Shkollat, një në 20 nxënës përdor lëndë narkotike

Shkollat, një në 20 nxënës përdor lëndë narkotike
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik duke bërë krahasimet mes dy studimeve të realizuara në vend, deklarojnë se ka rritje të përdorimit të substancave narkotike te të rinjtë e moshës 15-vjeçare

Sonila Isaku

Kontrolloni adoleshentët, pasi mund të jenë konsumues të drogës. Alarmi vjen nga Instituti i Shëndetit Publik. Bazuar në një studim të fundit të kryer nga ISHP, në lidhje me përdorimin e substancave psikoaktive nga fëmijët e klasave të nënta dhe të dhjeta, rezulton se, 1 në 20 nxënës ka konsumuar marijuanë të paktën një herë gjatë jetës.

Shifrat

Në studimin e realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik rezulton se, 6.6% e të pyeturve pohuan se kishin konsumuar marijuanë të paktën një herë gjatë jetës së tyre, krahasuar me përgjigjet pohuese të studimit të mëparshëm, çka tregon një rritje në shifra me 2.2% midis dy studimeve të realizuara nga ekspertët e ISHP-së.

“Djemtë kanë një përqindje shumë herë më të lartë të konsumit të marijuanës, në krahasim me vajzat. Gjithashtu, nxënësit e shkollave private, ata që jetojnë në zonat urbane dhe ata që studiojnë në shkollat profesionale, kanë një prevalencë më të lartë të përdorimit të marijuanës. Numri i atyre që kanë konsumuar marijuanën më shumë se 40 herë, është relativisht i ulët. Sa i takon konsumit të substancave të tjera psikoaktive, 15.3% e nxënësve të klasave të nënta dhe të dhjeta, raportuan se kishin konsumuar të paktën një herë një substancë psikoaktive, duke përfshirë marijuanë, sedativë, alkool bashkë me pilula dhe medikamente kundër dhimbjes. Kokaina është substanca e dytë më e përdoruar pas marijuanës, me 3.7% të nxënësve që e kishin provuar të paktën një herë gjatë jetës, dhe në vendin e tretë renditen inhalantët me 3.5 % të nxënësve të pyetur” - thuhet në studimin e Institutit të Shëndetit Publik.

Sa i takon përdorimit të drogave nga moshat e rritura, rezulton se marijuana është gjithashtu substanca më e përdoruar midis grupmoshës 15-64 vjeç, kokaina është në vend të dytë dhe MDMA/ekstazitë në vend të tretë. Personat që i përdorin më shpesh këto substanca, janë të rinjtë midis moshës 19-34 vjeç.

Abuzimi me drogën

Abuzimi ndaj substancave i referohet përdorimit të dëmshëm dhe të rrezikshëm të substancave psikoaktive, përfshirë alkoolin dhe drogat ilegale. Përdorimi i vazhdueshëm i substancave psikoaktive, mund të çojë në sindromën e varësisë, e cila është një gjendje fizike me një sërë shenjash fizike, mendore dhe të sjelljes, të cilat manifestohen gjatë përdorimit të substancave dhe në mungesë të substancës në organizëm (sindroma e tërheqjes). Substancat ndikojnë në gjithë organizmin por, kryesisht, ato ndikojnë në sistemin nervor qendror që është i përbërë nga truri dhe nervat e shtyllës kurrizore. Substancat psikoaktive ndërveprojnë me neuronet e trurit, duke rritur ose minimizuar ndërveprimin e tyre. Ndryshimi i funksionimit normal të neuroneve në tru, çon në ndryshimin e perceptimeve, mendimeve, emocioneve, sjelljes, por edhe të një sërë funksionesh të tjera të organizmit, si: orientimi në hapësirë dhe kohë, lëvizshmëria, frymëmarrja, rrahjet e zemrës, presioni i gjakut, temperatura e trupit, perceptimet shqisore, sistemi imunitar, etj.

Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i përdoruesve të substancave psikoaktive ilegale në botë gjatë vitit 2008, ishte rreth 155-250 milionë njerëz, pra 5.7% e popullsisë së përgjithshme të grupmoshës 15-64 vjeç. Substanca më e përdorur në gjithë globin, është kanabis me 129-190 milionë njerëz që e kanë përdorur, ndjekur nga substanca të tjera si amfetaminat, kokaina dhe opiodet (heroina, morfina, kodeina, benzodiazepinat).

Parandalimi

Parandalimi dhe trajtimi është i mundur. Njerëzit që kanë problem për shkak të abuzimit dhe varësisë nga substancat psikoaktive, duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes, dhe bashkë me të, të shqyrtojnë mundësitë e dhënies së ndihmës profesionale.

Shqipëria është një vend që i është dashur të përballet me pasojat e abuzimit dhe varësisë nga drogat gjatë 20 viteve të fundit, atëherë kur përdorimi i tyre filloi të jetë problematik në aspektin e shëndetit publik. Vlerësohet se, numri i personave që kanë përdorur të paktën një herë gjatë jetës së tyre një substancë psikoaktive, të jetë midis 60.000-80.000 veta, ndërsa numri i personave të cilët kanë probleme për shkak të abuzimit dhe varësisë, të jetë diku midis 6.000-8.000 veta. Të gjendur përballë këtyre situatave dhe shifrave, duhet të vlerësohen edhe faktorët e rrezikut dhe ata mbrojtës, sa i takon përdorimit ose largimit të të rinjve nga këto vese.

Faktorët e rrezikut dhe ata mbrojtës

Shumë faktorë janë identifikuar që ndihmojnë të dallojnë ata që abuzojnë me drogat, nga ata që janë më pak vulnerabël në abuzim. Faktorë të shoqëruar me potencial më të madh për abuzim drogash, janë quajtur faktorë “të rrezikut”, ndërsa ata të shoqëruar me potencial të ulët për abuzim, janë quajtur faktorë “mbrojtës”. Një faktor rreziku për një person, nuk mund të jetë i njëjtë për një tjetër.

Për shembull, rreziqet e hershme, siç janë sjellje agresive jashtë kontrollit, mund të shihen te një fëmijë shumë i vogël. Nëse nuk drejtohet drejt aksioneve prindërore pozitive, kjo sjellje mund të çojë në rreziqe të shtuara kur fëmija të mbarojë shkollën. Sjellja agresive në shkollë, mund të çojë në mospranim nga bashkëmoshatarët, dënim nga mësuesit dhe dështim akademik. Përsëri, nëse nuk drejtohet nga ndërhyrje parandaluese, këto rreziqe mund të çojnë në sjelljen e menjëhershme që çon një fëmijë në rrezik për abuzim droge, siç janë shoqërimi me bashkëmoshatarë që abuzojnë me drogat. Në fokusimin e mënyrës së rrezikut, programet e parandalimit të bazuara në studim mund të ndërhyjnë në zhvillimin e fëmijës për të forcuar faktorët mbrojtës dhe zvogëlimin e rreziqeve të zgjatura, para se sjellja problematike të zhvillohet. Për shembull, në sferën individuale sjelljet e hershme agresive një faktor rreziku tregojnë mungesë të kontrollit impulsiv, një çelës i faktorit mbrojtës. Duke ndihmuar një të ri të kontrollojë sjelljet impulsive, është një fokusim i disa programeve parandalimi.

Faktorët e rrezikut për abuzim droge përfaqësojnë sfida për një zhvillim social, akademik, emocional të individit. Këta faktorë mund të prodhojnë efekte të ndryshme, në varësi të veçorive të personalitetit individual, fazë e zhvillimit dhe mjedisit. Për shembull, shumë rreziqe serioze, siç janë sjelljet agresive të hershme dhe arritje e keqe akademike, mund të tregojnë që fëmija është në një rrugë zhvillimi të keqe e drejtuar drejt sjelljes problematike.

Tek të rinjtë që tashmë shfaqin faktorë të rrezikut serioz, vonimi i ndërhyrjeve deri në adoleshencë, do ta bëjë më të vështirë për të kaluar rreziqet. Në adoleshencë, qëndrimi i fëmijës dhe sjelljet janë të krijuara dhe nuk ndryshojnë lehtë. Sa më shumë të jetë i shfaqur fëmija ndaj rrezikut, aq më shumë ai do të abuzojë me drogat. Disa faktorë të rrezikut janë veçanërisht të fortë dhe mund të influencojnë në abuzimin me drogat. Duke patur një histori familjar me abuzim substancash e pozicionon një fëmijë në rrezik për abuzim droge.

Megjithatë, në një mjedis me bashkëmoshatarë joabuzues me drogën, i riu ka më pak mundësi të bëhet një abuzues droge. Dhe prania e shumë faktorëve mbrojtës, mund të minimizojë ndikimin e disa faktorëve të rrezikut. Për shembull, mbrojtja e fortë – siç janë mbështetja dhe përfshirja – mund të zvogëlojë influencën e rreziqeve, siç janë qëndrimi me bashkëmoshatarë abuzues-substancash

 

Ku duhet përfshirë një fëmijë që të largohet nga droga?

Materiale

- Të blesh rroba;

- Të blesh një libër ose një revistë për të lexuar;

- Të dëgjosh muzikë në radio;

- Të hash ushqimin e preferuar;

- Të shohësh televizor;

- Të veshësh rroba të pastra;

-Të flesh disa orë më shumë;

Shoqërore

- Të flasësh me familjen ose me miqtë;

- Të zhvillosh një aktivitet sportiv;

-Të kalosh kohë me miqtë;

-Të dalësh për të kërcyer;

-Të ftosh miq në shtëpi;

- Të udhëtosh në grup;

-Të takosh miqtë e vjetër.

Aktivitete

-Të shkosh në fshat;

- Të shkosh në plazh;

- Të bësh punë dore;

-Të thithësh ajër të pastër;

- Të bësh fjalëkryqe;

- Të shëtisësh.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: