TRE MODELE TË EVROPËS QË PO BIEN NË TË NJËJTËN KOHË

TRE MODELE TË EVROPËS QË PO BIEN NË TË NJËJTËN KOHË
Evropa pas vitit 1945, pas vitit 1968 dhe pas vitit 1989 ndryshon shumë, por asnjëra prej këtyre periudhave nuk ka më kuptim

Nga IVAN KRASTEV / Foreign Policy

A po dështon Evropa? Elementet që e vërtetojnë këtë gjë janë të shumtë: nga grindjet për kontributet e NATOs, te marrëveshjet gjysmake për rregullimin e çështjes së migracionit deri te sinjalet e shumta për autoritarizëm në Evropën Lindore.

Po, Evropa ka dështuar gjatë 70 viteve të fundit dhe këto dështime i kanë shërbyer suksesit të Evropës. Por sot, gjërat ndryshojnë. Zhurma që dëgjohet sot nuk është thjesht një zhurmë që sinjalizon një dështim të ri të Evropës. Ky është tingulli i një Evrope që rrezikon të shpërbëhet plotësisht. Janë tre versione të Evropës që përbëjnë atë Evropë që ne njohim sot: Evropa pas luftës e vitit 1945, Evropa e të drejtave të njeriut e vitit 1968 dhe Evropa e Bashkuar që u shfaq pas fundit të Luftës së Ftohtë. Të tri këto versione tashmë janë në rrezik.

Të marrim Evropën e pas luftës, që qëndronte edhe në themelin e projektit evropian. Kjo është Evropa që mban mend tmerret dhe shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore, Evropa që jetonte në terror dhe Evropa që ishte e vendosur për ta parandaluar luftën e radhës, që këtë herë do të ishte një luftë bërthamore dhe lufta e fundit që do të zhvillohej. Pikat qorre të Evropës së pas luftës u shfaqën për herë të parë në vitet 1990, kur Jugosllavia u zhyt në kaos, pavarësisht se të gjithë besonin se në kontinent ishte e pamundur që të zhvillohej sërish një luftë e madhe.

Evropa e pas luftës po dështon sot, sepse për brezat e rinj, Lufta e Dytë Botërore i përket historisë së largët. Fransis Fukujama kishte të drejtë: Jemi në fund të historisë, ku e shkuara nuk ka më rëndësi për të tashmen. Në rastin më të mirë, brezat e rinj të Evropës i kanë përthithur në mënyrë kalimtare mësimet e historisë. Në moshën e internetit, shteti nuk e gëzon më monopolin e edukimit civil; një nga paradokset e revolucionit teknologjik është se, ndërkohë që brezi i ri komunikon më shumë se çdo brez tjetër më parë, ky brez komunikon kryesisht me vetveten. Kësisoj, ky lloj komunikimi nuk ka shumë vlerë kur bëhet fjalë për përçimin e përvojës së brezave të mëparshëm.

Janë dy faktorë të tjerë ata që i zbehin kujtimet e Luftës së Dytë Botërore në Evropën e sotme. Pikësëpari, brezi i të mbijetuarve është shuar dhe pikë së dyti, pjesa më e madhe e refugjatëve dhe emigrantëve të cilët vijnë në Evropë nga kontinente të tjera, nuk e konsiderojnë Luftën e Dytë Botërore si një luftë që u përket atyre. Kur i referohen “luftës”, refugjatët sirianë nënkuptojnë shkatërrimin e Alepos dhe jo shkatërrimin e Varshavës apo Drezdenit.

Evropa e pas luftës po dështon po ashtu për faktin se pjesa më e madhe e evropianëve vazhdon që të mos e vlerësojnë paqen aq sa ç‘duhet, ndërkohë që bota shndërrohet në një vend mjaft të rrezikshëm dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë më të interesuara që t’i ofrojnë mbrojtje kontinentit të vjetër. Këmbëngulja e Brukselit se pushteti “i butë” është më i rëndësishëm se ai ushtarak, po fillon të shihet me skepticizëm edhe prej atyre që bëjnë deklarata të tilla. Kësisoj, mentaliteti i Evropës së pas luftës po kthehet në një pikë të dobët, në vend se të shërbejë si një avantazh. Sot, Evropa e pas luftës nuk e sheh më Evropën si një fuqi paqësore, por një Evropë që nuk është në gjendje që të mbrohet (Perceptimi i këtij realiteti do të jetë mjaft i dhimbshëm sidomos për Gjermaninë.).

Por ka edhe një Evropë tjetër që po dështon: Evropa pas projektit të vitit 1968, Evropa e të drejtave të njeriut e veçanërisht, Evropa e të drejtave të minoriteteve. Ndikimi i fuqishëm që pati viti 1968 në mendjen e evropianëve përkufizohet nga përfundimi se shteti është diçka që i mbron qytetarët e tij, por ai mund të shërbejë edhe si një kërcënim për ta. Arritja e jashtëzakonshme e atyre që jetuan në vitin 1968 ishte se ata i bënë evropianët që ta konceptonin shtetin me sytë e grupeve më të brishta dhe të persekutuara të shoqërive të tyre. Kjo kthesë revolucionare në mënyrën se si evropianët e konceptonin botën dhe roli i tyre vinte kryesisht si rezultat i procesit të dekolonizimit, por edhe si rezultat i përhapjes së demokracisë nëpër botë. Nëse do të ekzistonte një fjalë e vetme që mund të përkufizonte Evropën e pas vitit 1968, atëherë kjo fjalë do të ishte “gjithëpërfshirja”.

Por edhe kjo Evropë është në rrezik sot. Ndryshimet e mëdha demografike dhe shoqërore që i transformuan shoqëritë evropiane në dekadat e fundit shërbyen si një kërcënim për shumicën, për ata që kanë gjithçka, që, për rrjedhojë, kanë frikë nga çdo gjë dhe të cilët përbëjnë edhe forcën kryesore në politikën evropiane. Shumicat tashmë i druhen faktit se po shndërrohen në humbës të procesit të globalizimit dhe të asaj lëvizjeje që e shoqëroi këtë proces.

Tipar kryesor i politikave të shumicave të kërcënuara është se kur ato votojnë, ato e bëjnë këtë gjë duke imagjinuar një të ardhme ku ata do të jenë në minorancë në vendet e tyre, ku kultura dhe mënyra e tyre e jetesës do të vendoseshin në rrezik serioz. Do të ishte një gabim mjaft i madh politik nëse liberalët i shpërfillin këto frikëra që ekzistojnë. Në politikën demokratike, perceptimet janë i vetmi realitet që ka rëndësi.

Shumë prej lëvizjeve politike që po fitojnë popullaritet sot luftojnë për të drejtat e shumicave dhe veçanërisht për të drejtat e tyre kulturore. Shumicat i mëshojnë idesë se u takon atyre të vendosin se kush mund të bëhet pjesë e komunitetit politik dhe se ato kanë të drejtë që të mbrojnë kulturën e tyre të shumicës. Në këtë kuptim, kriza e refugjatëve e vitit 2015 shërbeu si një pikë kthese për mënyrën se si publiku e shikonte globalizimin.  Kjo periudhë shënoi edhe fundin e Evropës pas vitit 1968 dhe dështimin e njëfarë ideje të Evropës së pas vitit 1989, duke qenë se jemi dëshmitarë të një shpërbërjeje të atij asaj fryme konsensusi që sundoi asokohe.

Për Evropën, kriza e refugjatëve  ishte si një 11 shtator. Në të njëjtën mënyrë që 11 shtatori i nxiti amerikanët të ndryshonin pikëpamjet e tyre për botën, ashtu edhe kriza e refugjatëve i detyroi evropianët që t’i vinin në pikëpyetje shumë prej qëndrimeve të tyre të mëparshme në drejtim të globalizimit.

Kriza e refugjatëve ka vënë në pikëpyetje edhe realitetin e Evropës së pas vitit 1989, jo thjesht për faktin se perëndimi dhe lindja e Evropës morën qëndrime të ndryshme kur diskutohej se çfarë detyrimesh kishin në lidhje me krizën e refugjatëve, por edhe për faktin se kjo krizë nxori në pah ekzistencën e dy Evropave të ndryshme kur bëhet fjalë për çështje të diversitetit etnik dhe kulturor e po ashtu për çështje të emigracionit.

Ironia e historisë është se, ndërkohë që në fillim të shekullit të 20-të, Evropa qendrore dhe lindore ishin pjesët me diversitetin më të madh në kontinent, tani ato janë pjesa homogjenitetin më të madh etnik. Ndërkohë, që Evropa perëndimore merret me çështje që lidhen me integrimin e një numri të lartë të huajsh që jetojnë në këto vende, ata që jetojnë në Evropën qendrore janë më të përqendruar në përpjekjet për të bindur të rinjtë e vendeve të tyre që të mos largohen për një jetë më të mirë në perëndim. Ndërkohë që perëndimi përballet me çështje diversiteti, lindja përballet me çështjen e largimit të popullsisë së saj në drejtim të perëndimit.

Megjithatë, në thelb të konservatorizmit të Evropës Qendrore nuk qëndrojnë ndasitë në lidhje me çështjet e emigracionet, por refuzimi i asaj që unë e konsideroj si Imitim i Domosdoshëm.

Për dy dekada të tëra pas vitit 1989, filozofia politike e Evropës post-komuniste qendrore dhe lindore mund të përmblidhet vetëm me një frazë: Imito Perëndimin! Ky proces mori disa emra: demokratizim, liberalizim, zgjerim, harmonizim, integrim, evropianizim, por qëllimi i reformatorëve post-komunistë ishte mjaft i thjeshtë: Ata donin që vendet e tyre të bëheshin si Perëndimi. Kjo nënkuptonte importimin e institucioneve liberal-demokrate, zbatimin e recetave politike dhe ekonomike perëndimore dhe përqafimin e vlerave perëndimore. Imitimi ishte rruga më e shkurtër drejt lirisë dhe prosperitetit.

Evropa nuk ndahej më mes komunistëve dhe demokratëve, por mes imituesve dhe të imituarve. Por, zbatimi i reformave ekonomike dhe politike duke imituar një model të huaj ka më shumë anë negative në aspektin psikologjik seç pritej. Në jetën e imituesit fillojnë të futen ndjenja të tilla si inferioriteti, identiteti i humbur dhe mungesa e pavullnetshme e sinqeritetit. Imituesit nuk janë kurrë njerëz të lumtur. Atyre nuk u përkasin kurrë sukseset, por vetëm dështimet.

Evropa e parë pas lufte po dështon sepse kujtesa e luftës po zbehet dhe sepse ajo ka kontribuar për një Evropë që nuk është në gjendje që të mbrojë veten. Evropa e dytë, Evropa e pas vitit 1968, po dështon sepse ajo ishte Evropa e pakicave. Ajo ende rreket të gjejë një mënyrë për të mbrojtur të drejtat kulturore të shumicës pa e shndërruar demokracinë në instrument të përjashtimit. Evropa pas vitit 1989 po dështon sepse Evropa qendrore nuk dëshiron të imitojë më Perëndimin dhe të gjykohet prej tij, por të ndërtoj një model të vetin.

A nënkuptojnë këto dështime se Evropa po shkon drejt një procesi të pakthyeshëm shpërbërjeje? Këto dështime nënkuptojnë se Evropa duhet të investojë në aftësitë e saj ushtarake dhe të mos jetë në varësi të sigurive të ofruara nga Amerika. Ashtu siç ndodhi me demokracitë liberale evropiane në vitet ’70 dhe ’80, ku e majta ekstreme u bë më pak radikale, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe sot me të djathtën ekstreme. Ata që sot i druhen disa prej ideve radikale të së djathtës ekstreme, të mos harrojnë se shumë centristë të viteve ’70 i shihnin majtistët gjermanë si Joshka Fisheri, i cili më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë, si një kërcënim ndaj kapitalizmit dhe demokracisë perëndimore. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes perëndimit dhe lindjes në Evropë, sfida më e madhe është gjetja e një mënyrë për të kritikuar fort shfaqjen e autoritarizmit në lindje, pa këmbëngulur se imitimi i perëndimit është kuptimi i vetëm i demokracisë apo të imagjinosh në mënyrë naive se përkushtimi për forcimin e demokracisë mund të blihet me anë të fondeve të Brukselit.

Shtatëdhjetë vite më parë, Evropa arriti që ta shndërronte shkatërrimin që solli Lufta e Dytë Botërore në themelin e projektit të saj të paqes. Ajo arriti që ta kthente zemëratën kundër sistemit të vitit 1969 në progres politik. Ajo arriti po ashtu në më pak se dy dekada që ta bashkonte Evropën, e cila ishte ndarë për gjysmë shekulli nga Lufta e Ftohtë. Nëse Evropa ka arritur që të gjitha këto dështime t’i kthejë në suksese, atëherë mund të shpresojmë se e njëjta mrekulli do të ndodhë edhe sot.

* Ivan Krastev është drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje dhe një anëtar i përhershëm i Institutit për Shkencat Shoqërore me qendër në Vjenë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: