TËRMETI TUNDI MALET, POR MË SHUMË ZEMRAT TONA – OPINION NGA ALFRED PEZA

TËRMETI TUNDI MALET, POR MË SHUMË ZEMRAT TONA – OPINION NGA ALFRED PEZA

Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Një tërmet si ai që e shkundi dhe e tundi mirë e mirë Shqipërinë orët e fundit, ndoshta e mbaja mend vetëm më 1976 dhe ndoshta pak më pak, edhe më 1988. Të dyja bëjnë pjesë në listën e tërmeteve më të forta në historinë e re të Shqipërisë. Në rastin e parë, kam qenë fëmijë, diku në klasë të tretë a të katërt, ndërsa në rastin tjetër në shkollë të lartë. Çuditërisht, më shumë detaje më janë fiksuar nga e para, jo vetëm për shkak se dëmet kanë qenë shumë më të mëdha. Por me sa duket, edhe truri i freskët i një fëmije, arrin të fotografojë e t’i ruajë këto momente të frikshme në kujtesë, me një "rezolucion të lartë", për t’i rikujtuar pothuajse gjatë gjithë jetës.

Pamjet e fëmijërisë m’u rikthyen edhe njëherë si një film i shkurtër disa sekonda në kujtesë, teksa shihja të dilnin të tmerruar nga pallatet, dyqanet e zyrat, njerëz të shumtë në Tiranë, të shoqëruar edhe nga fëmijët. Të grumbulluar fillimisht me frikë para godinave, trotuareve e lulishteve, më pas shumica e tyre nisën të mbipopullonin baret anekënd kryeqytetit, duke dhënë e duke marrë me celularë, për të komunikuar me. Shumë prej tyre i rrëfenin nën panik njëri-tjetrit, çastet që sapo kishin përjetuar. Me frikën dhe makthin se, skenat e tmerrit mund të përsëriteshin.

Nga tërmeti i 15 prillit 1976, më kujtohet se ishte mëngjes herët dhe të gjithë banorët e pallatit dolën të tmerruar, ashtu siç ishin duke fjetur. Madje, kishte nga ata që i morën edhe jorganët ose batanijet me vete dhe u grumbulluan për të qëndruar disa orë nëpër oborre, përpara se të vendosnin për tu rikthyer në shtëpi e të rinisnin aktivitetin normal. Atë kohë, nuk kishte bare poshtë çdo pallati, si sot. Nëse ka një gjë që ka ndryshuar këto 42 vjet që ndajnë nga këto dy tërmete, ajo është xhungla e ndërtimeve "të pakontrolluara" të pas '90.

Nga radiot dhe televizorët e pakët të kohës, përgjatë ditës deri në mbrëmje, u mësua se epiqendra e tërmetit kishte qenë në veri dhe dëmet më të mëdha ishin shkaktuar në zonat e Shkodrës dhe Lezhës. Ndërsa brenda pak sekondash këtë radhë, u mësua se tërmeti i orës 11:01 i 4 korrikut 2018, e kishte epiqendrën në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit, 31 kilometra në veriperëndim të Tiranës. Ndërsa intensiteti sipas asaj që raportoi Instituti Sizmologjik, ishte regjistruar në 5.1 gradë të shkallës Richter. Ai i mbi katër dekadave më parë, ishte edhe më i fortë.

Statistikat thonë se, atëherë humbën jetën 40 persona dhe u dëmtuan 17.118 shtëpi dhe objekte social-kulturore. Disa fshatra e lagje, u rrafshuan thuajse plotësisht. Ndërsa këtë radh,ë brenda pak minutash, u mësua se nuk kishte dëme në njerëz dhe se ato materialet, nuk shkonin më shumë sesa plasaritjet dhe rrëzimi tek tuk i ndonjë çatie të vjetër. Sizmologët shqiptarë thanë se, u regjistruan edhe mbi 22 lëkundje të tjera të tokës, deri 45 minuta pas së parës. Ndërkohë që, mediat vazhduan e raportuan për të tjera lëkundje edhe në orët në vijim.

Mu rikthye në kujtesë, tërmeti i fëmijërisë dhe mu fiksuan këtë radhë të gjitha këto, sepse në atë kohë propaganda e shtetit komunist e nisi riparimin e dëmeve, nëpërmjet një mobilizimi masiv të popullatës dhe institucioneve të saj, me moton: "Tërmeti tundi malet, po jo zemrat tona!" Ishte një parullë tipike e propagandës, që i jepte mundësinë sistemit të asaj kohe të demonstronte me çdo çmim e mjet, efikasitetin dhe të propagandonte "socializmin me fytyrë njeriu", si dhe dimensionin "human, social dhe solidar" të asaj shoqërie. Ndaj, u bë e pamundur të riparoheshin sa më shpejt dëmet, sidomos nëpër shtëpitë e banimit dhe objektet arsimore e shëndetësore, e për të rikthyer normalitetin.

Fatkeqësitë natyrore kur ndodhin, kanë ligjësitë e tyre, shpeshherë ende të pashpjegueshme plotësisht nga shkenca, ndaj nuk pyesin shumë as për regjime, as për sisteme, as për vendin dhe kohën se kur e ku bien ose ndodhin. Ndaj, jemi dëshmitarë të efekteve shkatërrimtare të cunameve, uraganeve, tërmeteve, zjarreve masive, përmbytjeve, aksidenteve ajrore, detare ose incidenteve fatale të natyrave teknologjike, të cilat sjellin në disa raste edhe dëme të jashtëzakonshme në njerëz dhe në pasuritë e paluajtshme, infrastrukturë, ekosistem, natyrë, ndotjen atmosferike, etj.

Fuqia e një shteti dhe efikasiteti i një qeverie, maten me forcën e reagimit të tyre, pas ndodhjes së fatkeqësive natyre. Për të amortizuar në maksimum, dëmet njerëzore në radhë të parë. E më pas, dëmet pasurore, infrastrukturore, në mënyrë që të rikthejnë me sa më pak dhimbje, normalitetin social-ekonomik të jetës së qytetarëve, komuniteteve dhe zonave të prekura nga fatkeqësitë. Në Shqipëri, vendin e dikurshëm të ekonomisë së centralizuar dhe pasurisë kolektive, e kanë zënë marrëdhëniet kapitaliste në prodhim dhe të pasurisë private.

Megjithëse dëmi mund të shkaktohej në prona private, në ekonomitë ose pasuritë e tyre individuale, përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga rastet e fatkeqësive të natyrës, është e shtetit dhe e qeverisë. Ndaj, në rast se tërmetet e fundit që lëkundën Shqipërinë, do të kishin shkaktuar dëme, Emergjenca Civile e Republikës, por edhe struktura të tjera të specializuara ose vullnetare, do të mobilizoheshin me hamendësimin se për këtë ekzistojnë plane, masa, infrastrukturë, struktura dhe fonde të posaçme - siç ka ndodhur në rastet e përmbytjeve nga reshjet.

Një gjë duhet ta pranojmë se; tërmeti këtë radhë vërtetë i tundi malet tona. Por më shumë se malet dhe godinat, tërmeti tundi zemrat tona. Ka shumë arsye për këtë.

Së pari, sepse askush asnjëherë nuk uron të vihet përballë forcave të panjohura të natyrës, të cilat edhe në shtete shumë më të zhvilluara se ne, kanë treguar se janë aq të verbra, sa nuk zgjedhin e nuk kursejnë askënd e asgjë që u del përpara. Duke sjellë jo rrallëherë, dëme aq të mëdha, sa duhet shumë kohë për ta rikthyer në normalitet jetën dhe ekonominë e individëve, komuniteteve dhe shteteve të prekura.

Së dyti, Shqipëria fatmirësisht nuk konsiderohet një territor me aktivitet të lartë sizmik. Por, nëse ndodh që të bien tërmete qoftë si lëkundjet e fundit, kemi arsye reale për të qenë të shqetësuar. Pasi dëmi më i madh që i është shkaktuar vendit në 27-28 vitet e fundit, është ai i mungesës totale të kontrollit mbi territorin. Ku gjithkush pothuajse ka ndërtuar gjithkund, pa mbajtur parasysh as kushtet teknike, urbane, arkitekturore, natyrore e aq më pak, ato sizmike. Nga ana tjetër, nëpër fshatra ose lagje të qyteteve, ka zona të tëra të banuara ku zjarrfikëset, ambulancat ose vinçat e emergjencave për rastet e fatkeqësive, e kanë të pamundur të futen.

Së treti, nisur edhe nga rastet e përmbytjeve, duhet pranuar se, shteti dhe qeveritë tona, kanë investuar pak dhe pa vizion e strategji, në drejtim të strukturave të tilla si emergjencat civile, zjarrfikëset, urgjencat e spitaleve dhe struktura të tjera të specializuara ngushtë, të cilat janë jetike për dhënien e ndihmës së parë e të shpejtë në rastet e fatkeqësive natyrore.

Ndaj, rastet si kjo e lëkundjeve të fundit sizmike, duhen parë edhe si paralajmërime të zotit, për njerëzit, për qeveritë dhe shtetin, për të marrë masat dhe për të plotësuar boshllëqet e mangësitë. Sepse, herët ose vonë, zjarri, uji, tërmeti dhe forca të tjera të pakontrolluara të natyrës, mund të godasin. E nëse nuk bëhemi gati të reagojmë në kohë, me efikasitet dhe shpejtësi, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të dorëzohemi, të ngremë duart dhe sytë nga qielli, e të përsërisim thirrjen e vjetër të përdorur në këto raste, që nga koha e stërgjyshërve tanë të lashtë: Zoti na ruajt!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: