NATO, TRUMP DHE GJERMANIA – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

NATO, TRUMP DHE GJERMANIA – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjatë fushatës elektorale presidenciale në SHBA, Donald Trump nuk pushonte së përsërituri frazën "Vendet e NATO-s nuk paguajnë për NATO-n, sepse paguajmë ne për to". Në fakt, të gjitha vendet e NATO-s paguajnë rregullisht aq sa u takon, për shpenzimet e përbashkëta të saj. Ajo që nuk bëjnë shumë vende të NATO-s është se nuk shpenzjonë sa duhet për ushtritë e tyre respektive. Sipas një vendimi të 2006-ës, secili shtet i NATO-s, deri në vitin 2024, duhet ta ketë buxhetin e vet ushtarak të paktën sa 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit respektiv. Vetëm 6 vende të NATO-s (nga 29 gjithsej) e kanë arritur aktualisht këtë objektiv (6 vjet para afatit).

Të gjitha këto hollësira nuk kanë ndonjë rëndësi për presidenitn Trump dhe për votuesit e tij të paarsimuar (nga një vrojtim statistikor paszgjedhor në SHBA, rezultoi se treçereku i votuesve të presidentit Trump nuk kanë kryer asnjë vit arsim të lartë). Prandaj ai vazhdon të përsërisë pa pushim se "vendet e NATO-s nuk paguajnë, sepse paguajmë ne për to".

Sipas Çërçillit, NATO u krijua për ta mbajtur ariun rus në stepat e tija dhe për ta mbajtur bulldogun gjerman në gjumë. Jo më kot, Gjermanisë iu ndalua të prodhonte ose të blinte armë ofensive, ndërkohë që bazat më të mëdha ushtarake amerikane u ndërtuan pikërisht në vendin që kishte filluar dy luftrat më të përgjakshme botërore. Prandaj edhe nuk është rastësi që Gjermania e ka buxhetin e saj ushtarak sa 1.2% e PBB-së gjermane.

Kundërargumenti kryesor gjerman ndaj retorikës së Trump-it është se, vërtet SHBA e ka buxhetin e vet ushtarak sa 4.3% e PBB-së, por më shumë se gjysma e shpenzimeve ushtarake të saj shkojnë për teatrin ushtarak të Oqeanit Pacifik e Indian (bazat në Afganistan, Japoni, Kore, Guam etj. etj.), i cili është shumë larg teatrit europian (për të cilin edhe u themelua NATO).

Por të gjitha këto hollësira nuk kanë ndonjë rëndësi për presidenitn Trump dhe për votuesit e tij të paarsimuar. Ata e kanë bërë Gjermaninë tabelë qitje elektorale, qysh kur kancelarja gjermane Merkel e shfaqi hapur mospëlqimin e saj ndaj kandidatit/presidentit Trump. Duke filluar me tarifat doganore për automjetet Mercedes e Volkswagen e duke vazhduar me shpenzimet ushtarake gjermane e politikat e refugjatëve, presidenti Trump nuk ka rreshtur së sulmuari Gjermaninë e kancelares Merkel, me synimin për ta minuar këtë të fundit politikisht.

Kohët e fundit kanë qarkulluar zëra në Gjermani se ushtarakët e lartë amerikanë janë duke studiuar mundësinë e largimit të bazave ushtarake amerikane nga Gjermania. Nuk dihet nëse kjo është një zhurmë taktike elektorale e presidentit Trump, në prag të zgjedhjeve kongresuale amerikane (për të kënaqur votuesit e tij të paarsimuar), apo është një premtim që do t'i bëjë ai presidentit Putin në takimin e afërt mes tyre.

Në qoftë se ndodh kjo e fundit, balancat gjeostrategjike do të ndryshojnë në mënyrë dramatike në Europë. Jo më kot, gjeostrategu më i njohur i kohëve tona, Kisinger, është i shqetësuar nga një tërheqje e mundshme e bazave amerikane nga Gjermania. Sipas tij, kushdo qoftë në krye të Gjermanisë, do ta detyrojë Bundestagun gjerman që të miratojë një buxhet ushtarak shumë më të madh se aktuali. Për më tepër, Gjermania do të detyrohet të ndërtojë ombrellën e vet bërthamore. Dhe sipas Kisingerit, një Gjermani e militarizuar dhe me armë bërthomore mund të jetë ëndërra më e keqe e ardhshme për fëmijët e sotëm europianë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: