Problemet e zemrës, kujdesi që duhet të tregojmë gjatë verës

Problemet e zemrës, kujdesi që duhet të tregojmë gjatë verës
Parainfarkti, çrregullimet e ritmit si dhe një sërë sëmundjesh të tjera, janë ato që hasen më shpesh përgjatë periudhës së verës. Mjekët kardiologë pohojnë se, këshillat në këtë stinë nuk janë të rëndësishme vetëm për pacientët me sëmundje kardiovaskulare, por edhe për ata persona që janë të shëndetshëm

Sonila Isaku

Nisja e temperaturave të larta përgjatë këtyre ditëve, ka bërë që mjaft persona të kenë probleme me zemrën, qofshin këta të sëmurë kronikë ose të shëndetshëm. Të gjendur përballë këtyre situatave, mjekja kardiologe në QSUT, Dr. Albana Doko, këshillon jo vetëm të sëmurët kardiakë, por edhe njerëzit e shëndetshëm për mënyrën e jetesës dhe përballimin e temperaturave të larta. Ngritja e temperaturave është një nga shkaqet e rritjes së sëmundshmërisë dhe vdekjeve në popullatë. Të nxehtit mund të shkaktojnë rraskapitje, goditje cerebrale, keqësim të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore.

I nxehti

Moti i nxehtë nuk ka të njëjtat efekte te të gjithë kategoritë e popullatës. Për shembull, pacientët me sëmundje të zemrës dhe sëmundje të tjera kronike, të moshuarit dhe fëmijët, sportistët, ata që kanë probleme të shëndetit mendor, janë më të prirur për të pasur pasoja nga moti i nxehtë. Gjatë ditëve me temperatura të larta, trupi humbet nxehtësinë nëpërmjet djersitjes dhe avullimit të djersës. Zgjerimi i enëve të gjakut të nënlëkurës, sjell uljen e temperaturave të trupit. Në mënyrë fiziologjike, kjo situatë shkakton uljen e presionit të gjakut dhe rritjen e rrahjeve të zemrës, që nënkupton rritjen e punës së zemrës për pompimin e gjakut në enët e nënlëkurës, për të ekuilibruar rritjen e nxehtësisë së trupit. Mekanizmat ftohës të trupit nuk funksionojnë siç duhet, edhe në pacientët mbipeshë, ndërsa vetë mbipesha është një ngarkesë shtesë për zemrën. Njerëzit që vuajnë nga hipertensioni, mund të kenë ulje të vlerave të presionit të gjakut dhe një pjesë e tyre mund të ndërpresin ose të ulin dozat e medikamenteve që marrin gjatë stinës së verës, por gjithmonë nën këshillat dhe rekomandimet e mjekut të tyre.

Problematikat

Edhe te njerëzit e shëndetshëm, mund të ndodhë keqësimi i gjendjes fizike për shkak të temperaturave të larta, si pasojë e humbjes së ujit dhe kripërave të organizmit, nga djersitja e shtuar. Këta njerëz mund të ankohen për dhimbje koke, djersitje ekstreme, dridhje, marrje mendsh, ndjenjë të fikëti, të përziera, të vjella, lëkurë të ftohtë dhe të lagësht, puls të dobët dhe të shpejtë, krampe muskulore, frymëmarrje e shpejtë dhe sipërfaqësore. Këto ankesa vërehen sidomos në njerëz që kanë një punë të rëndë ose të zgjatur nën ekspozimin e temperaturave të larta, sportistët ose ata që ushtrohen fizikisht. Në këto raste, personi që manifeston simptomat dhe shenjat e mësipërme, duhet të transportohet në vende të freskëta ose nën hije, duhet t’i hiqen rrobat dhe të lihet të pushojë derisa këto shqetësime të zhduken. Një dush me ujë të vakët, mund të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes. Nëse ankesat persistojnë më shumë se 1 orë, personi duhet transferuar në spital. Në disa raste, ankesat janë të ekzagjeruara dhe dyshohet goditja nga i nxehti, e cila është një situatë serioze që manifestohet me ngritje të temperaturës së trupit mbi 39 gradë dhe lëkura bëhet e thatë e nxehtë dhe e kuqe. Mund të shoqërohet me dridhje të kokës, puls nën limitet e normës, të përziera, marrje mendsh dhe alterime të gjendjes mendore, të vjella dhe lëvizje të pavullnetshme.

Këshilla

Për të ulur influencën e temperaturave të larta, pini shumë ujë dhe shmangni pijet alkoolike, pijet e nxehta dhe kafeinën. Për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit, përdorni kapele të plota me strehë, syza dielli dhe kremra mbrojtës. Nuk rekomandohet dalja nga shtëpia midis orës 11:00-15:00, që është intervali më i nxehtë i ditës. Bëni punët e përditshme në mëngjes, përpara se temperaturat të ngrihen. Shmangni ushqimet kalorike dhe të rënda. Konsumoni sasi të vogla ushqimi të ftohtë, perime dhe fruta të freskëta gjatë ditës. Mbani akull në frigoriferi. Dushi nuk duhet bërë me ujë të ftohtë, por të vakët. Mbani freskët banesën. Mbani dritaret të mbuluara me perde ose grila gjatë ditës. Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, nëse nuk keni ajër të kondicionuar. Temperaturat e mjedisit me kondicionim, nuk duhet të ulen më shumë se 25 gradë. Vishni rroba të lehta, të holla, me ngjyra të çelëta dhe mundësisht prej pambuku, pasi është avullimi i djersës më shumë se vetë djersitja që ul temperaturën e trupit. Përdorni këpucë të përshtatshme – ajrosni këmbët dhe mbani higjienë të mirë të tyre. Shmangni aktivitetet fizike gjatë mesditës, kur ekspozimi ndaj diellit është ekstrem. Në verë, ju mund të bëni aktivitete fizike në mëngjes dhe në mbrëmje, kur ekspozimi ndaj diellit është minimal. Njerëzit që bëjnë rregullisht aktivitet fizik, nuk duhet të ndalojnë aktivitetin fizik në verë, pasi 4-6 javë inaktivitet fizik eliminojnë efektet përfituese të tij. Në temperatura të larta dhe lagështirë të madhe, intensiteti dhe zgjatja e ushtrimit duhet të kufizohet. Mundësisht të jeni të shoqëruar me të tjerë për më shumë siguri. Pini shumë ujë përpara, gjatë dhe pas aktiviteteve fizike, për të shmangur dehidrimin. Nëse jeni mbi 50 vjeç dhe keni një sëmundje zemre, duhet të konsultoheni në mënyrë të veçantë me mjekun tuaj. Edhe për pacientët kardiakë me kufizime në regjimin hidrik, këshillohet konsumi i 1.5 litra ujë në ditë. Nëse në këta pacientë krijohen situata me humbje të shtuar lëngjesh, mund të konsumohet edhe sasi më e madhe uji, pasi të këshillohen me mjekun e tyre. Disa medikamente të veçanta si betabllokuesit, ACE–i diuretikët, kalçibllokuesit mund të modifikojnë përgjigjen metabolike ndaj të nxehtit. Trankuilizantët dhe antikolinergjikët janë medikamente që mund të rrisin rrezikun e goditjes nga dielli.

 

Këshilla

Mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli!

Pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj.!

Konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione!

Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta!

Freskoni dhomat me ventilatorë ose kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25°C!

Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë kondicioner para se të lëvizni me të!

Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina!

Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25°C!

Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit!

Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C, dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur!

Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: