Universitetet me konkurs, zbardhen datat e testimit

Universitetet me konkurs, zbardhen datat e testimit
Përveç notës mesatare 6, një pjesë e kandidatëve që do të shkojnë në universitetet me konkurs, duhet të plotësojnë edhe pikët e përcaktuara nga senati i universitet. Konkurset në këto universitete kanë edhe peshën më të madhe të pranimit të studentëve të rinj

Sonila Isaku

Të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një nga programet e ciklit të parë bachelor, në një nga degët me karakter profesional ose në një nga programet e integruara master, duhet të zhvillojnë konkurset e pranimit në muajin gusht. Ministria e Arsimit me anë të udhëzimit nr. 22 datë 20. 06. 2018 theksohet se, në datën 10 gusht do të afishohen listat me emrat e aplikantëve në institucionet e arsimit të lartë që zhvillojnë konkurse.

“Në datën 10 gusht 2018, IAL-të që zhvillojnë konkurse/ testime pranimi, afishojnë në mjediset e tyre dhe në faqet zyrtare elektronike përkatëse, listat e aplikantëve. Në periudhën 11-27 gusht 2018 do të zhvillohen konkurset e pranimit”, – nënvizohet në udhëzim.

Ky i fundit ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është firmosur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Konkurset

Një pjesë e universiteteve me profil të veçantë, veç notës mesatare kërkojnë që konkurrentët t’i nënshtrohen konkurseve. Kështu, Universiteti i Sporteve në bazë të një vendimi që ka marrë gjatë ditëve të fundit, ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të pranojë studentët e tij. Sipas këtij vendimi, pranimi këtë vit do të jetë në raportin 40% e pikëve nga mesatarja e shkollës së mesme dhe 60% e pikëve nga testimi fizik që do të kryhet për aplikantët në datat e përcaktuara nga ky universitet. Ndërkohë që, kriter tjetër i rëndësishëm pranimi, ashtu sikurse edhe në universitetet e tjera, është mesatarja e notës, e cila nuk duhet të jetë më e vogël se 6. Po kështu, edhe Universiteti i Arteve e ka përcaktuar.

Sa i takon Universitetit të Arteve, pranimet do të bëhen mbi rezultatet e konkurseve që do të zhvillohen nga fakultetet. Vlerësimi për paraqitjen individuale të çdo kandidati, bëhet nga Komisioni i Pranimit.

“Çdo anëtar i jurisë ka të drejtë t'i drejtojë kandidatit që konkurron pyetje konkrete, të cilat i duken të arsyeshme, për një njohje sa më të mirë të tij. Mbas paraqitjes së kandidatit të fundit, në mbarim të gjithë seancave që parashikohen në kriteret e konkurrimit, Komisioni i Pranimit, nën drejtimin e Kryetarit, mblidhet për të vlerësuar një për një paraqitjen e secilit kandidat. Vlerësimi përmban debatin si formë kryesore dhe në fund vendosjen e pikëve për secilin kandidat. Secili anëtar vendos sasinë e pikëve përkrah emrit të kandidatit” - thuhet në rregulloren e Universitetit të Arteve. Në rastet kur kandidati nuk rezulton fitues në përzgjedhjen e parë dhe rezultojnë kuota të paplotësuara në përzgjedhjen e tij të dytë, Komisioni rishikon mundësinë e shpalljes fitues në këtë program studimi. Në disa prej degëve të këtij universiteti, konkursi zhvillohet në tri faza, duke marrë parasysh dosjen e kandidatit me punimet që ai ka paraqitur si në rastet e skulpturës etj., por edhe intervistën me gojë mbi njohuritë kulturore të tij.

Afatet

Deri më datën 13 gusht 2018, RASH-ja do t’i përcjellë QSHA-së listën e aplikantëve për çdo program studimi e pas datës 23 gusht 2018, IAL-të mund të shkarkojnë nga portali “U-Albania”, për çdo program studimi të ofruar nga ana e tyre, listën e aplikantëve që kanë përzgjedhur ato programe studimi, notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore, mesataren e të gjitha viteve të shkollës së mesme, mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore, mesataren e përgjithshme, indekset e profileve të shkollave të mesme. Më tej, të gjitha IAL-të, duke përfshirë edhe ato që zhvillojnë konkurse/testime, pas kryerjes së përllogaritjes së pikëve për çdo konkurrent, sipas kritereve të pranimit të përcaktuara nga IAL-ja me vendim senati, si dhe renditjes së tyre në varësi të pikëve të grumbulluara, do të afishojnë në mjediset publike, si dhe në faqen e saj zyrtare, listat e renditjes. Pas fituesit të fundit vendoset vija e kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin përkatës të studimit. Brenda datës 28 gusht 2018, të gjitha IAL-të, duke përfshirë edhe ato që zhvillojnë konkurse/testime, do të afishojnë dhe publikojnë listat e renditjes së aplikantëve, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre, në mënyrë që të respektohen përcaktimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale. Brenda datës 28 gusht 2018, IAL-të do të ngarkojnë një kopje elektronike të këtyre listave në portalin “U-Albania”. Gjithashtu, brenda datës 28 gusht 2018, IAL-të i përcjellin zyrtarisht një kopje elektronike të këtyre listave QSHA-së.

Aplikimi

Të gjithë maturantët që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë kushtet, mund të kryejnë aplikimin për programet e studimit që e bëjnë përzgjedhjen bazuar edhe në konkurs. Kështu, kandidatët duhet të jenë pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm, të plotësojnë kriterin e notës mesatare, të plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga IAL-të për programet e studimit për të cilat aplikojnë. Gjithashtu, ata nuk duhet të rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer. Pas pagesës së kuotës prej 2 mijë lekë, në periudhën 30 korrik-4 gusht 2018, maturantët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit do të aplikojnë në portalin U-Albania, nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notës mesatare dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga IAL-të. Ndërkohë, kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: