SPECIALE/ Një vit pas zgjedhjeve, Shqipëria me veting e sytë nga negociatat

SPECIALE/ Një vit pas zgjedhjeve, Shqipëria me veting e sytë nga negociatat
Qershor 2017. Shqiptarët paraqitën verdiktin e tyre me votë për parlamentin e ri, ku Partia Socialiste arriti mazhorancën me 74 deputetë, pa nevojën për koalicione. Një vit më pas, më shumë se tek zhvillimet e brendshme politike, shqiptarët tani janë përqendruar tek “arena” e jashtme. Negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, duket se kanë marrë tashmë gjithë vëmendjen e tyre

Eglantina Nasi

Një vit më parë, para kutive të votimit, për të zgjedhur një mazhorancë, e cila nuk do ta kishte më nevojën për të krijuar koalicione. Një vit më pas, me “sytë” përtej zhvillimeve të brendshme politike dhe duke shkuar më larg: Në përmbushjen e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian...

Ky është realiteti politik i Shqipërisë, një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Qershorit 2017, të cilat rikonfirmuan në pushtet Partinë Socialiste, me plot 74 mandate, (të cilat tashmë kanë arritur zyrtarisht në 76 të tilla, pas kalimit drejt saj edhe të dy deputeteve të PDIU-së). Duke i dhënë kështu mundësinë e qeverisjes e vetme dhe për ta patur vetëm ajo “timonin” e saj.

Një rrugëtim aspak i lehtë ky në fakt, për kabinetin “Rama 2”, i cili edhe pse e ka patur në dorë këtë “timon”, mund të thuhet se në harkun kohor të një viti është përballur me plot sfida.

Mjafton të përmendim “sagën” e sulmeve të pandërprera ndaj dy ministrave të saj të Brendshëm, gjatë gjithë kësaj periudhe. Ato do të intensifikoheshin së tepërmi, menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme, sidomos ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. I njohur si ministri më i suksesshëm dhe i lavdëruar prej kryeministrit në mandatin e tij të parë qeverisës, papritur ai u gjend i kryqëzuar mes akuzave për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Çështja arriti deri në dhënien e një mase arresti shtëpiak ndaj tij, e rrëzuar më pas, nga sistemi i drejtësisë.

Por duket se telashet e kabinetit “Rama 2”, nuk do të kishin të sosur vetëm me Tahirin, porse edhe pasardhësi i tij, ministri aktual që e zëvendësoi atë në detyrë, Fatmir Xhafaj, do të shigjetohej nga opozita, sërish nën akuzën e trafikut të narkotikëve, por këtë herë, të lidhura me vëllain e tij. Një “furtunë” e vërtetë edhe kjo, e cila gjeneroi një sërë zhvillimesh të nxehta politike, deri tek një protestë e madhe e opozitës, me kërkesën për largimin e tij nga detyra, gjë e cila në fakt nuk ndodhi.

Gjithsesi, duket se as zhvillime të tilla nuk e kanë detyruar kryeministrin të realizojë ndonjë ndryshim në kabinet. Edhe pas një viti, ai vazhdon të jetë i njëjti. Prej kohësh, “me fishekët” që po i shpenzon në fakt për një qëllim madhor, i cili duket se i ka kapërcyer kufijtë e politikës së brendshme dhe asaj që vërtitet në debatet rutinë të seancave parlamentare. Çelja e negociatave me BE-në! E cila edhe pse u shty për në qershorin e vitit të ardhshëm, mbetet i njëjti qëllim.

 

 

Ekonomia në vitin e koncesioneve, vijon programi “1 Miliard euro”

Ekonomia shqiptare, edhe gjatë harkut kohor qershor 2017-qershor 2018, mund të thuhet se ka qenë “në valën” e koncesioneve. Shumica e tyre, të përfshira në kuadrin e programit të titulluar “1 miliardë euro”, kanë qenë në qendër të vëmendjes së qeverisë. Mjafton të përmendim më të rëndësishmin prej tyre, atë të rindërtimit të Rrugës së Arbrit, nisja e të cilit u përurua vtëm para pak ditësh.

Ndërkohë që qeveria ka parashikuar edhe pesë projekte të tjera të rëndësishme, në sektorin e infrastrukturës, pikërisht nën mbulesën e partneritetit publik-privat. Konkretisht, me një vlerë totale prej 140 miliardë lekësh, ata janë përfshirë brenda programit “1 Miliard euro” dhe synojnë rindërtimin e infrastrukturës në rang vendi.

Njëri prej tyre është ndërtimi dhe operimi i aksit Tiranë-Thumanë- Vorë, i cili kap një vlerë rreth 34.3 miliardë lekë. Për t’u pasuar nga aksi tjetër Kardhiq-Delvinë, për të cilin qeveria ka vendosur në fakt që ta përballojë me fondet e saj dhe për momentin të mos kërkojë partneritet me privatin. Bëhet fjalë konkretisht për një vlerë prej 8.6 miliardë lekësh.

Por me një rëndësi të veçantë vlerësohet edhe ndërtimi dhe operimi i aksit rrugor Milot-Balldren, pasi ajo konsiderohet edhe si pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Me një gjatësi prej 18.2 kilometrash, ajo paraqet një kosto prej 14.2 miliardë lekësh. Pa harruar këtu as edhe aksin tjetër rrugor që parashikohet të finalizohet përmes PPP-ve, ai Orikum-Himarë, me një kosto prej 17.8 miliardë lekësh.

Nga ana tjetër, vetëm para pak ditësh, qeveria në mbledhjen e saj të radhës vendosi për një koncesion të radhës në fushën e naftës. Fjala është për kontrollin e pompave të karburanteve, procedurë kjo e cila aktualisht kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe do t’i kalojë një kompanie private për një periudhë 20-vjeçare.

 

Vetingu, realitet i ri dhe zhvillim kyç në harkun kohor të një viti

Ai mund të cilësohet mjaft mirë si një ndër zhvillimet kyçe në vend, brenda harkut kohor të një viti, që nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017. I njohur si vetingu, procesi i verifikimit të pasurisë së përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë prej muajsh ka nisur zbatimin e tij, teksa ka nxjerrë jashtë madje edhe disa prej tij. Mjafton të kujtojmë këtu disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje madje edhe funksionimin normal të saj, ndërsa gjendet vetëm me pak anëtarë. Konkretisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar deri tani tre anëtarë të saj, Fatmir Hoxhën, Fatos Lulon dhe Altina Xhorxhajn. Ndërsa Sokol Berberi dhe Besnik Ymeraj, kanë dhënë dorëheqjen nga detyra para pak kohësh. Teksa ka mundur ta kalojë procesin e vetingut anëtarja Vitore Tusha, por edhe kryetari Bashkim Dedja, i cili në një prononcim pas tij, ka pohuar se “vetingu ishte njësoj si ta kaloje varrin për së gjalli”. Të mos harrojmë sakaq, se vetingu si i tillë është një proces i cili ende vazhdon dhe që pritet të përjashtojë sërish gjatë rrugëtimit të tij, përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë në vend, të cilët nuk të justifikojnë aspak pasurinë e tyre.

 

Opozita, 1 vit nën koalicionin e ri mes së majtës dhe së djathtës, PD-LSI

Periudha parazgjedhore e vitit të kaluar, për opozitën përkoi edhe me marrëveshjen e njohur si ajo e “18 majit”, që u lidh mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, e cila i hapi rrugën procesit zgjedhor të 25 qershorit. Efektet e së cilës u përfolën se vazhduan edhe pas tyre. Ndërsa pas zgjedhjeve, vendi u përball me një opozitë të re, e formuar nga partitë e së djathtës, kryesuar nga Partia Demokratike dhe nga ana tjetër, me partinë e majtë, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila dilte nga një koalicion qeverisës 4-vjeçar me Partinë Socialiste. Një opozitë kjo e cila vazhdon përgjatë një viti të shigjetojë dhe t’i kundërvihet në union qeverisë “timon”, herë pas here edhe me organizimin e disa protestave, siç ka qenë ajo e fundit për largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në këtë rrugëtim, Partia Demokratike nga ana e saj është përpjekur të merret edhe ca me veten e saj, siç ka qenë edhe mbledhja në pranverën e këtij viti, e Kuvendit të saj Kombëtar, ku u miratua edhe statuti i ri i kësaj force politike. Ndërsa nga ana e saj, LSI-së i është dashur të ecë përgjatë këtij viti, pas zgjedhjeve të përgjithshme, me një lidership të ri të saj, teksa kryetari tradicional i saj, Ilir Meta, u caktua në postin e Presidentit të Republikës.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: