RASTI "THANZA" SI NJË KAZUS PËR SKEPTIKËT E VETTINGUT – ANALIZË NGA ALFRED PEZA

RASTI "THANZA" SI NJË KAZUS PËR SKEPTIKËT E VETTINGUT – ANALIZË NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka patur shumë dyshime, skepticizëm, qëndrime refraktare, entuziazëm fals dhe pothuajse pak ose aspak realizëm, në lidhje me pritshmëritë e reformës në drejtësi në përgjithësi, por veçanërisht në lidhje me procesin e vettingut. Një proces që me pak fjalë, shërben si një filtër i trefishtë i tri p-ve të famshme (pasuria+ personaliteti+ profesionalizmi), për 800 gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër, që kërkojnë të vijojnë të bëhen pjesë edhe e sistemit të ri të drejtësisë së reformuar që nga themelet.

Dhe nuk është se nuk kishin arsye për të qenë skeptikë, madje deri në ekstrem, po të kemi parasysh përvojën e këtyre 27 viteve të shqiptarëve me drejtësinë, e cila duhet pranuar se ishte kolona më e kalbur e shtetit shqiptar. Një kolonë që, si në një shtëpi të vjetër, pritej të rrëzohej nga momenti në moment, për të na zënë të gjithëve brenda, duke e çuar shoqërinë dhe pushtetet e tjera në kolaps.

Kjo situatë e krijuar vit pas viti dhe ndryshim qeveri pas qeverie, erdhi për shkak të kapjes së drejtësisë nga politika, krimi dhe mbi të gjitha nga korrupsioni. Duke e bërë këtë sistem më të urryerin ndër qytetarët dhe më të pabesueshmin për ndërkombëtarët, që veçonin në çdo rast ngritjen në sistem të kulturës së mos ndëshkueshmërisë së krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, në Shqipëri. Një kulturë kjo që e kishte asfiksuar institucionin e së drejtës dhe po vriste shpresat për të ardhmen në një vend të varfër dhe me njëmijë e një probleme të tjera.

Pas disa muajsh nga fillimi i procesit të vettingut dhe përpjekjeve për të zbatuar reformën në drejtësi me anë të ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë, duket se këtë javë ka patur një shkreptimë të parë, një dritëz të zbehtë gjithsesi, por shumë premtuese dhe shpresëdhënëse. Ka patur një çështje, një vendim që me siguri do të shndërrohet edhe në një kazus, që do të tregojë se më në fund drejtësia do të mund të bëhet edhe në këtë vend historikisht të padrejtë, edhe pse bota ende duket larg për t’u përmbysur.

Çfarë ka ndodhur?

Admir Thanza është një emër gati gati i palakuar ndonjëherë në sistemin e kaluar të drejtësisë, por i njohur, për shkak të një karriere brilante, për tu patur zili nga kushdo që zotëron një diplomë jurisprudencë në Shqipëri, ose që ëndërron një ditë të bëjë karrierë si jurist. Ende pa mbushur 50 vjeç, ka provuar të jetë anëtar i çdo hallke të lartë të sistemit të drejtësisë shqiptare: Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, anëtar i Gjykatës Kushtetuese në moshën 40-vjeçare dhe aktualisht anëtar i Gjykatës së Lartë.

E atëherë kur gjithkujt i dukej nga larg se kishte arritur majat, ai vetë ka parë brenda pak çastesh në sallën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që është shkalla e parë e procesit të vettingut, se e gjithë kjo botë kaq e bukur dhe e lakmuar, të shembej me një goditje, si një kala rëre, përpara syve të tij dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët ndiqnin drejtpërdrejtë nga ekranet e televizioneve, seancën. Relatori i çështjes i ka komunikuar problemet e konstatuara gjatë procesit të verifikimit të tij, me pasuritë e deklaruara, me fshehjen e të ardhurave dhe me problemet në formularët e deklarimit, pranë institucionit të kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Por as këto dhe as problemet e mëdha të konstatuara në vlerësimin e tij profesional, për mënyrën e administrimit të dosjeve të gjykuara përgjatë karrierës së tij, nuk ishin asgjë përpara diçkaje tjetër, edhe më të madhe e mbi të gjitha, edhe më të rëndë. Integriteti i figurës së gjyqtarit Admir Thanza mori një goditje brutale, kur u artikuluan të dhënat e grumbulluara për të nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, një organ ky i drejtësisë së re i cili mbikëqyr dhe ndihmon procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ata zbuluan të martën se, Admir Thanza ka qenë i dënuar në vitin 1999 për vjedhje në shtetin fqinjë, Itali, ku edhe është dënuar nga gjykatat me vendim të formës së prerë. Gjatë seancës, anëtari i Gjykatës së Lartë shqiptare tha se e kishte marrë përsipër krimin për të ndihmuar një të afërm të tij, por ai e ka mbajtur të fshehtë dhe nuk e ka deklaruar këtë fakt, megjithëse e ka detyrim ligjor.

Ngjarja ka ndodhur në qershorin e 19 viteve më parë, ndërsa Thanza ishte në funksionin e gjyqtarit në Shqipëri, kur ai u dënua me 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë nga Gjykata e Pizës, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim me të tjerët. Një detaj tjetër që u bë publik, ishte edhe fakti se gjyqtari shqiptar Thanza, ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit në Itali, kur është dhënë ky vendim për të. Alibia e tij ishte se nuk e kishte kryer vetë vjedhjen, por e kishte marrë përsipër aktin e kunatës së tij, me qëllim që të shpëtonte nipin e shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë. Nëse do të dënohej e ëma, atëherë ajo do të riatdhesohej në Shqipëri, e në këtë mënyrë, nipi nuk do të kishte mundësi të kurohej - tha ai.

  1. Thanza iu bë e ditur dhe një tjetër fakt i dy viteve, të cilin ai gjithashtu nuk e kishte deklaruar në formularët e vettingut. Për të figuron të ketë një procedim penal për korrupsion. Policia ka qenë duke vëzhguar të afërmen e një të dyshuari për një vepër penale, kur ka filmuar takimin e saj me gjyqtarin Thanza. Dyshimet kanë qenë për një pagesë të bërë në favor të tij, që ai të ndërhynte për të lehtësuar pozitën e të akuzuarit në gjykatën e Shkodrës. Çështja ndaj gjyqtarit Thanza është mbyllur në korrik të vitit 2016. As alibitë, as "harresa" dhe as lotët e anëtarit të Gjykatës së Lartë, me sa duket nuk do mund ta lehtësojnë dot pozitën e tij dhe pavarësisht se vendimi do të artikulohet pas pak ditësh, fati i tij i ardhshëm, me sa duket është paravendosur tashmë.

Çfarë tregon ky rast?

Admir Thanza nuk është as i pari dhe as i fundit ndër gjyqtarët ose prokurorët që kanë "ngecur" brenda filtrave të procesit të "vettingut", pa mundur të kalojnë në anën tjetër e për të qenë edhe pas kësaj pjesë e sistemit të ri të drejtësisë shqiptare. Disa prej tyre, një numër shumë shumë i vogël në fakt, u tërhoqën vetë nga afati tremujor që i jepte ligji para se të hynte në fuqi. Ata ishin të vetmit që arritën të përfitonin nga "amnistia" e reformës, duke ia paraqitur me shkrim vendimin e tyre për largimin nga sistemi, Presidentit të Republikës.

Ndërsa një pjesë tjetër, në një numër që megjithëse shumë ngadalë po vjen duke u shtuar, duke krijuar tashmë një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh që mbetën në klasë, për arsye nga më të ndryshmet. Kryesisht, për arsye të mosjustifikimit të pasurive të vëna gjatë periudhës kur kanë ushtruar funksionet brenda sistemit. Ngelja në klasë e shumicës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për çështjen e formularëve të pasurisë, po krijonte përshtypjen dhe te disa bindjen se, procesi i vettingut nuk qenka gjë tjetër, veçse një proces ku në një shtet si Shqipëria, do të duhet të gjesh faturat e blerjeve dhe shpenzimeve edhe përgjatë periudhave kur ky koncept dhe kultura e fiskut deri vonë, as që ekzistonte.

Rasti "Thanza" ishte dëshmia e parë, e plotë, e besueshme, profesionale dhe e thelluar, që tregoi krejt të kundërtën. Publikimi i të gjitha gjetjeve për anëtarin e Gjykatës së Lartë, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me çështjet pasurore, por edhe ato që kishin të bënin me personalitetin dhe integritetin e tij individual si gjyqtar dhe i profesionalizmit përgjatë gjithë kohës së ushtrimit të funksioneve që ka mbajtur deri më sot, e ngriti këtë rast në lartësinë e një kazusi.

Tashmë, jo vetëm qytetarët që presin kaq shumë nga reforma në drejtësi dhe nga vettingu që e shoqëron atë, por edhe më skeptikët kanë një pasqyrë të qartë e të plotë, për të parë se çfarë pritet të ndodhë tani e tutje me këtë proces. Ndaj, gjithkush është edhe më besimplotë pas kësaj se, ata që po dridhen më shumë nga rasti "Thanza", janë ata jo pak kolegë të tij në gjykata e prokurori, të cilët nuk e kishin marrë seriozisht reformën e thellë në drejtësi. Një reformë e cila këtë javë, ka marrë një shtytje shumë të fortë pozitive për herë të parë, për pritshmëritë e atyre 95% shqiptarëve që kishin aq shumë besim si kurrë më parë, tek ndonjë reformë tjetër të ndërmarrë deri më sot në këtë vend.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: