PËRMBYTJET/ Japonia bën bilancin e fatkeqësisë: 179 të vdekur dhe 70 të zhdukur

PËRMBYTJET/ Japonia bën bilancin e fatkeqësisë: 179 të vdekur dhe 70 të zhdukur
Ndërsa situata është ende e rëndë në Japoninë e përfshirë në një valë përmbytjesh, bilanci paraprak flet për 179 të vdekur dhe 70 persona të zhdukur.

Kjo është konsideruar një ndër fatkeqësitë më të mëdha natyrore të dekadave të fundit në vendin aziatik.

Shirat me rrebesh shkaktuan rrëshqitje dhe përmbytje në zonat qendrore dhe perëndimore.

Më shumë se 8 milionë njerëz janë urdhëruar të evakuojnë shtëpitë e tyre.

Shiu është zbutur, por vendi vazhdon të vuajë nga dëmet e mëdha të shkaktuara prej tij.

Ky është numri më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga reshjet në Japoni që nga viti 1982.

“Rreth 270 mijë familje nuk kanë patur furnizim me ujë dhe mijëra shtëpi të tjera mbetën pa energji elektrike”, raporton BBC.

Prefekturat e Okayama, Hiroshima dhe Yamaguchi pësuan goditjen më e rëndë, sidomos në Okayama.

Mijëra njerëz aktualisht jetojnë në strehimore të përkohshme, në salla dhe palestra shkollash.

Por krahas fatkeqësisë, ka edhe një lajm të mirë: Një kalë pony mbijetoi tre ditë i bllokuar mbi një çati, para se të shpëtohej nga punonjësit e emergjencës, kur ujërat u tërhoqën.

Më shumë se 70 mijë punonjës të shpëtimit janë të përfshirë në përpjekjet për ndihmë, duke përfshirë shërbimin e zjarrfikësve dhe ushtrinë.

Agjensia meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar se mund të ndodhin rrëshqitje të reja toke.

Kryeministri Shinzo Abe ka anuluar një udhëtim jashtë shtetit për t'u marrë me krizën e përmbytjeve. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: AFP dhe Getty Images

Shpërndajeni me miqtë tuaj: