SI MUND TË BJERË KAQ SHPEJT PALLATI ELYSE? – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

SI MUND TË BJERË KAQ SHPEJT PALLATI ELYSE? – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Qeveria e presidentit të Francës, Emmanuel Maron, është tronditur fort. Sapo u duk se, presidenti më i ri i Republikës franceze, u ngjit në majë, bash në atë moment duket se u shemb. Ishte ora kur bota po kalonte nëpër duar fotografinë “biblike” të Macronit  i cili, si një “zot”, po ngjitej mbi kokat e miliona e miliona që adhuronin fitoren franceze në Kupën e Botës në Moskë. Moska, mike e Francës që në epokën e Kaltërinës së Madhe, tani po dorëzonte trofeun në duart e të “birit” të Katerinës...

Mirëpo, bash aty, “djali” problematik i Kaltërinës pësoi rënien. Tani bota po vështron me kureshtje politike, por jo me frikë, nëse Macroni i Francës a do të mund të mbijetojë në “kullën” Elyse?! A kishte parashikuar presidenti riosh, se si mund ta trondiste dhe si mund ta mbronte kështjellën e Luigjit XVI?!

Dy akte periferike e bënë tërë gjëmën që pritet në Elyse:

Akti i parë i një djaloshi bodyguard i presidentit dhe

Akti i dytë, i presidentit Macron. Macron nuk kreu akt - kjo është gjithë vepra e tij, që tani po e rrëzon.

Pasi roja i presidentit, Alexandre Benalla, u kap nga kamerat duke rrahur një protestues francez, presidenti nuk tha asnjë fjalë. Madje, jo vetëm kaq, por zoti Benalla i cili ishte ngritur në pozitë si “shef i rojeve” të presidentit, në momentin kur rrihte protestuesin mbante veshur uniformë policie, pa qenë kurrë polic... Presidenti as për këtë nuk reagoi. Mosakti i dha të drejtë opozitës, sidomos shefit të të majtës ekstreme, Jean- Luc Melenchon, që të shtronte në “qilim” hamendje, evidenca, prova dhe pyetje të shumta.

Pyetja e parë e formuluar më thjesht se asnjë pyetje në botë, ishte kjo: “Çfarë ka presidenti Macron me bodyguardin Benalla”që nuk e ndëshkoi...? Pas kësaj, shtypi francez ka zbuluar fakte tronditëse: Se bodyguardi Benalla është njeriu më i afërt i Macronit; faktin se Macroni ka marrë për djaloshin Benalla, një shtëpi të kushtueshme shumë afër me shtëpinë e presidentit; faktin se Benalla paguhet 130 mijë euro në vit...

Derisa vetë Macroni u detyrua të kundërshtojë (d.m.th., të pohojë) se, “ Benalla nuk është i dashuri im”. Në media dhe jashtë tyre, në publik, Macron po konsiderohet një “homoseksual i fshehtë”. Edhe pse ai deklaroi se “po të isha homoseksual, do ta deklaroja hapur”, përsëri ka shumë të dhëna, se nuk i shpëton çështjes “Benalla”.

Por ne dhe të gjithëve jashtë Francës, na intereson çfarë ndikimi ka “rënia e Elysesë” e krahasur me qeveritë e vendeve europiane ose aspiruese për në BE.

E para është vetë “homoseksualizmi”

Tashmë është thënë hapur se, grupimet homoseksuale kanë mundur të ushtrojnë influencat e tyre, përmes rrugëve liberale “globaliste” dhe shoqatave të Sorosit në disa qeveri europiane dhe lindore. Franca nuk mund të bëhet aq e ndjeshme për jetën private të një njeriu, qoftë edhe Macroni; por me këtë rast, mes francezëve ndjehet aroma e mos pranimit për qeveri “globaliste”, të kufijve të hapur, jokonservatore, josovraniste, jofamiljare. Ngjarjet e fundit në botë e sidomos në Perëndim (Samiti i Helsinkit, fenomeni Salvini në Itali e Orban në Hungari), po nxisin ndryshimin e lojës, largimin e qeverive të zhytura në mashtrime, në privilegje për vete, në demagogji, në anti komb, etj.

E dyta

Lideri i Francës erdhi me zhurmë të madhe në Elyse, duke premtuar qiejt. Erdhi thuajse nga e panjohura, brenda dy javë sulme premtimesh. Sot, presidenti Macron ka 60 për qind të qytetarëve që nuk e duan në Elyse, nga 58 për qind që ishte shifra para pak muajve. Vetëm gjatë vitit 2018, papunësia në Francë është rritur edhe me 0,2%, duke u ngjitur në 9.2. Edhe rritja ekonomike shënon shifrën vetëm 03%, kur në të njëjtën periudhë të vitit 2017, ishte 0.7%... Kur Elyse luhatet kaq shpejt, vallë, çfarë mund të ndodhë me qeveritë llafamane, pa produkt, në Europë?!.

E treta, fshehja pas “reformave”

Francezët janë njerëz të mësuar herët me demokracinë. Në Lindje ose diku tjetër, edhe mund të thuash “reformë” dhe t’u mbyllësh gojën të qeverisurve. Macroni po lëkundet pikërisht prej reformave false. “Ne i duam reformat” - tha një i ri parizien – “por ai po i pjek njerëzit”. Hamendjet për homoseksualizëm ishin vetëm akti i fundit.

E katërta, skena botërore

Macroni kishte brohoritur se do të ishte “aktori kryesor” i skenës, por në fakt ka humbur. Në 15 muajt e kaluar, ai u shfaq si lideri “më i ngrënë dhe i pirë” në sofrën ndërkombëtare, por tani nuk ka asnjë rezultat për të treguar. Mbi të gjitha, humbi para Donald Trumpit. Ai mendoi se matej me presidentin e Amerikës, por humbi të gjitha betejat: Për ndryshimin e klimës, për marrëveshjen nukleare me Iranin, etj., ku “doli zot”. Së fundmi, ka hyrë në tensione me qeveritë europiane si në Itali, Poloni e Hungari, për shkak të parullave arrogante mbi emigracionin. Plani i tij për “hot spots” në Libi mbi kërkesat për azil, tani nuk dihet ku ka mbetur. Edhe zonjën Merkel nuk mundi ta ndjekë, veçse formuloi sloganin: “Macroni është Merkeli francez”.

... Elyse po lëkundet. Erërat më së shumti fryjnë prej nevojës së ndryshimit të lojës, prej zëvendësimit të qeverive “globaliste” fjalëmëdha, me qeveri konservatore dhe me shtete kombëtare... Bodyguardi Benalla ishte vetëm “fundi i krizës” në Elyse.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: