“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet takimi i shokut Veliaj me aktorët: Përfitoni shtëpi nga të pastrehët...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet takimi i shokut Veliaj me aktorët: Përfitoni shtëpi nga të pastrehët...!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Qeveria ka përgatitur një ligj të veçantë për Teatrin. Themi lajm i mirë, pasi tani prishja e godinës do bëhet me ligj dh kjo tregon se jemi një shtet ligjor. E meqë ra llafi te aktorët. Ne kemi mundur të kapim bisedën e fshehtë të bërë midis shokut Erion Veliaj dhe disa aktorëve. Jo atyre që dolën në foto, pasi disa gjëra, shoku Erion nuk është nga ata që i bën hapur. 

Ja bashkëllafosja e bërë me ta:

Erion Veliaj: Po, po shef Edi, si urdhëron. Këtu i kam, në zyrë. Sigurisht, sigurisht, mos e ki merak fare atë punë, mo burrë. Do vij të të raportoj. Mirupafshim!

Kisha kryeministrin në telefon. Ju bën të fala. Ku e lamë?

Aktorët: Dhe ku na mbeti. Vaj vatani dhe mjerë mileti.

Erion Veliaj: E ç'jeni ju aktorët. Shpirtra të lirë jeni. Mos dëgjofshi një fjali, se filloni recitoni. Jeni të mëdhenj! Ju kam zili. Ai shpirti juaj aq i dlirë.  E kisha llafin, ku e lamë bisedën neve këtu, jo ku e la Noli.

Aktori A. Te shtëpia. Jam pa shtëpi, shoku Erion. Dhe te nusja që e kam në punë në administratë, por mirë do qe ta rrisnit në detyrë, shoku Erion.

Erion Veliaj: Ah, po! Shtëpinë e merr që tani. Nusen, po ashtu...

Aktori A. Nusen kam vite që e kam marrë.

Erion Veliaj: E kisha llafin, punën e nuses e ke të zgjidhur.

Aktori B. Po unë, shoku Erion. Kam dëshirë që të marrë vëllai një shtëpi, nga fondi i të pastrehëve. Si i bëhet? Ka qenin që fle në një dhomë me të dhe me gruan e tij. Mirëpo ai qen bir qeni, i afrohet gruas së vëllait, e kam frike mos... Ndaj do zgjerim. A mundet që t'i jepni një apartament, dy dhoma dhe një kuzhinë nga shtëpitë që shpërndan Bashkia juaj, apo po? Do t'ua di shumë për nder, shoku Erion!

Erion Veliaj: U bë! Ta gëzojë! Banjo a do?

Aktori B: Po sigurisht shoku Erion, se ku do i kryejnë nevojat personale vëllai me të shoqen?!

Erion Veliaj: E kisha llafin, a do banjo për qenin?

Aktori B: Je fantastik shoku Erion! I meriton kronikat televizive që jep media edhe kur nuk je në fare në Tiranë. Njësh je, për Zotin!

Erion Veliaj: Ti C-ja, ç'hall ke? Fol hapur! Këtu jemi për çështjen e Teatrit dhe artisti para se të bëjë art, duhet të ketë një jetë pa andrralla. Ç' kërkon?

Aktori C. Kom në dorë veprën “Romeo dhe Zhuljeta”, shoku Erion. Do desha që provat t'i bojsha sa më afër realitetit. D.m.th. Zhuljeta të dalë në ballkon

Erion Veliaj: Po shumë mirë! Ke nevojë për Zhuljetë. Ta gjej unë. Kam plot vajza që kanë mbaru Artet dhe punojnë këtu në Bashki. Nëse nuk të pëlqejnë ato, i them Maznikut, të vishet si femër dhe të luj rolin e Zhuljetës. Hë, ç'variant do?

Aktori C. S'e kom hallin ke Zhuljeta, shoku Erion. Jo se nuk kom besim ke Mazniku, që mund të boj pa problem rolin e Zhuljetës. Kam problem që shtëpin teme ku du me bo provat, e kom vetëm një-katshe dhe pa ballkon. S'kam ku me lënë Zhuljetën...

Erion Veliaj: Po lene në krevat, mer plak! Boj shaka, për me shtensionu situatën. Ke shtëpi një-katshe?! E turpshme, për kët' kohë! Unë vetë që s'jom aktor, në skenë, po ma bon mami shtëpinë me dy kate. Shumë e ...

Aktori C. Me më dhon ndonjë kredi të butë, për me hudh ene dy, a tre kate të tjera. Kuptohet, për të mirën e artit. Du që Zhuljetën ta vendos sa më nolt, te ballkoni i katit të funit të shtëpis'. Do ja u di shumë për n(d)er, shoku Erion.

Erion Veliaj: Ça thu mer plak! I ka vdek mami atij muhabeti. Shko që tani merr lekë nga fondi i emergjencave në Bashki. Thuj më ka thon Erioni, që mo o përmbyt shtëpia. Maroj kjo pun'! Ta zgidh lali hallin ty, mos u merakos!

Ti D-ja, ç'dëshiron? Hape gojën, kërko ç'të duash?

Aktori A. D-ja ka 20 vjet që s'e ka hap gojën në skenë, e jo ta hapë këtu, shoku Erion. E kemi marrë kot, për të plotësuar numrin. Është figuranti ynë në çdo shfaqje. Atë punë bën vetëm.

Aktori D. Figurant je vetë ti, që del në skenë merr lekët kot. Unë dua një pension shtesë, se po më afrohet mosha e pensionit.

Erion Veliaj: Ta zgjidh vëllai jot ty, e lërini xhelozitë artistike. Hallet tuaja do zgjidhen që sot. Ti aty, ke ndonjë hall? Harrova, ti je kameramani. Atëherë! Me godinën e Teatrit ç'do bëjmë?

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: