Olayinka, “dëshirë shqiptare” për suksese imagjinare

Olayinka, “dëshirë shqiptare” për suksese imagjinare
“Xhevahirët” vijnë dhe ikin pa u vënë re! Si të mos mjaftojë mungesa apo vizioni për zhvillimin e talentit në Shqipëri, Peter Olayinka u largua dy vjet më parë nga Skënderbeu, por u shit dy ditë më parë për 3.2 mln euro, ose sa buxheti i tre klubeve në Kategorinë Superiore

Aranit Muraçi     

Talenti lind dhe zhvillohet. Për të vlerësuar dhe zhvilluar dikë tek i cili spikat talenti duhen së pari njerëz kompetentë të fushës, me të cilët vendi ynë del “zbuluar” se nuk i ka, ose nuk dëshiron t’i ketë, kështu që edhe nga mungesa e tij s’ka arsye për “vajtim”.

Pak futbollistë shqiptarë janë shitur në një vlerë rekord për tregun tonë, deri në 1 mln euro, ndërsa një klub tjetër i huaj fitoi 2 mln euro nga shitja e një futbollisti nigerian, i zbuluar në Shqipëri, edhe pse nuk luajti asnjë ndeshje me të.

Nisur nga rasti në fjalë bëhet edhe më absurd reklamimi vazhdimisht i “ekspertëve” dhe “specialistëve” të futbollit dhe sportit shqiptar.

Ata së pari duhet të dinë se rreth pesë vjet më parë në Ballsh mbërriti një adoleshent me ngjyrë, i cili vinte nga Nigeria e largët. Ai erdhi me ëndrrën siç vijnë shumë futbollistë të tjerë nga Afrika, për të ndërtuar të ardhmen në Europë. Bylis i dha një shans dhe ai shkëlqeu në edicionin e parë, në Shqipëri.

Iu propozua FSHF-së që t’i jepej nënshtetësia shqiptare dhe Peter Olayinka të bëhej i pari futbollist me ngjyrë në Kombëtaren shqiptare.

Por ndryshe nga Franca, që sapo u shpall kampione Bote me thuajse të gjithë lojtarët ekipit të saj me ngjyrë, apo edhe nga Belgjika që doli e treta në botë, në Shqipëri pati reagime të shumta, deri raciste, se “ç’na duhet një zezak në kombëtare?!”.

Nga mungesa e vizionit dhe zhvillimi kaotik i futbollit tonë, ekspertët dhe kompetentët e fushës nuk i japin dot përgjigje faktit se përse Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që përsërit historinë e saj, duke mbetur me ëndrrën e madhe të pjesëmarrjes së parë në finalet e Kupës së Botës.

“Ekspertët” në Shqipëri u ndodh që të flasin tërë jetën e tyre mbi çështje të tjera dhe dalin në pension me këtë ëndërr, si të gjithë tifozët.

Bylis i Ballshit e mori falas dhe e shiti për një shifër nën 200 mijë euro te Skënderbeu. Klubi korçar fitoi rreth 1 milionë euro nga shitja e kartonit të tij. Klubi i parë i huaj në Europë, jashtë Shqipërisë, që bleu kartonin e nigerianit arkëtoi plot 2 mln euro vetëm sepse arriti të vlerësojë cilësitë dhe talentin e tij, në kohë.

Është gati buxheti i dy sezoneve për një klub shqiptar të Kategorisë Superiore që synon një vend në Kupat e Europës.

Peter Olayinka u ble nga Gent i Belgjikës dhe iu bashkua ekipit çek Sllavia Pragë përmes një kontrate 4-vjeçare. Slavia e Pragës sapo pagoi 3,2 mln euro për kartonin e tij nga Gent.

“Jam shumë i lumtur. Mësova shumë në Pragë prandaj jam i lumtur që po rikthehem, sepse Sllavia është një nga klubet më të mëdha në Çeki,’ – tha Olayinka. Ai beson se  Slavia është klubi i parë i madh me të cilën mund të shpallet kampion, sikurse të marrë pjesë në grupet e Champions League.

Olayinka iu bashkua Gent nga ekipi shqiptar i Skënderbeut, për 1.1 milion euro në vitin 2016. Por nuk luajti asnjë ndeshje zyrtare me klubin belg, pasi sulmuesi i huazua te skuadra çeke Dukla Pragë, në radhët e së cilës shënoi 6 gola në 29 ndeshje. Sezonin e fundit ai kaloi sërish në formë huazimi te skuadra belge, Zulte Waregem, ku shënoi shatë gola në 20 ndeshje.

Një ndër ekipet më të mira çeke, Slavia vendosi të blinte kartonin e tij për një çmim gati tre herë më të lartë se vlera e kartonit që shpenzuan belgët për ta larguar nga Shqipëria.

 

Shembulli kroat, “alarmi” shqiptar

Kroacia shkoi në finale të Kupës të Botës nën drejtimin e Zlatco Dalic, një trajner që kishte punuar 10 vjet më parë në Shqipëri, kur drejtoi Dinamon e Tiranës.

Në të njëjtin vit Dinamo e Zagrebit shiti te Totenhem, Luca Modriç, për 20 mln euro. Tre sezone më vonë Real Madrid e bleu futbollistin më të mirë të finaleve të Kupës së Botës për 45 milionë euro.

Kroacia ka një popullsi gati sa Shqipëria, pa llogaritur faktin se gjysma e Kombëtares shqiptare përbëhet nga lojtarë që vijnë nga popullsia jashtë territorit të shtetit shqiptar. Atëherë përse është kaq e vështirë të merret si model, “të kopjohet”  një vend i afërt me ne si Kroacia?!

 

“Skënderbeu”, modeli më i mirë që ka Shqipëria sot

Skënderbeu mbetet klubi i vetëm në Shqipëri që ka fituar shuma të konsiderueshme nga shitjet e lojtarëve, përveç se është aktualisht klubi i vetëm shqiptar që ka arritur dy herë në fazën e grupeve të një prej dy kompeticioneve evropiane, Europa League.

Dejvi Bregu, i cili spikati me Luftëtarin gjatë sezonit të fundit pas mbylljes së aventurës europaine, iu bashkua ekipit korçar në bazë të kontratës dy-vjeçare që kishte firmosur gjatë janarit. Po ashtu ekipit që drejtohet aktualisht nga Orges Shehi i janë afruar edhe disa të rinj, të cilët vlerësohet me të ardhme.

Pavarësisht pezullimit nga Kupat e Europës Skënderbeu po funksionion dhe pret nga CAS një përgjigje pozitive për të vijuar ëndërrën e ndërtimit të klubit të parë model në Shqipëri.

Nga ana tjetër Kristal Abazaj, edhe pse nuk luajti asnjë ndeshje me Skënderbeun, i solli plot 500 mijë euro arkës së klubit pas kalimit te Anderlecht.

Përveç Peter Olayinka, edhe emra të tjerë si Bernard Berisha, Liridon Latifi, i kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme klubit korçar. Por mbeten të pamjaftueshme për nga buxheti i klubeve të vendeve të tjera me të cilat mund të krahasohet futbolli shqiptar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: