MEDIA NË KAFAZ – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

MEDIA NË KAFAZ – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mungesë profesionalizmi e medias apo papërgjegjshmëri për rolin që ka? Ky debat mund të shtrohej edhe shumë kohë më parë, pasi rastet e spekulimit e të përdorimit vulgar në marrëdhëniet shtyp-politikë-opinion publik, kanë qenë po aq flagrante edhe në ditë më normale. Por në pafundësinë e temave që i interesojnë opinionit publik, hapësira dhe mënyra e trajtimit ku starët e kronikave mbetën sërish personazhet politikë, më tepër sesa pasqyrim profesional mediatik, është kapërcim caqesh dhe mungesë respekti ndaj rolit dhe profesionit. Thjesht vijimësi e një shërbese të përdalë, në favor të politikës.

Vetë politika ka marrë protagonizmin e ngjarjes dhe duke e trajtuar si një shfaqje, ka organizuar edhe skenarët e dekorin përkatës. Kështu, skena nuk mbetet asnjëherë bosh.

Pyetja që shtrohet nga ajo çfarë shohim nëpër ekrane, është: Përse media i bën kaq fresk politikës dhe heq valle sipas ritmit që i përcaktojnë figurat qendrore të saj? Nuk bëhet fjalë vetëm për ngjarje të veçanta, ku është e natyrshme të merren qëndrime politike, por në përcjelljen e përditshmërisë në hapësirat e saj. Të mos vemi shumë larg, por ka shumë raste ligjesh, të cilat mund t’i nënshtrohen një debati mediatik paraprak e të mos pritet se cili do të jetë qëndrimi i palëve në Kuvend. Në shumë raste, këto çështje nga mediat trajtohen thuajse me shpërfillje, thua se nuk përbën asnjë interes për opinionin publik, për grupet e interesit e kështu me radhë. Hapësirat që i kushtohen njohjes me ligjet janë të papërfillshme dhe pa hyrë më së tepërmi në ndikimet që sjell miratimi i ligjeve specifike.

Në rastin më të drejtë, shtypi do të ushtronte presion për transparencë më të madhe, jo vetëm ndaj pushtetit, por edhe ndaj opozitës që braktis sallën e Kuvendit. Është e panatyrshme që ligjet të miratohen në këtë mënyrë dhe pa debat. Çka tregon se axhenda nuk është opozitarizmi si rojtar, për të mos lejuar abuzivizëm pushteti, por tjetërkund. Për ironi të fatit, me muaj të tërë, në sallën e Kuvendit u paraqit e njëjta skenë, kur seanca fillon në ora 11:00 dhe pas një rrotullim sahati ishte e përfunduar, pasi opozita kishte braktisur sallën. Dhe jo për ligjet që sidoqoftë miratoheshin, por për tema që nuk kishin të bënin aspak me rendin e ditës.

Në gjithë këtë absurd, sidoqoftë, media raportimin e kishte thjesht fotografik; pra, që opozita braktisi sërish sallën. Por pa ushtruar presionin dhe trysninë që ka si intermediar me opinionin publik, që gjithë kjo sjellje ishte në dëm të vetë qytetarëve, qofshin këta dhe opozitarë. Lënia e kalimit të ligjeve pa debat, dhe përqendrimi mediatik te përplasjet deklarative nëpër rrjete sociale të liderëve politikë, e ka ulur shumë pazarin e vetë medias. Në fakt, gjithçka mbetet e ngërthyer në këtë debat. Aq sa edhe vetë media nuk është më dot pjesë e pazareve si dikur. Vështirë të mendohet, përderisa shpejtësia me të cilën vendosen kamerat e mikrofonat përpara politikanëve, më së tepërmi dëshmojnë statusin e shërbëtorit. Duke mos patur më forcën që i jep opinioni publik, të cilin e ka tradhtuar prej kohësh, nuk mund të ketë as peshë më, që të influencojë ose të përbëjë një pushtet që sidoqoftë duhet marrë parasysh.

Për të ardhur keq, por në këtë derexhe kemi përfunduar! Dhe për këtë nuk na mjaftojnë as raportet ndërkombëtare, se në çfarë niveli jemi në aspektin e medias ose me liritë e saj. Këto liri i kemi lëshuar prej kohësh rrugëve, ne vetë. Tashmë nuk dimë ku t’i kërkojmë. Për fat të keq!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: