SHIFRAT/ Rënia e euros, ja pasojat tek ulja e eksporteve

SHIFRAT/ Rënia e euros, ja pasojat tek ulja e eksporteve
Shifrat e fundit zyrtare rreth eksporteve, tregojnë se ato kanë pësuar një rënie të dukshme gjatë muajit qershor të këtij viti, koha kur euro ishte nën efektet e zhvlerësimit të saj historik kundrejt lekut

Që rënia në pikiatë e monedhë evropiane, po dëmtonte produktet shqiptare “Made in Albania” të cilat shiten jashtë vendit, kjo prej kohësh është denoncuar nga prodhuesit e tyre. Por tashmë duket po dalin “në shesh” edhe faktet se një dukuri e tillë ka ekzistuar vërtet.

Kështu, shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave rreth eksporteve, tregojnë se ato kanë pësuar një rënie të dukshme të tyre gjatë muajit qershor të këtij viti.

“Në qershor 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u rritur me nivelin prej 17.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por duke u ulur me 11.9%, në krahasim me muajin maj 2018”, pohojnë ekspertët. Duke pranuar nga njëra anë trendin tradicional të rritjes së eksporteve nga viti në vit, por nga ana tjetër edhe atë negativ të efekteve të ndryshme, siç është në këtë rast kursi i këmbimit, që krijon pasoja në afate të caktuara.

Kujtojmë se ka qenë pikërisht periudha e muajve prill- maj-qershor 2018, kur monedha evropiane njohu një rënie drastike të saj në këmbimin kundrejt monedhës vendase, lekut. Zhvlerësim ky që duket se u referua menjëherë edhe në sasinë e mallrave për eksport që bënin gati prodhuesit shqiptarë. Sidomos për ato që i përkasin profilit “tekstile dhe këpucë”, ose siç njihen ndryshe edhe fasonë, prodhuesit  të cilëve ngritën edhe më shumë zërin këtë vit për dëmet që po pësonin nga kursi i pavaforshëm i këmbimit për ta.

E thënë më thjesht, ata kanë shitur jashtë më pak mallra në muajt e lartpërmendur, pasi duke qenë se ato blihen me euro, humbisnin më shumë nga kursi se më parë, kur nga i njëjti mall fitonin më shumë lekë teksa i këmbenin ato.

“Grupi ‘Tekstile dhe këpucë’ ndikoi vetëm +1.7% në rritjen vjetore të eksporteve. Ndërsa ai “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me ndikoi negativisht, me -0.1%”, saktësojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me një dukuri të tillë.

Mjafton të kujtojmë këtu, se ritmet e rritjes së eksporteve të tekstileve dhe këpucëve kanë qenë dy-shifrore pak kohë më parë. Por mesa duket, rënia e euros, deri në nivelin prej 124 në pranverën e këtij viti, ka bërë që prodhuesit e tyre të jenë më të kujdesshëm me shitjet, me eksportet, që të mos humbisnin shumë prej tyre, e të prisnin ndoshta kohë më të mira për t’i nxjerrë jashtë ajo.

 

Shteti nuk e ka ndalur shitjen e energjisë, pavarësisht zhvlerësimit të euros në kurs

Shteti shqiptar duket nuk e ka ndalur aspak shitjen e energjisë elektrike, pavarësisht zhvlerësimit minimal të euros në kursin e këmbimit valutor. Këtë e tregon fakti se është pikërisht ky sektor, i cili ka kontribuar edhe më shumë në rritjen ekonomike të vendit, pjesën e parë të këtij viti. “Grupi që ka ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me nivelin prej 5.9%”, vlerëson Instituti i Statistikave, lidhur me një fakt të tillë. Kujtojmë sakaq, se në dukurinë e shitjes së lartë të energjisë elektrike ka ndikuar edhe prodhimi në sasi të madhe sivjet të saj, pas reshjeve të shumta, krahasuar me një vit më parë.

 

Luhatjet në kursin e këmbimit duket se kanë ndikuar dhe në sasinë e importeve

Luhatjet në kursin e këmbimit duket se kanë ndikuar dhe në sasinë e importeve që kanë hyrë në vendin tonë. Edhe pse mund të përfitonin më shumë, teksa blinin mallra nga jashtë me euro, duke nxjerrë më pak lekë nga xhepi, shqiptarët duket se kanë qenë të kujdesshëm me një veprim të tillë, ndërsa euro po tregonte luhatje nga dita në ditë kundrejt lekut. “Importet e mallrave arritën vlerën e 54 miliardë lekëve, duke u ulur me nivelin prej 5%, në krahasim me një vit më parë dhe me 4,9 %, në krahasim me majin 2018”, sqarojnë ekspertët e INSTAT-it lidhur me një dukuri të tillë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: