TURIZMI, KUR SHPËTIMI TË VJEN ANDEJ NGA NUK E KËRKON – OPINION NGA ALFRED PEZA

TURIZMI, KUR SHPËTIMI TË VJEN ANDEJ NGA NUK E KËRKON – OPINION NGA ALFRED PEZA

Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Atëherë kur u duk se Shqipëria po e humbte përfundimisht shpresën, se mund të bëhej një ditë një destinacion i lakmuar për të huajt, ndodhi diçka aq e papritur, sa gati gjithkush u zu i papërgatitur. Gjysma e parë e 2018-s, i ka dhënë të gjitha shenjat dhe duket se i ka plotësuar deri tani parametrat, për të qenë jo vetëm viti i një bumi të paparë në turizëm, por edhe koha për të reflektuar njëherë e përgjithmonë mbi të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare. Për të përcaktuar kolonën kryesore të saj, mbi të cilën do të ngrihet në të ardhmen, zhvillimi strategjik e afatgjatë i saj.

Ekonomia shqiptare përtej ëndrrave dhe eksperimenteve, duket e sigurt se, pas kësaj vere, do të mbështetet njëherë e përgjithmonë tek industria e turizmit, e cila do të jetë edhe motori kryesor i zhvillimit social ekonomik, infrastrukturor, arsimor e kulturor i vendit. Një motor që do t’i japë jetë e do të shtyjë me shpejtësi gjithnjë e më të madhe përpara, të gjitha degët, sektorët dhe hallkat e tjera të ekonomisë së vendit.

Çfarë ka ndodhur?

"Business Insider Italia" shkruan se, destinacioni kryesor për italianët këtë verë, mund të jetë thjeshtë një hap larg shtëpisë së tyre. Shqipëria konsiderohet e tillë referuar shifrave të rritjes së shpejtë ekonomike gjatë viteve të fundit, sipas të dhënave të Institutit për Studime Strategjike dhe Prognozës (ISSP), e cila thotë se më 2016-n, ekonomia shqiptare u rrit me +3.7%; më 2017-n + 3.8%. Ndërkohë që, shifrat e tremujorit të parë të këtij viti, janë akoma edhe më optimiste. Sipas INSTAT-it, kjo shifër u ngjit në lartësinë e 4.45%, duke paralajmëruar trendin e rritjes më pozitive të viteve të fundit.

Industria e Turizmit po jep kontributin e saj për arritjen e kësaj performance, sepse vetëm nga janari e deri në fund të marsit të këtij viti, Shqipërinë e panë 232 mijë turistë të huaj - një shifër kjo 35% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndoshta është kjo arsyeja se, përse në një artikull të saj, francezja "Journal de Dimanche" e klasifikoi Shqipërinë si një ndër 10 destinacionet kryesore, edhe për turistët francezë këtë vit. Madje, ajo shkon edhe më larg, kur "guxoi" ta konsideronte vendin tonë, si "rivalin e ri të Kroacisë" në turizëm.

Ky vlerësim i jashtëzakonshëm që vjen nga një vend si Franca, na ekspozon si një destinacion po aq të denjë, sa edhe një prej industrive më solide të turizmit, në pellgun e Adriatikut dhe Mesdheut. Krahasime këto që nuk kanë munguar as nga mediat gjermane dhe britanike, pa llogaritur këtu deri edhe televizionet e njohura ndërkombëtarisht si CNN-i ose BBC-ja, gazeta "The New York Times", etj., e deri te prestigjiozja tjetër, "Lonely Planet", që e ka përzgjedhur Tiranën si ndër 10 destinacionet kryesore turistike për 2018 në Europë.

Pse ky bum?

Mediat e huaja rendisin shkaqe dhe arsye të ndryshme për këtë bum të industrisë së turizmit, përgjatë këtyre muajve të fundit dhe viteve në vazhdim, për Shqipërinë. Emëruesi i përbashkët i të gjithëve, është se kemi të bëjmë me një vend ende të pazbuluar dhe të pa eksploruar nga industria botërore e turizmit. Një kuriozitet i pashuar, një mister i pa eksploruar dhe një hapësirë e lënë gjithë këto vite bosh në hartat e tyre të udhëtimeve të përvitshme, nga kureshtarët dhe gjahtarët e emocioneve të reja.

Shqipëria ka një numër prej rreth 3400 atraksionesh turistike, sipas një raporti të fundit të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ka rreth 400 kilometër linearë vijë bregdetare, ka rreth 250-300 ditë me diell. Ka një raport të shkëlqyer të cilësisë/çmim - si për dhomat e hoteleve përgjatë plazheve të saj të shumtë, por edhe në destinacionet e tjera në brendësi - dhe konsiderohet si një ndër të paktat shtete të Mesdheut, ku ende ushqimi është shumë i mirë dhe i lirë, në raport me sasinë dhe cilësinë e ofruar.

Shqipëria konsiderohet si një vend që ofron alternativa turizmi nga më të shumëllojshmet, me përthyerje fantastike të terrenit drejt destinacioneve të virgjëra, e me një kulturë shërbimi gjithnjë e në rritje. Nga ana tjetër, edhe infrastruktura konsiderohet një çështje që e ka tejkaluar emergjencën, por që sigurisht në rrugë, drita e ujë e pastërti plazhesh, kërkohet shumë e shumë më tepër vëmendje, investime dhe rritje të cilësisë e standardit.

Turizmi shqiptar po integrohet me shpejtësi në rrjetin rajonal dhe ndërkombëtar të kësaj mega industrie botërore, ndërkohë që ndryshimet e fundit ligjore, po stimulojnë investime të mëdha në fshatra, resorte turistike me pesë yje, në agroturizëm dhe në turizmin familjar. Numri i udhëtarëve të huaj që kanë hyrë nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, gjatë kësaj periudhe të 2018, ka pësuar rritje të ndjeshme, ndërkohë që është duke u ndërtuar me shpejtësi dhe pritet të futet gjatë këtij viti në funksion, edhe aeroporti i ri i Vlorës.

Projekti për Rilindjen Urbane të qendrave të rreth 70 qyteteve të vendit, si dhe projekti i ri i 100 i rehabilitimit dhe rikthimit në identitet të 100 fshatrave, ka nisur që tani të japi efektet e veta pozitive në këtë industri.

Destinacionet më të preferuara

Destinacioni kryesor i turizmit bregdetar, mbetet Saranda me plazhet, hotelet dhe qytetin antik të Butrinit. Më tutje më në veri, duke udhëtuar përgjatë rivierës joniane drejt Vlorës, janë Porto Palermo, Himara, Jala, Dhërmiu dhe plazhet e tjerë të panumërt, që lagen nga ujërat e kristaltë të cilat shpeshherë në mediat ndërkombëtare, po krahasohen me plazhet më ekzotike të planetit. Një gjë e pazakontë deri dje, ky vizatim me penaleta kaq optimiste për shqiptarët dhe Shqipërinë, që kanë nisur të shihen më në fund nga bota, me dritën e një imazhi pozitiv.

Vlora, Apolonia, Berati, Gjirokastra, Korça, Kruja, Tirana, Pogradeci e Shkodra, si dhe destinacionet e turizmit malor e të aventurës në verilindje e juglindje të vendit, po shihen si mundësi e alternativa gjithnjë e më të kërkuara, duke i bërë ekonomitë dhe bizneset e tyre, që të shohin më në fund pak dritë shpresë në tunelin e errët të mungesës së një perspektive të qartë të zhvillimit.

E atëherë kur shpresa po vdiste e fundit, duket se shpëtimi për industrinë e turizmit, po vjen andej nga e prisnim më pak. Nga perëndimi dhe Europa Qendrore e deri në Azinë e largët. Nga Italia, Franca, Gjermania, Polonia, Çekia, Zvicra, e deri nga Ukraina, Rusia e Kina etj. Qytetarët e të cilëve dhe shumë vendeve të tjera, po vijnë drejt Shqipërisë në formën e një vale që ndoshta nuk do të ndalet dot më, kurrë!

Problemet që duhen zgjidhur shpejt

Shqipëria është një vend me njëmijë e një halle, sepse ka njëmijë e një probleme. Janë probleme të vjetra e të reja. Nuk janë probleme të natyrës dhe zotit, i cili na i ka dhuruar bukuritë si rrallëkujt, pa u kursyer. Janë problemet e trashëguara nga historia e regjimet. Janë problemet e shtuara nga politika, qeveritë dhe ligjet tona mbi pronën dhe kontrollin mbi territorin. Janë probleme të njeriut, që nuk ka ditur dhe nuk ka munduar të jetë largpamës, për të investuar në atë mënyrë që të ishim të gjithë gati për këtë ditë.

Turistët do të vijnë dhe sezoni turistik në Shqipëri nga 30-45 ditor në një vit deri para pak kohësh, është bërë tashmë 130–200 ditor këtë vit dhe nuk duket të jetë e largët dita që të jetë 365 ditor. Si në Kroaci, Greqi, Turqi e Italinë e Malin e Zi. Pyetja që lind pas kësaj, është: Kush dhe si do t’i presim ne gjithë këta turistë, kur ende nuk e kemi traditën dhe ende nuk jemi të përgatitur për të patur një klasë menaxherësh, kamerierësh, shefash kuzhine; nuk kemi një zinxhir të tërë furnizimi me ushqime e pije nga arat e bujkut, te pikat e grumbullimit, frigoriferimit e përpunimit; nuk kemi një klasë të sektorit të detit, me peshkimin dhe turizmin nënujor e deri tek ata që do të presin e përcjellin jahte, tragete, kroçera e çartera.

Pavarësisht këtyre e shumë e shumë problemeve të tjera, më të mëdha e më të vogla, një gjë është e sigurt se, me shqiptarët po ndodh si në atë shprehjen e njohur amerikane: "Fati, herët ose vonë, gjithkujt dikur do t’i trokasë në derë. Por jo të gjithë ia hapin, sepse... ai vjen i veshur me rroba pune". E nëse ne nuk ia hapim, dyert dhe portat e fqinjëve tanë kanë vite që rrinë hapur për t’i pritur e përcjellë siç duhet, ata që do ta gjejnë derën e mbyllur te ne. 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: