Milan i projekteve të mëdha, me pronarë të rinj

Milan i projekteve të mëdha, me pronarë të rinj
Pas ndryshimit të drejtuesve të klubit, pronarët e rinj Elliot duhet të konfirmojnë në detyrë trajnerin Gatusso si dhe disa nga lojtarët titullarë. Kapiteni Bonucci, më i mundshmi për t’u larguar  

Aranit Muraçi

Milan i hapi rrugë një epoke të re të shtunën, pasi pronësia e klubit kaloi nën fondin amerikan Elliott. Gjatë takimit, organizuar në selinë e klubit Milan, Paolo Scaroni u miratua unanimisht si president i ri, duke i dhënë fund kontrollit të investitorit kinez Li Yonghong. Pas ndryshimit të pronësisë, Milan në një deklaratë zyrtare njoftoi edhe mbi nisjen e një epoke të re.

“Pas ndryshimit të pronësisë javën e kaluar, me kontrollin e marrë nga Elliott, bordi i ri i drejtorëve në takimin e aksionarëve të organizuar në Milano sinjalizoi fillimin e një epoke të re për klubin”, thuhej në deklaratë.

Scaroni zhvilloi edhe takimet e para si presidenti i ri i klubit të Seria A. Ai u takua me Marco Patuano, Franck Tuil , Giorgio Furlani, Stefano Cocirio, Salvatore Cerçione, Alfredo Craca dhe Gianluca D'Avanzo për të diskutuar planin ekonomik dhe sportiv të këtij sezoni. Marco Fassone dhe këshilltarët e tjerë, pas drejtimit kinez, janë shkarkuar nga aksionarët e rinj për dështimin e menaxhimit të kontratave të lojtarëve apo të tregut të transferimit në mënyrë të kënaqshme.

Presidenti i ri është i 27-ti në historinë e klubit me një trashëgimi të pasur si klubi më i suksesshëm në Evropë pas Real Madrid, me 7 trofe të Champions League. Sidoqoftë, 2018/19 do të jetë sezoni i pestë radhazi për Milan pa pjesëmarrjen në Champions. Ky fakt i bën paksa të dëshpëruar pronarët e rinj Elliott pasi morën klubin në një moment jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë.

“Bordi do të takohet për të vendosur mbi një projekt të ri ekonomik që klubi të sigurojë një rrugë të qartë për t'u kthyer në statusin e Ligës së Kampionëve”, thuhej në deklaratën e Milan.

Në përputhje me këtë plan do të vendoset e ardhmja e trajnerit Genaro Gatusso dhe e disa lojtarëve kryesore. Kapiteni Bunucci gjithashtu nuk e ka të sigurt të ardhmen, teksa është kërkuar nga tre klube të huaja, përfshi edhe PSG. Gjithsesi, me ndryshimin e pronësisë, Milan pret ringritjen për ta nisur si favorit sezonin e ri në Seria A, ndoshta jo për titullin kampion, por për t’u rikthyer në Champions.

 

Përmbysja në CAS, Milan suksesi i dedikohet ndryshimit të pronësisë 

Milan ka edhe  një sfidë tjetër. Pas sulmit të UEFA-s mbi problemet serioze  me “Financat”, që e pezulloi nga Europa, Milan rifitoi të drejtën pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, CAS.

Milan përfundoi në vendin e gjashtë të Seria A, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e përmbysi vendimin e UEFA-s pak ditë para se të ndryshonte pronësia e klubit italian.

“Vendimi tregon se UEFA-ja ka marrë parasysh se statusi aktual financiar i klubit është më i mirë, si rezultat i ndryshimit të fundit të pronësisë”, thuhej në deklaratën e pronarëve të rinj amerikanë. Ata pretendojnë se ky është hapi i parë për ta kthyer Milani në krye të futbollit italian dhe atij Evropian. Pas 31 vjetësh nën pronësisë e Silvio Berluskoni, pronësinë e Milan e mori për 16-muaj Li Yonghong, për t’i hapur rrugë një projekti të ri që sapo është shfaqur në horizont.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: