Qeveria indeksion pensionet, sa përfiton çdo kategori

Qeveria indeksion pensionet, sa përfiton çdo kategori
Duke nisur nga data 1 korrik, pensionistët përfitojnë indeksim të pensionit të tyre në masën 2.8%.Kjo do të thotë se, për një person që merr pension mesatar, në llogarinë e tij do të shtohen rreth 364 lekë.

Sonila Isaku

Duke nisur nga dita e djeshme, pensionet janë indeksuar në masën 2.8%. E përkthyer në shifra, rritja për një pension mesatar do të jetë 354 lekë/muaj. Përfitues të kësaj rritjeje janë rreth 665 mijë persona.  Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, thotë se numri i përfitueseve është 665 mijë. “Të gjithë pensionistët që do ta tërheqin këstin e tyre mujor të pensionit nga data 1 korrik, do ta kenë bashkë me indeksimin që është në masën 2.8%. Të gjithë pensionistët që ne paguajmë, do të kenë në masën e pensionit të muajit korrik, 2.8% më shumë të masës së pensionit. Nuk rriten me 2.8% dhe kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Numri i përfituesve është rreth 665 mijë pensionistë” - pohon Hado.  Kështu, sipas kategorive të pensioneve, pas rritjes me 2.8 %, pensioni minimal nga 13.014 lekë do të shkojë në 13.378 lekë; pensioni maksimal nga 26.027 lekë në 26.756 lekë; dhe pensioni i fshatit nga 8.911 lekë shkon në 9.161 lekë.

Fondi i vënë në dispozicion është 1.55 miliardë lekë deri në dhjetor, dyfish i rritur për vitin që vjen. Masa e indeksimit të pensionit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë shportën e ushqimeve, nevojat bazike për një pensionist.

Kush përfiton

Vendimi i qeverisë i miratuar pak ditë më parë, ka përcaktuar edhe të gjitha kategoritë e pensioneve të cilat do të përfitojnë rritjen prej 2.8%. Kështu, pensionet sociale, pensionet e invaliditetit, punonjës të minierave, ndërmarrjeve ushtarake, pensionistët të cilët mbushin moshën dhe vjetërsinë në punë sipas procedurave të parashikuara në ligj, pensionet e ish-ushtarakëve, ish-oficerëve, akademikët, lundruesit, do të jenë përfitues së rritjes së pensionit. Por edhe pensionet e caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, ku përfitues janë kategori të tilla si ish-punonjës të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri e të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm etj.

Masa e pensioneve

Por krahas rritjes me 2.8%, vendimi i qeverisë përcakton edhe masën e pensionit minimal. Kështu, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr. 150/2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13.378  lekë në muaj dhe më shumë se 26.757 lekë në muaj. Sa i takon pensioneve të plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, me datë fillimi deri më 31.12.2014,  pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 9.161 lekë në muaj, por jo më shumë se 13.378 lekë në muaj. Sa i takon masës së pensionit të parakohshëm që nga data 1 korrik 2018, nuk do të jenë më pak se 13.378 lekë në muaj.

Ndërkohë që rritje me vendim të qeverisë pësojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, e thënë ndryshe shuma e pensionit mujor të parakohshëm, plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15.028 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë deri në 14.528 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare deri në 9.851 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit nr. 7703 datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Po kështu, pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund të jenë më të vogla se 15.528 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27.257 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit, nuk mund të jenë më të vogla se 10.051 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15.528 lekë në muaj.

Tabela

Ishte                                                    Shtesa                                     Bëhet

8.911 lekë                                            250                                            9.161 lekë

9.579 lekë                                            268                                            9.847 lekë

12.360 lekë                                          346                                          12.706 lekë

14.420 lekë                                          403                                          14.823 lekë

15.450 lekë                                          432                                          15.882 lekë

16.480 lekë                                          461                                          16.941 lekë

17.510 lekë                                          490                                          18.000 lekë

18.540 lekë                                          519                                          19.059 lekë

19.570 lekë                                          547                                          20.117 lekë

20.600 lekë                                          576                                          21.176 lekë

22.660 lekë                                          634                                          23.234 lekë

24.720 lekë                                          692                                          25.412 lekë

26.027 lekë                                          729                                         26.756 lekë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: