Ministrja Manastirliu: Asnjë tolerim për bizneset që nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare

Ministrja Manastirliu: Asnjë tolerim për bizneset që nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare
Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të ketë tolerime gjatë sezonit turistik për bizneset që nuk plotësojnë kushtet optimale higjeno-sanitare.

Gjatë një interviste për ERTV, Manastirliu u shpreh se kanë nisur aksionet e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, për të kontrolluar në të gjithë vendin kushtet higjieno sanitarë te bizneset si bare, restorante dhe pishina.

“Paraprakisht para sezonit turistik realizuam 2300 inpektime në këto subjekte dhe duhet thënë që në fillim të Qershorit deri tani kemi 1072 inspektime në qarqe, ku janë verifikuar rekomandimet e lëna paraprakisht para sezonit turistik, në kuadër të plotësimit të standardeve.Inspektimet do të vazhdojnë më tej, në kombinim edhe me inspektoriatet e ministrive të tjera si ato të Ministrisë së Bujqësisë apo Turizmit”, tha Manastirliu.

Pas paralajmërimeve dhe rekomandimeve që u janë dhënë bizneseve për plotësimin e standardeve fillon marrja e masave, që fillojnë nga mbyllja provizore e subjekteve, masa me gjobë apo mbyllje përfundimtare e atyre subjekteve që mund të përbëjnë kërcënim.

“Nuk do të ketë tolerim për asnjë subjekt që duke mos plotësuar standardet, përbën kërcënim për shëndetin e qytetarëve”, tha ministrja.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: