan ai. "Kurajë popullit mik dhe fqinj grek. Urojmë ta kaloni sa më shpejt këtë situatë të rëndë. Të gjithë shqiptarët pranë popullit grek në këto çaste të rënda. Dhimbje, solidaritet dhe dashuri për familjet greke", shkruan ndër të tjera edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër homologut të tij grek.

 

Apeli i fortë dhe për qytetarët tanë, flet drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj

“Pse dhe Shqipëria rrezikohet nga zjarret e mëdha”

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Shkëlqim Goxhaj ka bërë një apel për të gjithë qytetarët shqiptarë, që në asnjë lloj mënyre të mos provojnë të djegin mbeturinat apo tokat bujqësore, pasi rreziku për një tragjedi si ajo që po ndodh në Greqi, do të jetë shumë i lartë.

Duke folur në Tv Ora News, z.Goxhaj tha se një zjarr i përmasave të mëdha, mund të jetë shumë herë më i rrezikshëm për jetët e njerëzve sesa 500 zjarre të vogla.

Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës shtoi se në Shqipëri rrallë herë ndodh që zjarri të shkaktohet nga i nxehti. Ai evidentoi se në të shumtën e rasteve zjarret krijohen nga dora e njeriut.

Ai apeloi që sidomos gjatë kësaj stine të nxehtë, shqiptarët të mos përdorin zjarrin për të shkatërruar apo djegur.

“Nuk mund të themi se kjo verë ka kaluar dhe ne kemi kaluar situatën e vështirë, sepse papritur një zjarr me përmasa të mëdha mund të shkaktojë dëme që nuk i shkaktojnë as 500 zjarre të përmasave më të vogla. Zjarri është i paparashikueshëm dhe nuk e dimë si do të ballafaqohemi. Kryesorja është që ne të jemi të përgatitur, jo vetëm punonjësit e shërbimit zjarrfikës, por edhe institucionet e tjera përkatëse që mbulojnë këto situata emergjente. Ne besojmë fort në parandalimin e këtyre ngjarjeve. Dihet se rrallë mund të ndodhë që zjarri të vijë nga temperaturat, ai vjen më së shumti nga pakujdesia, nga dora e njeriut. Ndaj i bëjmë thirrje qytetarëve që sidomos në periudhën korrik, gusht, shtator mos përdorin zjarrin për të eliminuar mbeturina apo për të hapur toka të reja”, tha Goxhaj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: