Shqipëria, vendi i mbi 4 mijë pika bastesh

Shqipëria, vendi i mbi 4 mijë pika bastesh
Skënderbeu e pësoi edhe prej imazhi negativ të një vendi ku triumfon korrupsioni dhe nuk dënohet askush. A do t’i kërkojë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv UEFA-s emra konkretë për t’i çuar në burg nëse ka prova për të falur Skënderbeun, ekip që i përket një qyteti me tradita si Korça   

Aranit Muraçi

Një vend me vetëm 2.8 milionë banorë, por që ka 4 mijë pika bastesh sportive... Ky është absurdi që ekziston në Shqipëri, tashmë i kthyer në një shqetësim, i konfirmuar ky edhe prej autoriteteve përkatëse të këtij sektori. Ka qenë vetë

presidenti i monitorimit të kompanive të basteve në vendin tonë, Artan Shyti, i cili e ka bërë me dije një dukuri të tillë, duke shtuar se shifra prej 4 mijë pika bastesh është në fakt pa përfshirë pikat ilegale, kryesisht ato “on-line”. Duke nënvizuar se Shqipëria është treguar e ngadaltë për të hetuar apo ndaluar një situatë të tillë. Edhe pse në fakt, aktiviteti i kompanive të basteve ndodhet nën mbikëqyrjen e organeve të posaçme shtetërore, siç është Autoriteti i Menaxhimit të Lojërave të Fatit, pranë Ministrisë së Financave. Dhe sipas të dhënave që referojnë autoritetet tatimore, ato derdhin në buxhetin e shtetit deri në 14 milionë euro të ardhura. Por absurdi tjetër duket se qëndron në faktin se vetëm tre kompani bastesh janë të licencuara prej këtij dikasteri. Duke krijuar në këtë mënyrë një amulli të madhe, në funksionimin e një tregu të tillë, i cili është lidhur edhe me dukurinë e fiksimit të ndeshjeve.

Mjafton të kujtojmë këtu rastin e ekipit të Skënderbeut, për të cilin dosja e UEFA-s konfirmonte se “i kishte fiksuar ndeshjet e futbollit si askush tjetër në histori”. Konkretisht, dosja për dënimin e Skënderbeut përmban plot 53 ndeshje të dyshimta, kryesisht për ato të luajtura në Europa League, që nga viti 2010. Në fakt, presidenti i këtij ekipi, Ardian Takaj, lidhur me akuzën e basteve të dyshimta është mbrojtur duke thënë se në “një vend të vogël, një klub i vogël me një buxhet të vogël, nuk mund të infektojë sistemin (BFDS)”. Ndërsa dosja e UEFA-s bazohet tek lëvizjet e koeficienteve të basteve pikërisht përmes këtij sistemi, që ka nxjerrë në pah edhe disa paqartësi.

Nga ana tjetër, ka qenë vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili tha se pas raportit të UEFA-s, i kishte kërkuar prokurorisë shqiptare të niste një hetim mbi çështjen në fjalë. “Fiksimi i ndeshjeve nuk është fenomen shqiptar, por fenomen evropian”, theksoi Duka lidhur me një situatë të tillë. E megjithë këto probleme që duket se kanë pikat e basteve, shtimi i tyre nuk po ndalet dhe ato tashmë i gjen kudo në realitetin shqiptar, të mbijnë si “kërpudha”. Kjo, edhe pse disa vite më parë, ndaj tyre u ndërmor një operacion i posaçëm kontrolli, për verifikimin në terren të dokumentacioneve të tyre si biznese. Autoritetet atëherë pohuan me të madhe se do të penalizoheshin të gjitha ato biznese bastesh që nuk ishin në rregull me ligjin dhe pa licencë. Por realiteti tregon se kjo dukuri ende vazhdon dhe në Shqipëri “gëlojnë” plot 4 mijë pika bastesh, të cilat përveçse marrin mjaft kohë nga jeta e qytetarëve, qarkullojnë edhe mjaft pará nga buxheti i tyre.

 

VETINGU

Gjyqtarët edhe prokurorët para KPK: Pasuri nga bastet!

Një tjetër dukuri absurde, e cila ka ndodhur së fundmi në lidhje me çështjen e basteve në vendin tonë, ka qenë ajo që jo pak gjyqtarë apo prokurorë kanë deklaruar para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) se kanë fituar mjaft pasuri nga bastet. Fjala është pikërisht për procesin e vetingut, i cili po kalon në “sitë” pasuritë e secilit prej tyre dhe që çuditërisht, e ka parë pikën e bastit si një “alternativë” për të justifikuar pasurinë e vënë prej tyre.

 

Paralajmërimi i kryeministrit Rama

Edhe qeveria shqiptare ka pasur sinjale për efektin negativ që sjellin kompanitë e basteve në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama u shpreh se ai personalisht synon t’i mbyllë këto “unaza” bastesh “on-line”, duke i quajtur ato qendra të “krimit ekonomik”.

Artan Shyti: Një pjesë e të ardhurave nga bastet, t’u kalojnë klubeve 

Sipas Artan Shytit, një zgjidhje fillestare duhet të jetë që disa nga të ardhurat e basteve ligjore të shkojnë në favor të klubeve të futbollit për të zvogëluar tundimin e “burimeve të paligjshme financiare”. Por para kësaj, mbeten disa çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur lidhur me të ardhmen e Skënderbeut. Në të vërtetë, raporti i UEFA-s lë shumë pikëpyetje: “Kush ka luajtur në baste? Kush ka fituar? Dhe kush duhet të shkojë në burg?” – shtron disa pyetje Shyti. Dhe derisa të marrin përgjigje këto pyetje, sigurisht në CAS, çështja “Skënderbeu” do të mbetet pa zgjidhje.

 

Situata kaotike e Luftëtarit

Si të mos mjaftonte pezullimi i Skënderbeut, një tjetër ekip shqiptar, pjesëmarrës për herë të parë në Europa League, Luftëtari i Gjirokastrës, është akuzuar për rezultate të dyshimta që u shoqëruan edhe me eliminimin e parakohshëm. Humbja 5-0 dhe barazimi 3-3 me ekipin letonez Ventspils u shoqërua me kritika dhe dyshime për ndonjë trukim rezultati, çka dyshimet nuk favorizojnë aspak Skënderbeun në betejën e nisur për të rrëzuar poshtë pezullimin e UEFA-s. Pas situatës kaotike dhe eliminimin, Luftëtari ka nisur riorganizimin përpara sezonit të ri futbollistik.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: