Shqiptarët, më shumë karta dhe llogari bankare

Shqiptarët, më shumë karta dhe llogari bankare
Sot çdo qytetar shqiptar ka të paktën një llogari bankare, ndërsa njëri në 2-3 prej tyre disponon një kartë. Shifra këto që janë mjaft larg realitetit të vetëm pak viteve më parë

Më shumë karta dhe llogari bankare se më parë. Kjo është ajo që bie në sy tek qytetarët shqiptarë gjatë kohëve të fundit, teksa për të kryer një veprim financiar, tani preferojnë që t’u drejtohen bankave. Këtë e faktojnë së pari, edhe shifrat gjithmonë e më të larta të disponimit prej tyre të llogarive bankare si të tilla.

Nuk janë pak, por rreth 3.47 milionë të tilla në fundvitin e kaluar, 2016. E thënë ndryshe, një qytetar shqiptar, disponon më shumë se një të tillë, po ta krahasojmë me numrin total të tyre, prej 2.8 milionë, të paktën sipas regjistrimit zyrtar të popullatës, Censusit të vitit 2011.

Kujtojmë se kanë qenë vitet 2012-2013, kur numri total i llogarive bankare vërtitej rreth kësaj shifre. Ishte pikërisht atëherë koha kur mund të thoshim se çdo shqiptar, kishte një llogari në bankë. Por vitet e fundit, kultura bankare, në të njëjtën kohë edhe nevoja për t’iu drejtuar bankave, pasi janë shtuar shërbimet që kërkojnë domosdoshmërinë kalimin përmes tyre, kanë bërë që kjo shifër të tejkalohet.

Ndërkaq, nga totali prej 3.47 milionë llogarish, sot rezulton se pjesa më e madhe e tyre janë personale të individëve, saktësisht rreth 3.23 milionë të tilla. Ndërsa vetëm 210.8 mijë rezultojnë se janë llogari të kompanive të ndryshme private. Që do të thotë se qytetarët shqiptarë tashmë i zgjidhin punët që kanë për pagesa të ndryshme përmes llogarive të tyre personale dhe shumë pak prej tyre, përmes atyre të biznesit që mund të kenë apo edhe mund t’i shërbejnë si të punësuar.

Por natyrshëm, që numri në rritje i llogarive bankare, është i shoqëruar edhe me një shtim të dukshëm të kartave që qytetarët disponojnë. Kështu, në fillim të këtij viti, ato arritën një total prej 1 milionë të tilla, ndërsa tre vjet më parë, kjo shifër ishte vetëm 800 mijë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: