MERAKU I MAJTISTËVE MBI HELSINKI/16 – OPINION NGA FRROK ÇUPI

MERAKU I MAJTISTËVE MBI HELSINKI/16 – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fraksione si ky: “Helsinki/ 16” është përdorur mijëra herë, por kulmin e arriti me 9/11 me të cilin u shënuan sulmet e 11 shtatorit 2001, mbi Kullat Binjake në Manhattan. Ajo që pritet të ndodhë këtë korrik 16, në Helsinki, përsëri ka të bëjë me një ngjarje të madhe botërore, që lidhet kryesisht me Shtetet e Bashkuara, por në një kuptim krejt tjetër. Bota pritet të marrë një drejtim pozitiv që nga Samiti, mes presidentit amerikan Tramp dhe presidentit rus Putin, në Helsinki/16.

Kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në atë ngjarje. Bota e medias dhe e politikës, po e kthen sa nga njëra anë në tjetrën, sikur “Helsinki/16” të ndodhet në pjatën e tyre. Por majtistët liberalë europianë, po shfaqin një pamje të çuditshme, thuajse tradicionale dhe të frikësuar, sikur me takimin Tramp-Putin bota do të marrë për keq dhe do të prishen vlera të krijuara gjatë epokës që nga Lufta e Dytë që, sipas majtistëve, autorët janë “fitimtarët majtistë”.

”Trampi as që do t’ia dijë për aleancat dhe multilaterizmin e krijuar nga paraardhësit që punuan për ta ndërtuar qysh pas vitit 1945”, shkruan në editorial gazeta britanike “The Guardian”, e njohur për anësi laburiste.

Cilat janë meraket e majtistëve liberalë të Europës?

1.

“Helsinki/16” do të drejtohet nga populistët nacionalistë

Ky është meraku i parë i liberalëve të majtë në Europë. Të dy liderët do të bashkohen për të “vënë në ujëra” topin e rendit të ri botëror...

Merakun që po shpreh e majta liberale e paketon me cenimin e vlerave të post Luftës së Dytë, siç janë mosndryshimi i kufijve, dëmtimi i sistemit mbrojtës të Europës, afrimi i tepërt mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, etj. Të gjitha janë “parime” post luftë, të shkruara e të thëna sipas stilit të kohës gjatë periudhës së gjatë të Luftës së Ftohtë. Realisht, meraku nuk është më në “shkeljen e tabuve”, por në rrezikun që ndjen sistemi i liberalëve të majtë. Lëvizjet e fuqishme sovraniste dhe populiste në Europë, e kanë trembur shumë kastën e qeverive demagogjike dhe politikën globaliste kundër sovranitetit dhe të “kufijve të hapur”, për emigracionin masiv e të paligjshëm. Ardhja në pushtet e qeverisë së parë sovraniste populiste në Itali - vendi i tretë më i fuqishëm ekonomikisht në BE - si dhe dobësimi në maksimum i gjermanes Merkel, po përballen me frikën se, takimi i Helsinkit mes “dy burrave”- siç shkruan media, do t’i drejtohet pikërisht ndryshimit të rendit botëror dhe të BE. “Ne çuditemi, pse disa shtete në Europë po pranojnë të dëmtojnë veten”, - shkruan media, duke nënkuptuar Italinë, Hungarinë, Polonisë, Sllovakinë, Danimarkën, Lituaninë, etj., vende anëtare të BE-së.

2.

Frika se Amerika do të mbyllë ombrellën mbi NATO

Nëse lexon analizat e mediave liberale në Europë, të duket se je kthyer aty nga vitet ’80 të shekullit që kaloi. “Tërheqja e Trampit” nga Europa, shkruajnë - duket se do të jetë dhurata më e madhe e Putinit dhe “objektivi më afatgjatë i presidentit rus”.

Cila është tërheqja? Presidenti Tramp ka kërkuar forcimin e NATO-s dhe jo dobësimin, madje ka kërkuar që shtetet anëtare të NATO-s të paguajnë detyrimet e caktuara, për mbajtjen në këmbë të Aleancës Euroatlantike. Mediat e majta thonë se: “Amerika ka ulur dy herë” fondet për NATO-n; por megjithatë është fuqia që po e mban më këmbë atë. Gjermania dhe shtete të tjerë në Europë, ku po gjallon kriza mes qeverive tradicionale dhe ardhjeve të reja sovraniste e populiste, paguajnë minimum deri në 1.2% të GDP (Gjermania). Majtistët shënojnë se, takimi Tramp-Putin do të mbahet menjëherë pas samitit të NATO-s në Bruksel, gjë që e lidhin me një “paralajmërim të keq” për NATO-n; por njëkohësisht shënojnë se, samiti i NATO-s pritet të jetë “i hidhët”.

Majtistët, si në traditë, kanë funksionuar me “ngjalljen e frikës” para popujve. Tani ata po shprehen qartë se, takimi Tramp-Putin do të prekë “arkitekturën e Bashkimit Europian” dhe liberal-demokracinë. Takimi Tramp-Putin është çmuar si një akt që i jep mundësi presidentit Putin “që të gjejë pak lehtësim” në Kremlin...

Mes këtyre merakeve, majtistët nuk gjejnë dot atë që është shpallur botërisht dhe atë që e konsiderojnë “të fshehtë”. Sipas doktrinës “Tramp” është shpallur botërisht se, “nuk është më e udhës një luftë e Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”. Kjo është ajo çfarë pritet të arrihet në Helsinki. Në doktrinën e frymës së re politike, është thënë hapur se demokracia liberale, tashmë e marrë në dorë nga multimiliarderi Soros etj., me qëllim krijimin e politikave vetëshkatërruese për Bashkimin Europian, si ajo e emigracionit pa kufi dhe pa masë, ndërtimi i qeverive demagogjike, që mendojnë për xhepat e tyre dhe jo për interesat e të qeverisurve - nuk vlen më.

3.

A ka prova e majta për meraket mbi “Helsinki/ 16”?

Edhe provat, e majta aktuale liberale - tashmë e rënë në krizë - i përsërit sipas “traditës” majtiste me konspiracion, me dëshirë ose frikëpak më shumë se sa e vërteta. Si e pret lajmin e “aneksimit të Krimesë”, editorialisti majtist i “The Guardian”?

Fakti i “aneksimit”është ky: Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se, SHBA “nuk e njeh përpjekjen e Rusisë për aneksimin e Krimesë”. Por gazeta gjen mënyrën për të mos e besuar deklaratën zyrtare. “Jo, përderisa Amerika thotë “jo”, me siguri do të jetë “po”- Never say never!” shkruan.

Ku mbështetet kjo? Te një pikë konspiracioni... Editorialisti laburist shkruan:

“Kur John Bolton, këshilltar i Tramp për Sigurinë, u ul javën e kaluar në bisedë me Putinin në Moskë, për të përgatitur samitin e Helsinkit, “një grua diskrete ishte ulur në krah të tij”. Ajo ishte një eksperte mbi Rusinë që nga viti 2017”. Dhe ajo grua “diskrete”, sipas autorit majtist, u tregua mirëbesuese dhe tregoi çfarë kishte dëgjuar...

Tani, majtistët liberalë në krizë, edhe kur nuk kanë prova, i sajojnë; edhe kur i sajojnë, kërkojnë burime konspirative...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: