“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emisioni ku sporti fliste përmes zërit të radios

“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emisioni ku sporti fliste përmes zërit të radios
Kujtimet e gazetarit të mirënjohur Ahmet Shqarri: Qe nga ajo e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë valët e të parit emision sportiv, i quajtur që nga starti i tij e deri tani “Nga njëra ndeshje në tjetrën”...

Me gazetarin dhe komentatorin  e mirënjohur, Ahmet Shqarri kam zhvilluar disa intervista dhe kam mbetur i befasuar. Dijet, memoria, mënyra e të folurit, komunikimi, zëri, lëvizjet e duarve dhe ndryshimi i mimikës sipas temës së bisedës, përpikëria e datave dhe viteve më lanë një mbresë të veçantë qysh në bisedën e parë. Pas këtij momenti, takimet dhe bisedat me të ishin më të shpeshta dhe më interesante. Besoj se i gjithë brezi i para viteve ‘90 e ka njohur zërin e tij dhe mezi priste “Rubrikën Sportive” për të parë magjinë e sportit në botë veçanërisht atë të futbollit. Përcjelljet e reja të Ahmetit në atë kohë, ishin jo vetëm risi për dëgjuesin dhe shikuesin, por mbi të gjitha të shtinin kureshtjen për të njohur shumë më tepër këtë botë, ku njeriu largon stresin dhe pa vetëdije bëhet indiferent ndaj halleve të përditshme. Por jo pak njihet Ahmeti edhe për penën e tij. Dhjetëra reportazhe,  qindra portrete, opinione apo komente në organe të ndryshme të sportit jo vetëm janë përpirë nga lexuesi, por mbi të gjitha tregojnë kulturën e gjerë, mjeshtërinë e të shkruarit dhe befasinë e pështjellimit të situatës. Përpos këtyre, ajo që dua të veçoj është edhe mënyra e të rrëfyerit të Ahmet Shqarrit në kujtimet e tij. E kur më ranë në dorë kujtimet e Ahmet Shqarrit jam befasuar. Duke i shfletuar ato kam vërë re skrupulozitetin e të shkruarit, kulturën e gjerë, saktësinë dhe korrektësinë në përdorimin e gjuhës shqipe, figuracionin artistik që është visar i shkrimtarëve të njohur, elegancën e përdorimit të fjalëve të veçanta, detajet e goditura që i përcjell plot fantazi dhe besueshmëri, dhe mbi të gjitha harmoninë e të gjitha elementëve artistik dhe estetik mbi të cilën ndërtohet një ditar, libër kujtimesh, apo një monografi...

Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si nisi historia e emisionit radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”...

“Qe nga ajo e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë valët e të parit emision, i quajtur që nga starti i tij e deri tani “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Dhe deri të shtunën e 14 marsit 1998, kur u zhvilluan  ndeshjet  e javës së 24-ët të kampionatit të 59-të Kombëtar të futbollit, ky emision arriti në transmetimin e tij të 500-të! Një jubile, do ta quaja këtë numër transmetimesh të emisionit, që ishte dashur të kalojë  përmes vështirësive të shumta, gjithsesi me ngjarje të bukura  e mbresëlënëse. Pa dashur që të bëj historinë e hollësishme të 500 emisioneve, që në fakt nuk do të mundja të bëja kurrsesi, për vetë volumin e madh të punës që është kryer për realizimin e transmetimeve  të tyre, për vetë ngjarjet e panumërta dhe personazhet e shumtë pjesëmarrës në to, e kam  të pamundur që të mos përmend ato ngjarje të fillimit, me të cilat nis vetë historia e këtij emisioni… Kisha ditë dhe javë që përgatitesha për t’ia filluar kësaj pune dhe idenë e emisionit e kisha diskutuar  disa herë me shokët e miqtë e mi plot kulturë e profesionistë, si regjisori Ylli Pepo me të cilin kishim nisur punë në RTSH menjëherë sapo përfunduam studimet  për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, si edhe me fotoreporterin e shquar Petrit Kumi që në ato vite nuk linte ndeshje futbolli  të “17 nëntorit” pa parë dhe fotografuar. Duke qenë ai me Ymer Halilin, Petrit Shaqirin, Agron Krutin, Besim Fushën, Lekë Hotin, Kosta Bein dhe Nikolin Babën, të vetmit që fotot e tyre i botonin në gazetat e kohës, nën gjurmët e veteranit  Enver Shabani. Pra, pa e humbur fillin e mendimit që të gjithë këta miq e shokë, për hir të së vërtetës, kanë jetuar aq shumë, së bashku me mua, emocionet e atij emisioni  të parë… Dhe pasi kaloi e shtuna me ndeshjen  Dinamo-Flamurtari, të nesërmen me 2 tetor 1983 do të luheshin gjashtë takimet e tjera të javës së 5-të të kampionatit të  sezonit ’83-’84. Pikërisht me ndeshjet e kësaj jave do të merrte rrugë emisioni, që do kishte si qëllim të  transmetonte  direkt në Radio-Tirana të gjitha ndeshjet që zhvilloheshin  brenda ditës dhe në të njëjtin orë. Do të ishte kështu, një lloj imitimi  i asaj që bëhej më shumë  vende të tjera, ku futbolli kishte traditë dhe nivel, por duke pasur parasysh modelin e emisionit të famshëm italian “Tutto il calico - minutë për minutë”, që kishte nisur edhe  ai jo shumë  larg në kohë, veçse 20 vjet më parë pikërisht më 1963-shin!.

Dita e fillimit të emisionit...

Mbaj mend atë ditë kur ndeshjet donin edhe dy orë që të nisnin dhe unë kisha kohë që sillesha nëpër korridoret, zyrat dhe studio e Radio Tiranës duke u lidhur herë pas here me radio-kronistët dhe teknikët e Radios nëpër qytet ku do të zhvilloheshin  ndeshjet, si dhe me frekuencën e postës qendrore të Tiranës, pa bashkëpunimin e së cilës nuk mund të kuptohej ekzistenca e këtij emisioni. Nëpër të gjitha rrethet, që një natë më parë, ishin nisur makina me teknikët dhe aparaturat përkatëse, të improvizuara  ashtu thjesht, por të vëna në provë që më parë  për sigurinë e tyre në transmetim. Edhe aparatet telefonike që do të bënin  lidhjet me Studion Qendrore të Radios, bënin pjesë në pajisjet e transmetimit mbushur  me kabllo të ndryshëm  e të shumëllojshëm. Që disa ditë më parë, opinioni ishte informuar për këtë emision special, nëpërmjet një shkrimi të hollësishëm të botuar në gazetën e vetme të atyre viteve, “Sporti”. E mbaj  mend mirë atë çast kur me kufje në vesh, aty brenda në studio, duke pasur asistencën e teknikëve Fadil Alimehmeti dhe Sabahete Qylafku, prisja kohën e duhur  për të nisur atë që kisha  projektuar  prej kohësh. Pra, ishin dy teknikë të turnit të pasdites, ndërkohë që të tjerë të turnit të paradites ishin marrë me provat nëpër rrethe, në kontakt me teknikët, për të cilët përmenda se kisha shkuar  nëpër qytete ku do të zhvilloheshin  ndeshjet, që një natë më parë. U hodha një sy teknikëve, që qëndronin përtej xhamit hermetik të studios, si për t’u dhënë zemër njëri-tjetrit, sidomos Alimehmetit, që do t’i duhej të përballonte edhe ndonjë problem që mund të haste teknikja e tij kolege. Kështu pra, pasi provova të lidhem para ndeshjeve me të gjitha rrethet në orën e caktuar fiks 15:00 sipas programit, u lëshua sinjali. Ishte një muzikë e huaj e ilustruar me pak ambient stadium, ku thuhej vetëm: “Po fillojmë emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”... Sapo sinjali mbaroi, para se të shtypja butonin e transmetimit direkt, që do të ndizte pastaj dritën e kuqe, mbaj mend që u kollita për të qëruar zërin. Ishte më shumë një ngarkesë emocionale, që duhej ta shkarkoja. Më vonë, kjo gjë m’u bë shprehi gjatë gjithë kohës kur do të transmetoja këtë emision për çdo javë dhe jo rrallë, por edhe dy herë në javë. Sidoqoftë, për të qenë i sigurt për të mos e provuar dështimin që në fillim me lidhjet telefonike, pasi bëra një hyrje të shkurtër e dërgova linjën për ndeshjen 17 Nëntori-Labinoti në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku komunikimi për studio e Radio-Tiranës, prej kohësh bëhet nëpërmjet një kablli nëntokësor, pa pasur nevojë për telefon. E bëra këtë edhe për faktin se ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme  të javës që do të transmetohej nga më i miri dhe më i vjetri i radiokronistëve Ismet Bellova. Dhe pa u zgjatur, pas Tiranës ia nisëm me radhë: Ymer Striniqi në Shkodër për ndeshjen Vllaznia-Lufdtëtari, Vlash Pambuku në Berat për ndeshjen Tomori-Partizani, Vladimir Ngjela në Korçë për ndeshjen Skëndërbeu-Naftëtari, Bujar Qesja në Durrës për ndeshjen Lokomotiva-Besa dhe Avni Kërtuka në Burrel për ndeshjen 31 Korriku- Traktori.

Ishte e para herë!

Dhe që nga ajo ditë e parë e transmetimit e deri tani, nga “oponentët” më interesantë të këtij emisioni ka qenë Agron Çobani që së bashku me Alfons Gurashin, ishin nga të parët, për të mos thënë ata që i dhanë udhë radiokronikës në Shqipëri. Sidomos regjisori i mirënjohur, Albert Minga, të cilit për çudi edhe pse kohët ndryshuan, megjithatë nuk i iku asnjë çast dashuria dhe pasioni për skuadrën e qytetit të tij të lindjes, “Flamurtarin” e Vlorës. Lojërat e mrekullueshme dhe rezultatet e shkëlqyera të “Flamurtarit” në fund të viteve ’80 sidomos në arenën ndërkombëtare patën sjellë edhe ato çaste të paharruara bashkëpunimi  me regjisorin Minga, si dhe me kolegun tjetër, Vladimir Grillo, me të cilin patra nisur të hedh hapat  e para në gazetarinë sportive në RTSH. Ishin punë të realizuara, që ende nuk kanë të krahasuar me ndonjë  transmetim tjetër të drejtpërdrejtë televiziv, që bëhet sot për ndeshjet e kampionatit  tonë të futbollit. Natyrisht në atë kohë, në skenën tonë të futbollit luante një tjetër “Flamurtar”, ishte një “17 Nëntor” gjithashtu tjetër , që me skuadrat e shquara të traditës “Vllaznia”, “Partizani” e “Dinamo” bënin që stadiumet tona për çdo javë të shndërroheshin në arena me të vërtetë të magjishme, nga lojërat spektakolare që ato paraqisnin… Por jo vetëm ajo ditë, por dhe shumë e shumë të tjera që erdhën më pas, kanë qenë të tilla, të ngarkuara plot punë, pasion, emocione dhe shqetësime të pafundme!...

Në fakt, ai emision i parë i 2 tetorit 1983 nuk lindi ashtu vetvetiu...

Ai ka qenë piketuar më parë  që në fillim të viteve ’70, kur Radio Tirana, nga ai transmetim tradicional i një ndeshje të vetme futbolli, që kishte nisur në fund të viteve’30 dhe pastaj me dy të njohurit  e tjerë të radiokronikës shqiptare të futbollit Ismet Bellova dhe Skifter Këlliçi, nisi të gërshetojë më vonë transmetimin edhe të dy ndeshjeve përnjëherësh, duke zgjedhur me këtë rast dy stadiume, ku luheshin ndeshjet më të rëndësishme  të javës dhe ku zakonisht ishte asistenca e teknikëve plot përvojë dhe të shquar  të Radio Tiranës, Naqo Berberi dhe Skënder Paçrami. Ndërkohë, jo vetëm futbolli kishte hyrë kështu në linjë transmetimi direkt por edhe  sportet e tjera, që kishin lulëzimin e tyre në vitet ’80-të. Ishin vite ku transmetoheshin direkt nga Radio Tirana ndeshje të kampionateve të basketbollit, ku për të parë lojërat e të madhit  Agim Fagu me shokë, biletat shiteshin që një javë më parë. Po kështu, edhe për volejbollin që atë kohë kishte protagonistë të jashtëzakonshëm, si :Asllan Rusi, Dashamir Fagu apo e famshmja Ela Tase. Për të vazhduar më pas me transmetime  të sporteve të tjera, ku merrnin pjesë protagonistë të shquar të atyre viteve, si Pirro Dhima në peshëngritje, Agim Tafili në çiklizëm, e të tjerë...

 

“Gjeografia” e transmetimeve

Si raportonin radiokronistët nga rrethet për emisionin e sportit në Radio Tirana

“Gjeografia” e transmetimeve ishte shumë e gjerë. Ajo shtrihej jo vetëm nëpër pallatet e sportit, kudo që ishin, por edhe nëpër terrene të ndryshme në shumë qytete të Shqipërisë, sidomos kur zhvilloheshin  garat çiklistike, të cilat i kam ndjekur që në fillim të viteve ’70-të së bashku me të mirënjohurin, operator i televizionit shqiptar, Astrit Omeri. ishin pikërisht këto transmetime sportive në fillim të viteve ’70, që çelën rrugën e transmetimeve  të tjera të drejtpërdrejta nga Radio-Tirana, duke nisur me koncerte e festivale, si edhe veprimtari të fushave  të ndryshme të jetës kulturore, artistike dhe më vonë dhe  të asaj politike, sepse censura për këto ishte më e plotë  dhe gabimi nuk falej aq lehtë. Gjithashtu edhe intervista me sportistë të ndryshëm, në fillim të regjistruara dhe vite më vonë të dhëna  drejtpërsëdrejti, u bënë nismëtare për kolegët e tjerë të Radio-Tiranës, që do të thoja “morën guxim nga sporti” për t’i futur edhe ata intervistat  e drejtpërdrejta nëpër emisionet  e tyre, ku më vonë ato me telefon u bënë një modë  e preferuar, që sot  ka marrë përmasa mjaft të mëdha nga të gjitha radiot dhe TV-të… Me kalimin e viteve, radiokronistët sportivë do të shtoheshin  dhe çdo ekip qyteti do të kishte, si të thuash, kronikanin e tij. Ndryshe nga fillimet e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, kur së bashku me teknikët niseshin  për në qytetet ku do të zhvilloheshin ndeshjet e javës edhe radiokronistë nga Tirana, si: Ismet Bellova, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mnberi, Robert Papa, Ilir Meta, më vonë qytetet do të transmetonin  me përfaqësuesit e tyre. Nëpër rrethe shumë  shpejt u bënë të njohur shumë  radiokronistë si Ymer Striniqi e Pjerin Pogu në Shkodër, Frederik Fico e Pirro Qiqi në Gjirokastër, Fejzulla Dollia në Kavajë, Sefedin Allkja në Elbasan, Llukan Çuko në Lushnjë, Zef Shtjefni në Lezhë, që më vonë do të ndihmohej nga Andon Vane, Vlora e cila pas 2-3 eksperimentesh me vendas do të kishte pastaj Moisi Dalipin si protagonist të saj, Korça me Vladimir Ngjelën, Durrësi me Bujar Qesen, Berati me Agron Kajën, Fieri me  Mikel Mbriçajn e Arbër Emirin, e deri tek Fatmir Thaçi në Krujë. Ishin shumë bashkëpunëtorë të Radio-Tiranës, që provonin për herë të parë mikrofonin në transmetim direkt. Më vonë koha do të bënte që disa prej tyre të mos i rezistonin kësaj pune të vështirë. Sidoqoftë, “ustallarët” e kësaj pune si Ismet Bellova, Aleko Gjergo dhe Veli Rada ishin ata që shkonin  më shpesh nëpër rrethe, për të dhënë përvojën e tyre të pasur. Për këto raste bëhej një grafik, se cili do të transmetonte  e cili në kryeqytet. E kujtoj me njëfarë nostalgjie kur sjell ndërmend ato vite se si për të  shkuar në një qytet për të transmetuar, sidomos kur kishte ndonjë ndeshje të rëndësishme, radiokronistët bënin garë  kush të zinte radhën  i pari. Ishte koha kur disa prej radiokronistëve po hidhnin hapat e parë  dhe kërkonin  që të afirmoheshin në rrugën e bukur, por në të njëjtin kohë shumë të vështirë  të gazetarisë sportive të folur, që më vonë shumicës së tyre  do t’i hapte rrugën edhe në  gazetarinë e shkruar.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: