Në sulmin e Juves “troket” Cristiano Ronaldo, mbi 100 mln euro për yllin portugez

Në sulmin e Juves “troket” Cristiano Ronaldo, mbi 100 mln euro për yllin portugez
Bardhezinjtë kanë rënë parimisht dakord me Real Madrid për 100 mln euro mbi kartonin. Ylli portugez duhet të pranojë pagën 30 mln euro në sezon

Aranit Muraçi

Juventus po zhvillon bisedime intensive për të firmosur me asin e Real Madrid, Cristiano Ronaldo, duke afruar një shumë për 100 milionë euro, që mund të shkojë në 120 milionë euro.

Pas mbylljes së botërorit me Portugalinë, Ronaldo është kthyer në shtëpi dhe është në pritje të vendimit mbi të ardhmen e tij. Ai prej kohësh e la të hapur mundësinë e largimit pas 9 sezonesh te Real Madrid.

Ronaldo foli për një largim të mundshëm nga Madridi, fill pas fitores së trofeut të tretë radhazi në UEFA Champions League.

Real Madrid uli disa ditë më parë klauzolën e largimit të tij nga 950 mln euro që ishte në 120 mln euro, aq sa edhe shuma që Juventus është gati të paguajë për të blerë kartonin e lojtarit i cili e ka fituar plotë pesë herë trofeun e Topit të Artë.

Ronaldo, aktualisht 33-vjeç, është duke kërkuar një përvojë të re, i bindur se duhet të largohet nga Reali.

Marrëdhëniet e tij me presidentin Florentino Perez mësohet se janë ftohur ndjeshëm gjatë sezonit të fundit.

Sipas medieve prestigjoze, “Marca”,  “Tuttosport” dhe “A Bola”, gjiganti italian është gati të bëj lëvizjen e madhe në merkato, në kërkim për trofeun Champions që i mungon prej 23 vitesh.

Zonja e Vjetër do t’i afrojë një pagë 400 mijë euro në javë Ronaldos, ndërsa kërkesa e portugezit për një pagë më të lartë se kaq është refuzuar nga drejtuesit bardhezinj.

Gjithsesi, bisedimet edhe sipas agjentit të lojtarit, janë pranuar dhe kanë avancuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, duke lënë të kuptohet se ka mbetur pa u arritur ende marrëveshja mes lojtarit dhe klubit të Juventus.

PSG dhe United janë gati të përfitojnë nëse do të ketë një prishje të bisedimeve mes palëve.

30 mln euro në sezon

Konfirmohet se në tavolinën e Cristiano Ronaldos është paraqitur oferta e Juventus. Yllit portugez i është afruar paga 30 mln euro në një vit për katër sezone, që duhet të firmosë me bardhezinjtë. Për kartonin Real Madrid është gati ta shesë, nga 100 në 120 mln euro, ndërsa palët duket se kanë arritur akordin mes tyre.

Tentohet edhe Paulinho

Nëse Juve dështon për të firmosur me serbin e Lazio, Sergej Milinkovic-Savic, me të cilin pas eliminimit të Serbisë janë intensifikuar bisedimet, bardhezinjtë do t’i rikthehen pistës së Paulinho. Oferta shkon për 40 mln euro dhe marrëveshje mund të arrihet edhe përmes  interesit të katalanasve për Miralem Pjanic.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: