Po forcohet industria e qumështit, në rritje sasia e grumbulluar nga fermerët

Po forcohet industria e qumështit, në rritje sasia e grumbulluar nga fermerët
Industria e qumështit po njeh një forcim në Shqipëri. Duke i ofruar konsumatorit produkte të përpunuara të tij dhe duke u larguar nga përdorimi i atyre të drejtpërdrejta që ofrohen nga fermerët, në tregun informal të qumështit.

Këtë e faktojnë të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të sasisë së qumështit të grumbulluar nga fabrikat e përpunimit.

“Në vitin 2017, sasia e qumështit të grumbulluar është rreth 131 mijë ton, duke shënuar rritje me 4.99%, krahasuar me vitin e mëparshëm”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it.

Kujtojmë se gjatë vitit 2016, ky tregues llogaritej të ishte në rreth 125 mijë tonë, siç pohonte edhe Instituti Evropian i Statistikave (Eurostat), mjaft i ulët në krahasim me normat evropiane. Por mesa duket realiteti po ndryshon edhe në vendin tonë, duke e forcuar trendin e grumbullimit të qumështit pranë fabrikave dhe duke iu larguar përherë e më shumë shitjeve ambulante të tij, edhe pse këto në fakt, vazhdojnë të jenë të pranishme në rang vendi.

Ndërkaq, para pak kohësh, lidhur me një dukuri të tillë, ka lëshuar një apel të posaçëm edhe vetë ministri i Bujqësisë , Niko Peleshi, sipas të cilit, konsumatorët duhet të konsumojnë produktet e qumështit që ofrojnë fabrikat, pasi vetëm ato janë plotësisht të garantuara dhe brenda standardeve të sigurisë ushqimore.

Nga ana tjetër, për të kaluar në detaje, ekspertët e statistikave pohojnë se gjatë vitit të kaluar sasia e qumështit të lopës të grumbulluar ka qenë në sasinë prej rreth 110 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 6.55%, krahasuar me vitin pararendës 2016. Kurse ajo e qumështit të deles është rreth 13 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 1.54%, krahasuar me një vit më parë.

Ulje mesa duket ka shënuar vetëm sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 9 mijë ton, duke shënuar një rënie me 8,04 %, krahasuar me vitin 2016.

 

Më pak gjedhë, por më shumë qumësht prej tyre në fabrika

Numri i tyre po njeh një pakësim të madh, nga viti në vit, por ama sasia e qumështit të grumbulluar prej tyre në fabrikat e përpunimit ka ardhur duke u rritur.

Kjo është situata me gjedhët në Shqipëri, të cilat po sipas INSTAT-it kanë njohur vjet një pakësim të tyre deri në 475 mijë krerë në rang vendi, nga 492 mijë në vitin pararendës, 2016.

Por mesa duket situata është pak e ndryshme në lidhje me bagëtitë e imëta, të cilat janë shtuar më shumë se lopët nga viti në vit, duke arritur deri në një numër total prej 1.407 mijë të tilla në rang vendi.

Ama, sasia e qumështit të grumbulluar në fabrika prej tyre nga fermerët ka qenë më e ulët sesa ajo e siguruar prej lopëve.

Teksa duhet thënë, se grumbullimi i qumështit të dhive, të cilat jetojnë kryesisht në zona më malore duket një gjë edhe më e vështirë se dy kategoritë e para e këtë e tregojnë shifrat negative të vitit të kaluar, në krahasim me vitin pararendës, 2016.

“Sasia e djathit të përpunuar pësoi një rënie me 24.02%, ndërsa prodhimi i gjalpit shënoi një rritje me 6.55%, krahasuar me një vit më parë”, janë disa shifra të tjera që komunikon INSTAT-i.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: