Politika në një zë: Koncesionet pa garë po shkatërrojnë ekonominë!

Politika në një zë: Koncesionet pa garë po shkatërrojnë ekonominë!
Pozita dhe opozita kërkojnë që të dyja ndryshimin e  ligjit ekzistues të koncesioneve, për të mos lejuar më që të aplikohen ata të formës me“ofertë të pakërkuar”

Koncesionet e dhëna pa garë, po e shkatërrojnë ekonominë vendase, prandaj ato nuk duhet që të aplikohen më. Duhet patjetër të ndryshojë ligji i tyre.

Në një përfundim të tillë kanë arritur dje deputetët e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, teksa kanë debatuar pikërisht mbi ato që quhen si koncesione me “ofertë të pakërkuar”.

Kujtojmë se me këto të fundit janë iniciuar projekte të rëndësishme të tilla si Rruga e Arbrit, porti i Karpenit, deri edhe tek Aeroporti i Kukësit, që u miratua vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e qeverisë.

Risia këtë herë ka qenë fakti se kundër tyre nuk kanë dalë vetëm deputetë të opozitës, por edhe ata të mazhorancës.

Kështu, vetë kryetari i këtij komisioni parlamentar, deputeti Erion Braçe, i ka shigjetuar të tilla forma koncesionare. Duke arritur deri aty sa të thotë se në shtator do të propozojë heqjen e tyre nga ligji aktual i koncesioneve. Sipas tij, nuk janë pak, por plot 319 kontrata të dhëna pa garë, që po i sjellin dëm jo vetëm ekonomisë shqiptare, por edhe qytetarit.

Fakti që janë mbi 300 të tilla, për Braçen, nuk do të thotë aspak se kanë qenë përjashtime.

“Janë nënshkruar minimumi 319 kontrata koncesioni, apo PPP, që po e shkatërrojnë Shqipërinë, si hidrocentrale të mesëm, apo të vegjël. Sipas kësaj forme, qytetarët shqiptarë paguajnë tarifa nga porti i Durrësi, deri te kolaudimi i makinave. Janë të paktën pesë koncesione të tjera shërbimesh, ku nuk paguan drejtpërdrejt qeveria, por qytetari. Për mua, kontrata koncesionare me formulë të ofertës së pakërkuar nuk duhet të ketë. Unë kam një vit që e kritikoj publikisht formën e ofertës së pakërkuar. Pasi nuk është përjashtim nga rregulli kur janë mbi 300 kontrata të tilla”, tha ai.

Kujtojmë sakaq, se Ministria e Financave ka marrë përsipër të hartojë ligjin e ri për koncesionet, ku ndryshimi kryesor që ajo kërkon të realizojë brenda tij është pikërisht rritjen e kontrollit gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të formave koncesionare, ose ndryshe PPP, në mënyrë që ato të mos ndikojnë në rritjen e borxhit të brendshëm publik. Ky ka qenë në fakt e rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili herë pas here në raportet e tij të fundit mbi Shqipërinë ka apeluar që të tregohet mjaft kujdes me PPP-të dhe programin “1 miliard euro”.

Ligji i Partneritetit Publik Privat si i tillë, njeh dy mënyra për dhënien e një kontrate koncesionare. E para, është ajo tradicionale, kur shteti afron kompanitë private të bëjnë një ofertë, kundrejt një projekti të caktuar e në këtë rast bëhet një tender. Kurse në rastin e dytë, një kompanie private i lind ideja e zgjidhjes së një problemi publik dhe bën një “kërkesë të pakërkuar”. Këtë herë, qeveria i jep një avantazh asaj në tender, të njohur si “bonus”.

 

LSI, letër Kuvendit: Të ndryshohet patjetër ligji aktual i koncesioneve!

“Shqetësime të mëdha që kanë lindur lidhur me zbatimin e ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Por edhe ndjeshmëria tepër e lartë publike, mbi mungesën totale të transparencës në dhënien e koncesioneve dhe klientelizmin e shfrenuar korruptiv qeveritar të lidhur me to. Si dhe përdorimi i fondeve shumë të mëdha shtetërore në koncesione tepër të dyshimta dhe pa asnjë impakt pozitiv për publikun”.

Këto janë arsyet, që sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, duhet patjetër që të ndryshojë ligji për koncesionet dhe nga Kuvendi të merret në shqyrtim kërkesa në fjalë, e paraqitur prej disa kohësh nga kjo forcë politike.

“Kjo situatë dëshmon plotësisht se veprimtaria parlamentare nuk udhëhiqet më nga Rregullorja e Kuvendit, por vetëm nga interesat e ditës së maxhorancës”, shkruhet në letrën e LSI-së, drejtuar Kuvendit.

 

PD: Tenderat me ofertë të pakërkuar, po eliminohet gara e pastër mes kompanive

Dhënia e koncesioneve dhe tenderave me ofertë të pakërkuar, po kthehet në një praktikë pune prej qeverisë, duke eliminuar garën mes kompanive.

Një akuzë e tillë u ngrit dje nga Partia Demokratike, përmes deputetes së saj, Jorida Tabaku në komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Sipas saj, madje edhe 4 nga 7 projektet e paketës “1 miliard” janë dhënë pikërisht në këtë formë.

“Forma e ofertës së pakërkuar ekziston në çdo lloj prokurimi dhe shërbimi që jep qeveria. Është e vërtetë që ka qenë në ligj, por ai po aplikohet në ligje speciale duke filluar që nga aeroporti i Vlorës, Rruga e Arbrit, Karpeni, etj, dhe kjo po e shkel ligjin e koncesioneve”, akuzoi ajo.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: