Me tren nga Tirana në Durrës, në hekurudhën e re bileta 1-1.2 euro

Me tren nga Tirana në Durrës, në hekurudhën e re bileta 1-1.2 euro
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës” ishte një nga tri projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde nga Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor, projekte nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor

Nga 1 deri në 1.2 euro. Ky është çmimi që pritet të paguajnë qytetarët shqiptarë për një udhëtim me tren, nga Tirana në Durrës.

Fjala është në fakt, për linjën e re hekurudhore që do të lidhë në të ardhmen këto dy qytete kyçe në vend, projekti i së cilës është parashikuar të bëhet realitet brenda vitit 2020.

Kjo u bë me dije dje nga numri dy i dikasterit të Infrastrukturës, Artan Shkreli, gjatë diskutimit me deputetët të projektligjit përkatës, mbi ndërtimin e kësaj hekurudhe të re.

“Ndodh që bileta, pavarësisht se nuk është përcaktuar, është shumë e saktë në përgatitjen e fizibilitetit të lëvizjes së njerëzve. Ajo do të luhatet midis çmimit 1 dhe 1.2 euro, pak a shumë. Pse nuk është përcaktuar kaq saktë nga ne, është fakti se i përgjigjet edhe pyetjes tjetër, që operatorët do të jenë të hapur. Pra, do të jenë operatorë publikë, por mund të jenë edhe operatorë privatë, sikurse ekziston edhe mundësia e kombinimit të operatorëve”, tha Shkreli, lidhur me një fakt të tillë.

Ndërsa mbi përfundimin e afatit konkret të punimeve, ai u shpreh se sipas marrëveshjes ai është përcaktuar të jetë data 31 dhjetor 2020.

E thënë ndryshe, brenda harkut kohor të tre viteve, qytetarët do të kenë shansin që të shkojnë drejt Durrësit me linjën e re hekurudhore.

Një afat ky që sipas Shkrelit, mund të shkelet vetëm për linjën e re drejt Rinasit.

“Deri vitin tjetër, pra bëhet fjalë për 24 muaj, është plotësisht e realizueshme, sepse bëhet fjalë për rehabilitim i kësaj linje. Ne mendojmë që do të arrijmë ta realizojmë këtë datë”, sqaroi Shkreli.

Ndërkohë që ai dha edhe detaje të reja nga projekti, siç është ai që lokomotiva e re do të jetë me diesel, teksa për lokomotivën elektrike kërkohen edhe 10-12 milionë euro shtesë.

Sipas tij, sa i përket impaktit mjedisor, sot lokomotivat diesel janë krejtësisht të një lloji tjetër nga ato që përdoren aktualisht, të cilat përdoren edhe ne rajone me parametra të ulët të ndotjes mjedisore në Evropë.

“Kështu që në këtë pikëpamje mendoj që ky problem do të jetë me parametra, të cilat i përcakton institucioni i Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

 

Objekti i projektit: Nxitet zhvillimi i zonës ekonomike Tiranë-Durrës

Zhvillimi i zonës ekonomike të rajonit mes Tiranës dhe Durrësit.

Ky është objektivi kryesor që synohet të realizohet përmes ndërtimit të linjës së re hekurudhore Tiranë-Durrës.

Siç përcaktohet në relacionin e qeverisë,  ajo synon edhe ngritjen e një hekurudhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kjo për të rritur efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhor të mallrave dhe udhëtarëve ndërmjet Tiranës, Durrësit e Aeroportit të Rinasit”, sqarohet më tej në relacionin përkatës.

Duke shtuar gjithashtu se duke ndërtuar një lidhje të re hekurudhore, stimulohet edhe  aeroporti i Rinasit, që është dhe i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit.

“Përveç kësaj, një objektiv paralel i 1 projektit është ndërfutja e një regjimi miqësor me mjedisin, zvogëlimi i bllokimeve të trafikut rrugor ndërmjet Durrësit, Tiranës dhe aeroportit të Rinasit, si dhe kontributi në reduktimin e ndotjes së ajrit nga trafiku rrugor në rajonin Durrës-Tiranë”, citon më tej marrëveshja për ndërtimin e kësaj linje të re hekurudhore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: