Ushqime më të sigurta, bizneset detyrohen t’u vënë etiketa me informacione të plota

Ushqime më të sigurta, bizneset detyrohen t’u vënë etiketa me informacione të plota
Prodhimet ushqimore që tregtohen në Shqipëri duhet të pajisen tani e tutje me etiketa që përmbajnë informacion të plotë rreth tyre. Ky detyrim qëndron në thelb të një vendimi të posaçëm të qeverisë, i zyrtarizuar tashmë, përmes të clit synohet një nivel i lartë i mbrojtjes së konsumatorit.

I mbërritur në një kohë kur debatet për sigurinë ushqimore si të tillë po bëhen gjithmonë e më të ashpra në Shqipëri, ai plotëson ligjin ekzistues për ushqimin të një dekade më parë, me klauzola të posaçme që i detyrojnë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, me dhënien e informacionit mbi ushqimin që ata prodhojnë për konsumatorët.

E veçanta është se këtu nuk përfshihen vetëm të gjitha ushqimet e destinuara për konsumatorin e fundit, por edhe ata që ofrohen për shërbimin cattering. Për të gjitha këto, duhet që tani e tutje etiketa të përmbajë informacionin e detyrueshëm, i cili përmban të dhëna mbi identitetin dhe përbërjen e prodhimit ushqimor, veçori dhe karakteristika të tjera të tij, si edhe informacion për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Mes të tjerash, duhet që të jepen edhe veçoritë, që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e një grupi të caktuar konsumatorësh. Madje edhe kërkesat e veçanta dietike, në mënyrë që qytetari të dijë se çfarë po konsumon, për të mos u dëmtuar.

Sikundër, një detyrim tjetër, është ai që biznesi nuk duhet t’i japë në asnjë mënyrë prodhimit ushqimor efekte, ose veti të cilat nuk i ka.

“Informacioni ushqimor duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i lehtë për t’u kuptuar nga konsumatori. Në rastin e produkteve ushqimore të importuara, përgjegjës për dhënien e informacionit është importuesi i tij”, cilëson më tej ky vendim.

 

Cilat vlera ushqyese duhet të deklarohen për një prodhim ushqimor në etiketën e tij? Sipas këtij vendimi, brenda saj do të përfshihen patjetër: vlera e energjisë që ai përmban; b) Sasia e yndyrave, atyre të ngopura, karbohidrateve, sheqernave, proteinave dhe kripës. Si edhe fortësia alkoolike, nëse ka përbërje alkooli brenda tij

 

Cilat janë të dhënat e detyrueshme që duhet të jepen për prodhimet ushqimore?

Të dhënat e detyrueshme që duhet të jepen për prodhimet ushqimore nisin së pari që nga emri i tij, duke vijuar me  listën e përbërësve. Pasuar kjo patjetër edhe nga ata përbërës që shkaktojnë alergji ose intoleranca, për kategori të ndryshme. Por edhe sasia e përbërësve, pasuar edhe nga data e jetëgjatësisë së ushqimit. Patjetër edhe kushtet e veçanta të ruajtjes apo përdorimit. Shoqëruar edhe me emrin dhe adresën e operatorit të biznesit ushqimor që e ka prodhuar atë. Si edhe me shtetin e origjinës, ose vendin e prejardhjes, apo edhe udhëzimet e përdorimit.

Në vendimin e ri nuk është harruar as pjesa kur prodhimi mund të përmbajë alkool, ku kërkohet të raportohet fortësia aktuale e tij për vëllim. Sikundër as edhe deklarata e vlerave ushqyese. Veçori këto që në raste të caktuara mund të shprehen edhe me simbole dhe jo vetëm me fjalë.

Ndërkaq, lista e përbërësve nuk është e detyrueshme për frutat dhe perimet e freskëta, përfshirë edhe patatet. Por as edhe për ujin e gazuar, djathin, gjalpin, qumështin dhe kremin e fermentuar, kur nuk u është shtuar  asnjë përbërës tjetër përveç produkteve laktike, enzimave apo kulturave të mikroorganizmave, të domosdoshme për prodhim.

 

Gjuha e etiketës të jetë ajo shqipe, edhe për ushqimet e importuara

“Informacioni ushqimor i detyrueshëm shfaqet në një gjuhë lehtësisht të kuptueshme nga konsumatorët, ku tregtohet prodhimi ushqimor”. Ky është një tjetër nen i posaçëm i këtij vendimi, i cili parashikon në praktikë që etiketimet e ushqimeve të jenë në gjuhën e vendasve.

“Kurse për produktet ushqimore të importuara, deklarimi i të dhënave të informacionit ushqimor duhet të jepet në gjuhën shqipe, në etiketën origjinale ose në kundër-etiketë”, cilëson mes të tjerash ai për prodhimet që vijnë nga jashtë.

Duke shtuar në këtë kuadër se është i domosdoshëm patjetër raportimi në etiketim edhe i shtetit të origjinës ose vendi i prejardhjes së prodhimit ushqimor si i tillë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: