Studimi: Sa më e varfër familja, aq më vështirë e ka që ta paguajë energjinë

Studimi: Sa më e varfër familja, aq më vështirë e ka që ta paguajë energjinë
Sa më e varfër të jetë një familje, aq më shumë i rëndon pagesa mujore e energjisë elektrike.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i kryer së fundmi , sipas të cilit mjaft familje shqiptare jetojnë në varfëri energjetike. Duke shtuar se ato nuk munden dot as që të përdorin shërbimet energjetike në shtëpinë e tyre në atë nivel sa mund të përmbushin nevojat.

“Nëse familjet me të ardhura nën 10.000 lekë/muaj duhet të shpenzojnë jo më pak se 36% të të ardhurave për faturën e energjisë elektrike, familjet me të ardhura mbi 50.000 lekë/muaj shpenzojnë jo më shumë se 12% së të ardhurave të tyre për sigurimin e elektricitetit të nevojshëm”, citon studimi i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit Shqipëri (REC), lidhur me një dukuri të tillë.

Duke vënë kështu në dukje peshën më të rëndë që fatura e energjisë, si e tillë, ka për një familje me më pak të ardhura, kundrejt asaj tek familjet me të ardhura më të larta. Edhe pse për këto të fundit, thuhet se paguan më shumë për energjinë, pra kjo faturë më të lartë si shifër, pasi mund t’ia lejojnë vetes një gjë të tillë.

“Familjet me të ardhura mesatare mujore mbi 50.000 lekë në krahasim me ato që i kanë të ardhurat nën 10.000 lekë, paguajnë një kosto mesatare mujore të energjisë elektrike 1.6 herë më shumë. Megjithatë, e përkthyer kjo në përqindje të të ardhurave familjare që shkon për të paguar faturën e energjisë elektrike, familjet me të ardhura më të larta paraqiten në kushte shumë më të favorshme”, sqarojnë ekspertët.

Më tej, duke iu referuar vetë opinionit të qytetarëve rreth kësaj çështjeje, ata pohojnë se “të pyetur nëse hasin vështirësi në pagesën e faturës së energjisë, 62% e të intervistuarve janë përgjigjur Po”. “Është e kuptueshme që familjet me të ardhura nën 10.000 lekë janë më të prekura, por interesant është fakti që edhe fashat e tjera (përveç atyre me të ardhura mbi 50.000 Lekë) hasin vështirësi në nivele të larta (nga 69%-87%), argumentojnë gjithashtu ata.

 

36%

E të ardhurave në familjet shqiptare me të ardhura nën 10.000 lekë/muaj shkon për të paguar faturën e energjisë elektrike

12%

E të ardhurave në familjet me të ardhura mbi 50.000 lekë/muaj shkon për të paguar faturën e energjisë elektrike

62%

E qytetarëve shqiptarë pranojnë se kanë vështirësi financiare në pagimin e faturës mujore të energjisë elektrike

 

72% e familjeve shqiptare konsumojnë më pak energji elektrike sesa u nevojitet

“Pavarësisht të ardhurave mujore dhe vështirësisë në pagesën e faturës së energjisë elektrike, rreth 72% e të gjithë familjeve të kampionit konsumojnë më pak energji elektrike sesa u nevojitet, kryesisht gjatë stinës së dimrit”.

Kjo është një tjetër shifër interesante që buron nga studimi në fjalë. I cili shoqërohet me faktin se ata e realizojnë këtë, duke ndërmarrë veprime kursimi, të tilla si reduktimi i ngrohjes (fikja e ngrohjes, ngrohja vetën e një dhome etj); fikja e dritave në shtëpi; përdorimi më pak i ujit të ngrohtë; konsumimi i më pak ushqimeve dhe pijeve të ngrohta gjatë dimrit, etj.

“Sipas të ardhurave mesatare mujore, këto veprime paraqiten në 14.94% e familjeve me të ardhura mesatare mujore nën 10. 000 lekë”, cilëson studimi. Duke shtuar se gati të gjitha ato kryejnë veprime kursimi për të ulur dhe përballuar koston e energjisë elektrike. Por edhe faktin tjetër, se kjo shifër mbetet e lartë në të gjitha fashat, madje mbi 50% edhe në familjet me të ardhura mbi 50.000 lekë.

E thënë ndryshe, edhe familjet që fitojnë më shumë pará, e kursejnë mjaft energjinë.

 

 31.4% e shqiptarëve: I kemi shtëpitë e ftohta!

“60% e të intervistuarve janë të kënaqur me temperaturën e banesës së tyre, 8.6% i vlerësojnë banesat e tyre si shumë të nxehta dhe 31.4% si shumë të ftohta”.

Këto janë disa shifra të tjera interesante që jepen nga studimi mbi vlerësimin e performancës së energjisë në ndërtesa, i pari i këtij lloji në Shqipëri, sipas varfërisë energjetike.

“Megjithatë, rezulton se perceptimi i banorëve për temperaturën në ambientin e brendshëm gjatë stinës së dimrit ndryshon në varësi të moshës së ndërtesës së banimit.

Tendenca që vihet re është: me rritjen e moshës së ndërtesave të banimit rritet edhe pakënaqësia në lidhje me të ftohtin. Konkretisht 46.3% e familjeve që jetojnë në ndërtesa më shumë se 60-vjeçare shprehen se kanë probleme me të ftohtin”, shton gjithashtu studimi në fjalë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: