MESAZHE PËR INTEGRIMIN – OPINION NGA PLATOR NESTURI

MESAZHE PËR INTEGRIMIN – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ardhja e komisionerit të zgjerimit Hahn në Tiranë dhe takimi me kryeministrin, rikthen edhe njëherë temën e integrimit të vendit në strukturat e BE-së. Pas vendimit të këshillit të ministrave të jashtëm, rishfaqja e zyrtarëve të lartë të Brukselit, duket se është një dëshmi se vëmendja dhe prioritetet e BE-së kundrejt Ballkanit Perëndimor, nuk kanë ndryshuar dhe as nuk do kenë ndonjë shtyrje në kohë për vijimin e politikave të saj. Java e kaluar ka qenë shumë e ngjeshur në kontaktet midis kryetarëve të shteteve të bllokut perëndimor, ku është diskutuar jo vetëm për çështjet e NATO-s dhe sigurisë së aleancës, por dhe për koordinim të mëtejshëm të politikave, duke u fokusuar te çështjet më nevralgjike. Në këtë kuadër, dhe Ballkani Perëndimor ka rëndësinë e tij si në kontekstin e zgjerimit të hapësirës së BE-së, ashtu dhe në atë gjeostrategjik.

Ardhja e Hahnit në Tiranë, dëshmon se mbetemi të pranishëm në planet europiane dhe jo të harruar. BE-ja tenton të eksportojë siguri dhe stabilitet në Ballkan, u shpreh Hahni, duke theksuar se tashmë është detyrë e qeverisë, klasës politike në përgjithësi, për të mos humbur kohë në procesin parapërgatitor të çeljes së negociatave. Ndërkohë vetë ne tashmë duhet të bindim vendet anëtare që i meritojmë negociatat për anëtarësim në BE. Ndonëse me strukturat e BE-së punët janë në rregull dhe madje vetë presidenti i BE-së u shpreh para disa kohësh se keni bërë mjaftueshëm sa për të nisur negociatat. Por kaq nuk mjaftoi, përderisa duhet të japim një imazh më të plotë për zërat skeptikë që u shfaqën në muajt e fundit. Zëra që sidoqoftë, prishin punë për objektivin e hapjes së negociatave. Por pikërisht tani që duhet dëshmuar vendosmëria për reformat e që ato po implementohen, dhe që ritmi i tyre të mos bjerë. Në javët e para të këtij viti, pati një sërë çështjesh të nisura për korrupsion të zyrtarëve dhe kjo po jepte shpresën se gjërat po nisnin të lëvizin. Por duket se ka një frikë për ta futur plugun më thellë. Ndonëse nuk mungojnë deklaratat për angazhimin e të gjitha strukturave në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, avancimi nuk duhet stopuar.

Së fundmi, vëmendja është përqendruar te procesi i vetingut dhe si po përballen gjykatës e prokurorë, si në aspektin profesional ashtu dhe në atë të pasurisë. Masat ndëshkuese nuk kanë munguar dhe shumë po dalin jashtë sistemit të drejtësisë. Ky aspekt u përshëndet nga komisioneri i BE-së duke theksuar njëkohësisht dhe rëndësisë që ka miratimi i ligjit për shkollën e magjistraturës e cila deri më tani është e bllokuar nga opozita, kur ligjit i duhen 84 vota. Ligji çliron hapësirat për të mos bllokuar më tej institucionet pas shkarkimeve të ardhura si rezultat i procesit të vetingut. Gjithsesi, kjo është njëra anë e medaljes. Thelbësore është që lufta ndaj krimit dhe korrupsionit si gangrenë shoqërore, të thellohet në çdo sektor. Përkundrejt historive me peshq që do bien në rrjetë, pati disa arrestime të zyrtarëve që janë marrë me rrugën Tiranë - Elbasan për abuzime me fondet. Pas kundërpërgjigjeve nga opozita se hetimi i nisur ishte me ngarkesë politike, u mendua se pavarësisht zhurmës që bën si zakonisht politika kur akuzohen pjesë të saj, vetë hetimi dhe gjykimi do të dëshmojnë se drejtësia funksionon. Nëse janë fajtorë, të bëhet drejtësia dhe të marrin atë që meritojnë dhe deri këtu nuk ka asgjë të veçantë. Në fund të fundit për këtë janë organet e hetimit dhe drejtësia këtë funksion ka. Por çka po ndodh për një hetim normal, është paksa shurdhuese kur dëgjon buritë se me këto hapa po goditet rëndë korrupsioni në Shqipëri. Për më tepër kur makina e drejtësisë, nis e zvarritet në kohë.

Përveç kësaj çështje, hetimi për korrupsion në strukturat shtetërore u shtri së pari në Kavajë, me abuzimet e tokave në Spille ku përfshiheshin drejtues hipotekash dhe zyrtarë të pushtetit vendor. Më e thelluar në këtë drejtim u bë në bashkinë e Lezhës, sërish për falsifikim, abuzim dhe tjetërsim të pronës, në zonën e Shëngjinit. Kësaj radhe arrestimet ishin më të bujshme dhe u shndërruan në një spektakël, ku u vendos masë arresti për një pjesë të rëndësishme të zinxhirit drejtues të bashkisë Lezhë, duke filluar nga kryetari i saj. Por nga arresti, shumica e tyre pak më vonë dolën me masa më të lehta, ndërsa vijon procesi hetimor. Duke marrë shkak nga abuzimi me trojet në këto dy bashki, drejtues të shumicës u shprehën se do e vijojnë kontrollin e hetimin gjatë gjithë bregdetit, ku rezultojnë dhe abuzimet më të mëdha me pronat. Për këtë u premtua se do të ketë dhe një task forcë që do të ndjekë problematikat nga Velipoja në Durrës dhe nga Vlora në Sarandë. Në media qarkulluan informacione të rezervuara se, fati i kryetarit të bashkisë Lezhë do të ndiqte dhe kryetarë të tjerë të bashkive të qyteteve bregdetare. Por nga kjo iniciativë, asgjë e re nuk duket në horizont.

Pavarësisht padive të hapura dhe dosjeve nën hetim, sistemi i drejtësisë është tepër i ndrojtur e i brishtë. Sistemi i drejtësisë është ende i dobët dhe balanca është në disfavor të saj, ndërsa mund të ketë dilema se i vetëm mund të ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative në shoqërinë shqiptare. E vetmja mënyrë që gjendja të duket se po merr rrugë, mund të vijë po nga politika. Dhe kjo në rastin konkret, për të dhënë disa shembuj se ka angazhim për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa diskutohemi nëse jemi të bindshëm apo jo, për të merituar hapjen e negociatave.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: