VETINGU/ Ngel Cama, kalon Behluri, radhën e ka “i fundmi” i Kushtetueses

VETINGU/ Ngel Cama, kalon Behluri, radhën e ka “i fundmi” i Kushtetueses
Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Behluri, e kaloi testin e Vetingut dhe u konfirmua në detyrë.

Vendimi u shpall sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që e konsideroi të pastër prokurorin.

Po sot, KPK ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama.

Ky i fundit ishte edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Cama ka “ngelur” në të tre kriteret e vlerësimit: pasuria, integriteti dhe aspekti profesional.

Sipas KPK, është konstatuar se prokurori Cama ka burime të pamjaftueshme të pasurisë, ka dyshime për përfshirje në korrupsion, kontakte të papërshtatshme dhe vendimmarrje të diskutueshme.

Dyshimet për korrupsion janë ngritur në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

“Së bashku me një prokuror tjetër, subjekti ka kërkuar dhe ka marrë mitë nga familjari i një personi të ndaluar për kontrabandë,” tha relatorja e çështjes, Pamela Qirko.

Cama kërkoi që personi që e kishte denoncuar për korrupsion të dëshmonte para KPK-së, por kjo kërkesë u rrëzua.

Radhën për të dalë përpara Komisionit të Pavarur  të Kualifikimit e ka anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari.

Ai është në këtë detyrë të lartë që nga viti 2013.

Institucionet e Vetingut e kanë rrudhur ndjeshëm përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht është jashtë funksionit pasi nuk ka më numrin e anëtarëve për të marrë vendime. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: