Matura asnjë nxënës i shkëlqyer, matematika provimi më i vështirë

Matura asnjë nxënës i shkëlqyer, matematika provimi më i vështirë
Edhe këtë vit, asnjë maturant nuk ia doli të vlerësohet maksimalisht në të pesta provimet. Por megjithatë, numri i atyre që kanë marrë notën 10 absolute, ka qenë rreth 800, numër ky më i lartë se një vit më parë

Sonila Isaku

Asnjë prej maturantëve të cilët i janë nënshtruar provimeve të maturës, nuk kanë marrë pesë nota dhjetë. Pas llogarive të bëra nga Qendra e Shërbimeve Arsimore rezulton se, në të gjithë vendin janë marrë 800 nota dhjetë absolute, por këto u përkasin nxënësve të ndryshëm, të cilët mund të kenë marrë deri në 3 nota dhjetë.

Rezultatet

Pavarësisht se rezultatet e notave të këtij viti të Maturës Shtetërore, janë më të mira se ato të vitit të kaluar, sërish nuk ka pasur asnjë maturant që t’i kishte notat e të pesta provimeve me dhjetë. Gjatë analizës së rezultateve të bërë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore rezulton se, mesatarja më e lartë e të pesë provimeve shkon deri në 9.88.

“Nuk kemi asnjë maturant që të rezultojë me 10 në të pesë provimet, por kemi maturantë që kanë dalë jashtëzakonisht shumë mirë. Mesatarja në 5 provimet nuk shkon më shumë se 9.88” - pohon Rezana Vrapi,  drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Por maturantët më të mirë nuk janë vetëm ata të kryeqytetit. Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, thotë se ka një shpërndarje të tyre në disa qytete të vendit.

“Janë mbi 200 maturantë që kanë marrë 10 në njërën nga lëndët, atë që ne e quajmë lëndë e dytë dhe mbi 300 maturantë që kanë marrë 10 në lëndën e parë, Z1” - pohon Vrapi.

Këtë vit, 6.6% e maturantëve u vlerësuan me notë jokaluese, ky numër sipas të dhënave të QSHA-ja është i përafërt me atë të një viti më parë, ndërkohë që 31 maturantë u vlerësuan me notën 10 në lëndë të vështira si kimia, matematika dhe biologjia. Ndërsa provimi më i vështirë, sipas rezultateve që disponon Qendra e Shërbimeve Arsimore, ishte ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë, në të cilin vetëm një maturant arriti të 50 pikët maksimale.

Matematika

Ashtu siç pritej, matematika kishte numrin më të lartë të maturantëve mbetës dhe të rezultateve më të ulëta. Ndryshe nga gjuha e huaj dhe ajo shqipe, në matematikë 60% e maturantëve janë të nivelit të dobët. Këtë tregojnë rezultatet pas vlerësimit të provimeve të maturës shtetërore. 6% kanë ngelur duke mos kaluar dot pragun e 10 pikëve, ndërsa notat më dominuese në vlerësimin e matematikës janë 5 dhe 6. Për drejtuesit e Qendrës së Shërbimeve Arsimore kjo është një shifër që  tregon nivelin e nxënësve në këtë lëndë si dhe administrimin gjatë provimit.

Plot 27 gjimnazistë e kanë dorëzuar testin të bardhë, duke marrë zero pikë. Po aq sa numri i mbetësve në rang vendi, janë shifrat e maturantëve ekselentë. 6.7% e tyre kanë marrë të gjitha pikët. Ndërkohë, për maturantët jokalues fundi i gushtit fillimi i shtatorit do të jetë periudha e provimeve të vjeshtës. Pa siguruar notë kaluese, ata nuk marrin dot diplomën e shkollës së mesme, duke mos pasur as mundësi të aplikojnë për në universitete.

Letërsia dhe gjuha e huaj

Në testimin e gjuhës së huaj, numri i maturantëve që kanë marrë pikët maksimale ka qenë 500. Sipas të dhënave të Qendrës së Shërbimeve Arsimore provimi më i vështirë ka qenë matematika, ku vetëm 230 maturantë kanë grumbulluar pikët maksimale nga 538 që ishin një vit më parë.

“Niveli i testit ka qenë B1, niveli më i lartë i gjuhës së huaj B2, është në lëndët me zgjedhje. Dhe ka një numër të konsiderueshëm të nxënësve që kanë marrë notën 10 dhe që kanë marrë dhe atë që quhet notën 10.00 - pikët maksimale që janë 50 pikë. Ndërkohë që në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, kjo përqindje është më e ulët. Janë rreth 221 nxënës që kanë marrë botën 10 që fillon nga 45 pikë dhe 1 nxënës ka marrë pikët maksimale prej 50 pikësh. Ndërkohë që në Matematikë, kjo shifër është më e lartë. Ka rreth 230 nxënës që kanë marrë 50 pikë - pikët maksimale" - pohon drejtoresha e QSHA-së.

Këtë vit, vetëm një maturant ia doli të marr të 50 pikët në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Nxënësja e cila ka marrë pikët maksimale, është nga qyteti i Korçës.

Drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi, thotë se kalueshmëria më e lartë ka qenë në provimin e gjuhës së huaj, ndërsa më e ulëta në testimin e Matematikës, ku 2 mijë e 274 maturantë kanë marrë notë jokaluese.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: