SPECIALE/ Vetingu, “shpata” që po shkurton gati gjysmën e “kokave” të Drejtësisë

SPECIALE/ Vetingu, “shpata” që po shkurton gati gjysmën e “kokave” të Drejtësisë
Gati të njëjtë në numër. Si ata gjykatës apo prokurorë të cilët e kanë marrë “provimin” e vetingut, edhe ata të cilët nuk e kanë kaluar dot atë.

Kjo është dukuria që konstatohet nga një krahasim i thjeshtë shifrash të deritanishme mes këtyre dy kategorive. Dhe që arrin të nxjerrë në këtë mënyrë një konkluzion paraprak të rëndësishëm. Se ata që po shkarkohen nga detyra, prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), jo vetëm që po shtohen me kalimin e kohës, por ata edhe po afrohen madje me sasinë e atyre që konfirmohen prej këtij organi sërish në detyrë.

Për të lënë kështu, jo vetëm shijen e hidhur se nga realizimi i procesit të vetingut, paska gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët po dalin “zbuluar” për shkeljet e tyre në sferën pasurore, atë profesionale, deri edhe tek pastërtia e figurës; por edhe se ata qenkan të shumtë në numër.

Konkretisht, referuar njoftimeve zyrtare përkatëse që vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar në kuadrin e vendim-marrjes së tij, që prej muajit mars të këtij viti lidhur me procesin e vetingut, rezulton se janë gati 10 magjistratë të cilët janë shkarkuar deri tani prej tij nga detyra. Ndërsa ata të cilëve ky organ u ka lënë rrugë të lirë në vazhdimin e detyrës së tyre, rezulton se po vërtiten tek shifra 15.

Diferenca nuk duket e madhe, e kësisoj, të lë të lirë të mendosh se ata që po skarcohen nga sistemi i drejtësisë, pikërisht falë vetingut, janë ndoshta edhe më të shumë nga sa ishte parashikuar në fillim të nisjes së procesit.

Përtej shifrave, ajo që ka lënë gjurmë në këtë aspekt, është edhe fakti se nga të shkarkuarit, kanë rezultuar deri edhe arsye të tilla si gjetja e një precedenti penal, siç ishte ai i rastit “Thanza”. Kështu, një gjyqtar që del me dënim penal në një shtet fqinj, përbën natyrisht një lajm në kuadrin e vetingu, kundrejt disa rasteve për shembull që janë skualifikuar prej tij vetëm për arsye të një deklarimi të rremë të pasurisë.

 

LISTA/ Vendimet e deritanishme të ndërmarra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Shkarkimet

 

12 Korrik

Nuk konfirmohet në detyrë prokurori i Tiranës, Adriatik Cama.

 

11 Korrik

Nuk konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Laze.

 

5 Korrik

Nuk konfirmohet në detyrë prokurori i Apelit Tiranë, Luan Kaloçi.

 

20 Qershor

Nuk konfirmohet në detyrë prokurori i Apelit Tiranë, Gentian Trenova.

 

10 Maj

Nuk konfirmohet në detyrë gjyqtari i Kushtetueses, Fatmir Hoxha.

 

3 Maj

Nuk konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj.

 

 

20 Prill

Nuk konfirmohet në detyrë prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani.

 

 

13 Prill

Nuk konfirmohet në detyrë gjyqtari i Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva.

 

 

23 Mars

Nuk konfirmohet në detyrë gjyqtari i Kushtetueses, Fatos Lulo.

 

 

Konfirmimet

 

12 Korrik

Konfirmohet në detyrë prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri.

 

5 Korrik

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës,

Alma Brati.

 

4 Korrik

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës,

Vate Staka.

 

4 Korrik

Konfirmohet në detyrë Prokurorja e Përgjithshme,

Arta Marku.

 

25 Qershor

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj (Lubonja).

 

13 Qershor

Konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese,

Bashkim Dedja.

 

7 Qershor

Konfirmohet në detyrë prokurori i Gjykatës për Krimet e Rënda, Dritan Prençi.

 

7 Qershor

Konfirmohet në detyrë gjyqtari pranë Gjykatës së Lartë,  Edmond Islamaj.

 

6 Qershor

Konfirmohet në detyrë prokurorja në Prokurorinë e Përgjithshme, Anila Leka.

 

4 Qershor

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja në gjykatën e Kurbinit, Marçela Shehu.

 

14 Maj

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja në gjykatën e Tiranës, Manjola Xhaxho.

 

 

3 Maj

Konfirmohet në detyrë prokurorja e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj.

 

23 Prill

Konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese,

Vitore Tusha.

 

Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë, si dhe ato të Apelit, më problematiket

Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, si dhe ato të Apelit në rang vendi, duket se paraqiten më problematiket, sa i përket aspektit të humbjes një e nga një të gjyqtarëve të tyre, nga procesi i vetingut. Të paktën nga ecuria që po referon deri tani ai. Ku tashmë, ajo Kushtetuese i ka dhënë shenjat e para se gjendet në vështirësi për vendet vakante të anëtarëve brenda saj. Mjafton të kujtojmë këtu se tre anëtarë të saj, si Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha nuk janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit (KPK). Pa harruar këtu as edhe dorëheqjet e mëparshme të dhënë prej disa anëtarëve të tjerë. E duke bërë kështu që ky institucion i rëndësishëm për drejtësinë kushtetuese në vend, të mos arrijë dot që të mbledhë kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: