Oferta e madhe e pashpjegueshme e euros, shtohen depozitat pa afat

Oferta e madhe e pashpjegueshme e euros, shtohen depozitat pa afat
Që në Shqipëri ka një ofertë të madhe të euros, këtë e tregon edhe shtimi i depozitave pa afat në këtë monedhë pranë bankave.

Sepse në këtë mënyrë, mesa duket, qytetarët dhe bizneset, e kanë kanalizuar atë në bankë, pa ditur për momentin nëse duhet ta investojnë, shpenzojnë, apo të presin një moment më të mirë për ta nxjerrë prej aty, kur ajo të forcohet ndoshta sërish oara lekut.

Konkretisht, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin maj të këtij viti, kjo lloj depozite përfshinte një nivel prej 474 milionë eurosh, kundrejt 365 të tillave në majin e kaluar, apo vetëm 250 në majin pararendës, të vitit 2016.

Por nga ana tjetër, shtimin e ofertës së euros në tregun monetar shqiptar e shpjegon në njëfarë mënyre edhe rritja e depozitave në këtë monedhë me një afat mbi dy vjet.

Respektivisht, sipas shifrave, ato kanë qenë në nivelin prej 232 milionë eurosh në majin e këtij viti, kundrejt 172 të tillave majin e kaluar, apo 140 në majin e vitit 2016.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: