Qeveria nxjerr VKM-në: Për fëmijët nga klasa e parë deri në të katërt, librat falas

Qeveria nxjerr VKM-në: Për fëmijët nga klasa e parë deri në të katërt, librat falas
Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e sotme që nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt tu jepen tekstet shkollore në përdorim falas.

Gjatë mbledhjes, qeveria vendosi se çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin.

“ Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt", thuhet në VKM.

Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.

Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.

Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: