NË VEND TË NJË BISEDE ME KOMISIONERIN HAHN - ANALIZË NGA OERD BYLYKBASHI

NË VEND TË NJË BISEDE ME KOMISIONERIN HAHN - ANALIZË NGA OERD BYLYKBASHI
Nga Oerd Bylykbashi

Komisioneri Hahn tha sot se, vetingu po ecte mirë, por tha edhe se do të ishte dizaster, nëse për shkak të vetingut, shqiptarët të mbeteshin pa gjyqtarë. Unë nuk pata rastin ta takoja, po disa gjëra po i them këtu.

Ka te drejtë, dizaster ‎epokal është! Dhe, në fakt, po ndodh. Nuk është hipotetik.

Sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por vetëm një anëtar të saj, nga nëntë që duhet te kishte!

Sot nuk kemi Gjykatë të Lartë, por vetëm 7 anëtarë nga 19 që duhet të kishte! Deri në fundjavë, nuk është çudi të mbeten vetëm 5.

Në fakt, gjërat duhen parë të lidhura në sistem, se jo me kot quhet sistem drejtësie.‎

Vetingu nuk është reformë, sepse vetingu vetëm spastron. Në teori, heq pjesën e keqe ose të sëmurë. Por nuk është reformë, sepse krijon gropë në sistem, nuk ndërton sistem të ri.

Nëse boshllëku që krijon vetingu, plotësohet me avokatë që kanë bërë sekserin e korrupsionit, ish-hetuesë, prokurorë dhe gjyqtarë të komunizmit që u hoqën dikur, sepse kishin dënuar me burgim për politikë, ose juristë pa eksperiencë, vetingu nuk ka bërë asnjë punë.

Aq më keq, nëse boshllëku që krijohet mbushet me gjyqtarë e prokurorë që do Rama, që i binden dhe i betohen atij, se do t'ia shpërblejnë nderin, duke mbyllur në të ardhmen çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku janë përfshirë vetë Rama dhe ministrat e tij.‎

Vetingut duhet t'ia vëmë më pas fajin, për kapjen politike të drejtësisë?

Sigurisht, jo! Përgjegjës është Rama që po e përdor si thikë, si dhe ata që mbrojtën kapjen politike nga Rama.

Komisioneri Hahn tha se, i duhet hapur rruga ndryshimeve të ligjit për Shkollën e Magjistraturë‎s, që të zgjidhet ngërçi.

Përsëri e kanë gënjyer.

Regjistrimi në shkollë i studentëve të rinj nuk është reformë, është rutinë dhe nuk zgjidh gabimet ose fajet e rënda konceptuale të reformës.

Boshllëku që komisioneri e quajti dizaster, nuk mund të mbushet dot nga rekrutimi i studentëve.

Duhen tre vite që ata të cilët do të rekrutohen, të mund të quhen gjyqtarë dhe prokurorë, por do të jenë pa eksperiencë. E vetmja eksperiencë, do të jetë ajo që do t’i japë linja politike që kontrollon sot Magjistraturën.

Komisioneri u çudit se, pse duhet të miratohet me 3/5 një ligj për një shkollë, qoftë kjo e Magjistraturës.

Ka shumë të drejtë të habitet.

Para dy vitesh, duhej shumicë e thjeshtë. Por ata që e gënjyen, nuk i thonë kurrë të vërtetën.

Opozita e kundërshtoi që Shkolla e Magjistraturës të futej në Kushtetutë, sepse nuk është organ kushtetues dhe nëse do të lindte nevoja për ndryshime, do të bllokohej meqë do të nevojiteshin 3/5.

Por ustallarët e lartë të reformës së Ramës, pikërisht këtë donin!

Pasi Rama kapi edhe Shkollën e Magjistraturës, e futi ne Kushtetutë vetëm e vetëm që, çdo ndryshim më pas, të ishte i pamundur pa votën e tij.

Pra, sa kohë do ta kontrollonte, do të bllokonte me pakicë bllokuese, siç bënte atëherë kur ishte në opozitë.‎

Askush nuk ia shpjegoi komisionerit, që ky ishte një instrument kapjeje.

Komisioner, më parë ishte ligj i thjeshtë dhe opozita ashtu donte të mbetej. Po të mos donte Rama të çimentonte kapjen e sistemit, sot nuk do të çuditeshe!

Duhet t'u kërkosh llogari edhe atyre që këshilluan ustallarët e Ramës!

Por më e rëndësishmja është që, as vetingu dhe as regjistrimi i studentëve të ardhshëm, nuk janë reformë.

Vetingu është si kimioterapi që ndoshta të shpëton.

Regjistrimi i studentëve në magjistraturë, është rutinë që ka 20 vjet që ndodh.

Reformë do të thotë të ngresh institucionet e reja ‎të drejtësisë, që do të zëvendësojnë te vjetrat.

KLD-ja është drejt fundit, por KLGJ-ja dhe KLP-ja që do ta zëvendësojnë, as që duken në horizont.

Janë bllokuar, sepse 6 gjyqtarët dhe 6 prokurorët që duhen emëruar, nuk dihet kur do të zgjidhen!

Gjithmonë, nëse vetingu do të lërë ndonjë në këmbë.

Pa u ngritur KLGJ-ja dhe KLP-ja nuk emërohen dot Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, SPAK-u dhe BKH-ja.

Pra, Rama dhe ministrat do të vazhdojnë të livadhisin. Pa KLGJ-në e KLP-në, as ata magjistratët e rinj nuk emërohen dot, siç thotë Kushtetuta e 2016-s.

Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.

Nuk kemi Gjykatë të Lartë.

Nuk kemi Prokuror te Përgjithshëm, siç kërkon Kushtetuta.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është paralizuar nga vetingu dhe pa të nuk kemi kandidatë për në Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë, që do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pra, nuk kemi asnjë kolonë të sistemit të drejtësisë. Nuk kemi Sistem Drejtësie dhe nuk dihet për sa kohë nuk do ta kemi.

Ta quash këtë dizaster si progres të reformës në drejtësi, siç thotë Rama, është fiks si përralla e Mbretit Lakuriq. E për këtë nuk e ka fajin thika e mprehtë e vetingut, por dora vrasëse e Kryeministrit, që e përdor atë thikë për të kapur pushtetin gjyqesor e ta përdorë këtë pushtet si imunitet për paudhësitë e tij.

Zoti komisioner, ju kujtohet paragrafi i famshëm 88-të i Komisionit të Venecias? Për atë luftoi opozita më 2016, sepse pengonte kapjen politike të drejtësisë. Këtë e mbështetet edhe ju dhe znj. Nuland. Kjo çoi në marrëveshjen për Kushtetutën më 22 korrik 2016.

Sot, reforma‎ në drejtësi ka dalë nga të gjitha shinat dhe treni ka ngecur në zhavorr.

Zoti komisioner, pa e rikthyer trenin në shinat e Kushtetutës, siç u vendos me konsensus, do të vazhdoni të habiteni!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: