MATURA/ Më 30 korrik nis plotësimi i A2, ku nuk duhet të gabohet

MATURA/ Më 30 korrik nis plotësimi i A2, ku nuk duhet të gabohet
Deri në datën 15 korrik, maturantët duhet të kryejnë pagesën e regjistrimit prej 2 mijë lekësh dhe ta dorëzojnë pranë shkollave të tyre. Më pas, në datën 30 korrik e deri më 4 gusht, do të bëhet përzgjedhja e 10 preferencave të degëve të tyre

Sonila Isaku

Dy afate duhet të plotësojnë maturantët në korrik: I pari ka të bëjë me kryerjen e pagesës së regjistrimit prej 2 mijë lekësh dhe dorëzimin e mandatit pranë shkollave të mesme dhe, së dyti, në datën 30 korrik - 4 gusht, duhet të përfundojnë përzgjedhjen e 10 preferencave. Gjatë aplikimit, kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve që ofrojnë universitet për këtë vit akademik. Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, mbledhja dhe grumbullimi i të gjitha të dhënave të maturantit do të kryhet deri në datën 28 gusht dhe, një ditë më pas, do të kryhet shpallja e rezultateve dhe nisja e regjistrimeve për fituesit. Por çfarë duhet të kenë kujdes maturantët? Drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi, shpjegon se kandidatët për universitet duhet të jenë të mirinformuar për kriteret e kushtet e pranimit nga institucionet e arsimit të lartë, para aplikimit, në mënyrë që përllogaritja paraprake e pikëve të jetë e përafërt.

Nota dhe informacioni

Mesatarja dhe llogaritja e pikëve janë thelbësore përpara plotësimit të formularit. Drejtoresha Vrapi kërkon të shihet mesatarja dhe kriteret e çdo universiteti.

“Maturanti duhet patjetër të klikojë dhe të marrë informacion në faqen e çdo universiteti që ka këto programe, e të shohin kriteret e pranimit. Tashmë ato janë publike. Janë në faqen e ministrisë dhe të U-Albania, përmes së cilës ata do të bëjnë aplikimet për në universitet. Kur them që duhet të shohin kriteret, është që duhet të bëjnë një përllogaritje të mesatares së tre viteve dhe këto nota dërgohen nga QSHA te U-Albania, si edhe nota të maturës shtetërore” - pohon Vrapi. Sipas saj, është shumë e rëndësishme nota mesatare e shkollës së mesme, si dhe 50% të notave të maturës shtetërore. Nuk mjafton të kesh një mesatare mbi 6, por duhet të kontrollohen notat dhe pikët e fituesit të fundit të vitit 2017, duke i krahasuar me notat e kandidatëve të këtij viti.

Kujdesi

Por, ku duhet të tregohen të vëmendshëm maturantët, në mënyrë që të mos s’kualifikohen që në raundin e parë në degët e tyre të preferuara. Sipas drejtoreshës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore e rëndësishme është përllogaritja paraprake e pikëve dhe mesatarja, si dhe kujdesi që duhet të bëjnë me regjistrimin në fazën kur shpallen fitues.

“Në radhë të parë, ajo që i s’kualifikon është mesatarja e pikëve që ata kanë dhe ndonjëherë nuk tregojnë inteligjencën e duhur për të zgjedhur degën që mund të përmbushin këto kritere. Një tjetër, është padurimi. Pra, në momentin që fillon fazat e aplikimit dhe më pas fazat e regjistrimit, ata shpallen fitues në një degë nga 10 degë që kanë dhe nga frika se mos nuk dalin fitues te dega që realisht duan, ata shkojnë menjëherë dhe regjistrohen, ndërkohë që kishin shanse dhe të tjetra” - pohon Vrapi. Sipas saj, të gjithë maturantët që duan të zgjedhin degët e mjekësisë ose infermierisë, nuk duhet të kenë mesatare më të ulët se 8 ose 8.5. Nëse kanë mesatare më të ulët, degët e tyre nuk do të shfaqen fare në sistem. Ndërsa ata që duan të aplikojnë për degën e mësuesisë, nuk duhet të kenë mesataren më pak se 7.

Fituesit

Edhe këtë vit, fituesit në universitete do të shpallen me anë të tre raundeve të cilët do të jenë të përbërë me disa ndarje 48-orëshe. Kështu, raundi i parë është nga 30 gushti e deri në 12 shtator, mund të shkojë në sekretarinë e shkollës për të bërë direkt regjistrimin me dokumente. Është menduar që kjo periudhë të bëhet me 7 faza regjistrimesh 48-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe, deri në plotë­simin e kuotave bosh. Fituesit që nuk u regjistruan brenda një afati 48-orësh, humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues për atë fazë. Për programet e studimit ku nuk përcaktohen kritere nga IAL, me përjashtim të notës mesatare dhe numri i kandidatëve është i njëjtë apo i ulët me ato të kuotave, nuk aplikohet ndarja në faza me 48 orë dhe kandidatët kanë të drejtën të regjistrohen gjatë gjithë periudhës së regjistrimit.

Aplikimet për raundin e dytë, do të bëhen brenda nga jave, nga 15­-20 shtator dhe këtu mund të garojnë ata kandidatë të cilët nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, nuk kanë arritur të regjistrohen në fazën e parë ose janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Këta kandidatë kanë të drejtë të aplikojnë, duke përzgjedhur 10 preferenca në vendet e mbetura bosh në të gjitha universitetet. Detyrim për pagesën prej 2 mijë lekësh në këtë fazë, e kanë vetëm ata maturantë të cilët nuk kanë aplikuar në fazën e parë. Lista e dytë e fituesve do të shpallet më 25 shtator. Më pas, nga datat 27 shtator - 6 tetor do zhvillohet regjistrimi i fituesve me 5 faza regjistrimesh 48-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe deri në plotë­simin e kuotave bosh. Fituesit që nuk regjistrohen brenda afateve, humbasin të drejtën e studimit, ndërkohë gjatë datës 26 shtator, të gjithë kandidatët kanë të drejtë ankimimi në rast se nuk janë shpallur fitues. Edhe në këtë fazë ka mundësi çregjistrimi, proces që mund të kryhet vetëm gjatë datës 7 tetor.

Faza e tretë do të jetë nga 9-13 tetor. Të drejtën e gëzojnë vetëm ata kandidatë të cilët nuk janë regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Në rastet kur përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, përzgjidhen kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht zgjedhjeve në raundin e parë ose të dytë. Këto regjistrime kryhen nga datat 15-18 tetor.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: