Universiteti i Tiranës, shpallen kuotat dhe tarifat e studimit

Universiteti i Tiranës, shpallen kuotat dhe tarifat e studimit
Ekonomiku dhe Juridiku degët me më shumë kuota, ndërkohë që degët e Shkencave Sociale kanë tarifat më të larta të regjistrimit. Universiteti i Tiranës do të hapë dyert për 5545 studentë të rinj, që do të përzgjidhen në një nga degët e studimit për vitin akademik 2018-2019, ndërkohë që tarifat e studimit variojnë nga 25-40 mijë lekë

Sonila Isaku

Universiteti i Tiranës do të hapë dyert për 5545 studentë të rinj, që do të përzgjidhen në një nga degët e studimit për vitin akademik 2018-2019. Kuotat e pranimit në UT, janë pothuajse njësoj krahasuar me një vit më parë, me diferenca shumë të vogla. Kështu, në Bachelor ka rreth 86 kuota më pak se viti i kaluar, në master shkencor ka 27 më shumë dhe në master profesional rreth 52 kuota më shumë, krahasuar me 2017-2018-ën. Ndër degët më të kërkuara nga maturantët janë Informatika, Drejtësia, Ekonomiku, por pa lënë pas edhe programet e studimit te Fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Gjuhëve të Huaja.

Pranimet

Fakulteti i Drejtësisë mbetet ndër më të preferuarit për kandidatët e rinj për studentë, por për t’u regjistruar aty duhen plotësuar disa kushte, një prej të cilave është nota mesatare e gjimnazit, që vlerësohet me 50%. Një tjetër kusht është që, në 5 lëndë të profilit shoqëror ku përfshihen gjuha, letërsia, historia, qytetaria dhe gjuha e huaj, duhet që të paktën të kesh 10% të secilës nga pikët maksimale.

Sipas vendimit më të fundit të senatit akademik të Universiteti të Tiranës, pritet që në fakultetin e Drejtësisë të ketë 700 kuota; në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim-Biznesi ka 460 kuota, Ekonomiksi 110 të tilla, Financa ka 460, dhe Informatikë Ekonomike ka 250 kuota. Ndërkohë, 180 kuota do të kenë degët Histori, Gjeografi dhe Gjuhë-Letërsi; Gazetaria ka 120; Arkeologjia ka 100 kuota pranimi. Vijomë më tej me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku dega Biologji ka 100 kuota; Bioteknologjia po 100 të tilla; Matematika ka 100 kuota e po njësoj edhe Fizika. Po 100 studentë do të pranohen edhe në këto degë: Kimi, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Kimi Industriale dhe Mjedisore; Teknologji Informacioni si dhe Inxhinieri Matematikë dhe Informatikë. Ndërkohë, Informatika do të ketë në dispozicion 200 kuota. Në Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji ka në dispozicion 110 kuota; Punët Sociale, Sociologjia dhe Shkencat Politike, Administrim dhe Politikë Sociale do të kenë 100 studentë të rinj çdo program. Ndërsa filiali i UT në Sarandë, do të ketë 75 kuota për degën Administrim Biznesi dhe Gjuha Angleze 50 kuota.

Tarifat

Tarifat e studimit mbeten të pandryshuara në krahasim me ato të vitit të kaluar. Sa i takon tarifave të studimit, ato variojnë nga 25-40 mijë lekë. Tarifat më të shtrenjta të studimit janë ato të degëve të Shkencave Sociale dhe Drejtësisë me 40 mijë lekë. Ndërkohë që, degët e tjera të fakulteteve kanë tarifa nga 25 mijë siç është Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Fakulteti Ekonomik ka përcaktuar një tarifë prej 35 mijë lekë, kurse Filologjiku me 30 mijë lekë në vit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: